SHPËRTHEJNË DOSJET E ELBASANIT

497
Shpërthejnë dosjet e nxehta të Elbasanit, roli i Sejdinit dhe amullia e policisë
Prokurori Dritan Gina publikon të dhëna tronditëse për konfliktet Çapja-Çela, hetimin e serverave të bashkisë dhe pasurisë së familjarëve të kryebashkiakut
Shpërthen sërish dosja e nxehtë e Elbasanit dhe lidhjet mes politikës e krimit. Vendimi i kryeprokurores së përkohshme për të larguar nga detyra drejtuesin e organit të akuzës së Elbasanit ka shërbyer për të nxjerrë në dritën e diellit fakte tronditëse, mes të cilave hetimet për disa dosje me ndjeshmëri të lartë. Bëhet fjalë për konfliktin e incidentet mes fiseve Çapja e Çela, hetimin e pasurisë së një grupi të madh personash, mes të cilëve të afërm të kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, si dhe kërkimet e prokurorisë për tenderët dhe abuzime të pushtetarëve. Sipas kryeprokurorit të Elbasanit, Dritan Gina, prej kohësh tashmë qeveria përmes Ministrisë së Brendshme ka filluar një fushatë sulmesh e goditjesh kundër Prokurorisë së Elbasanit, duke shfrytëzuar sipas tij një prokurore dhe duke sajuar një histori fiktive për humbjen e dosjeve të krimeve të fundit të ndodhura në qytet. “Kallëzimi është sajesë, injorancë profesionale. Një nga dosjet është dërguar për gjykim, në hetim janë edhe dy të tjerat. Situata precipitoi derisa sa policia ushtroi kontroll në prokuroi për të justifikuar procesin denigrues. Ju garantoj që situata të tilla nuk do të tolerohen më”, u shpreh Gina, në tryezën e të cilit mbërriti dje urdhri për largimin nga detyra. Sipas Ginës, edhe policia e shtetit është treguar e paaftë dhe e dyshimtë në sjelljen e saj në lidhje me ngjarjet e fundit kriminale në Elbasan. Kryeprokurori i Elbasanit deklaroi se policia nuk ka dorëzuar dhe as siguruar prova për personat e inkriminuar, pavarësisht se i njohin identitetet dhe lëvizjet më së miri. “Elbasani vitin e kaluar është përballur me situata kriminale, këto ngjarje nuk janë zbardhur. Autorët, pavarësisht se njihen nga policia, nuk janë siguruar prova nga hetimet, duke u konstatuar shkelje të rëndë. Kjo është neglizhencë e policisë, me të cilën kemi raporte korrekte. Ju e kujtoni situatën e verës së kaluar kur kërkuam ndihmë nga policia, që nuk erdhi asnjëherë dhe për fat të keq hetimi dështoi. Por kjo histori nuk përfundoi këtu, pasi ka nisur një fushatë kundër drejtuesit të prokurorisë së Elbasanit”, tha Gina, duke referuar kërkesës për gjurmimin e një të afërmi të kryebashkiakut Sejdini. “Kjo histori nuk përfundoi këtu, pasi ka nisur një fushatë kundër drejtuesit të prokurorisë së Elbasanit. Policia nuk bashkëpunoi kur ne kërkuam ndihmën e saj, por ndihma nuk erdhi me pretendimin se punonjësit ishin në plazh dhe ky hetim dështoi”, u shpreh prokurori. “Nuk do të lejojmë policinë që të ushtrojë presion. Pas disa tentativave u gjet mënyra për të larguar prokurorin e Elbasanit. Ku është mesazh që ata që hetojnë grupet kriminale mund ta pësojnë”, deklaroi Gina.

Megjithatë, episodi më pikant i përmendur nga prokurori Gina ishte ai i një hetimi dhe kontrolli për serverat e bashkisë së Elbasanit. “Rasti më i fundit është i ngjarjes te hotel ‘Univers’, ku kam kërkuar ndihmë nga prokuroria e përgjithshme nga shefi i IT për të kryer veprime pranë servera të bashkisë, pasi ka dyshime që persona të paautorizuar kanë akses dhe kjo lëvizje vjen pas kërkesës sime” deklaroi Gina, referuar sulmit ndaj policisë pas konfliktit mes fiseve Çapja e Çelave. Një tjetër hetim, theksoi Dritan Gina, që e ka ekspozuar përpara sulmeve është edhe rasti i evazionit fiskal, ku dyshohet se janë përfshirë mbi 66 biznesmenë të këtij qyteti. Sipas tij, për këtë rast Tatimet kanë dekonspiruar operacionin. Mes personave për të cilët prokuroria e Elbasanit kishte kërkuar të dhëna nga organet tatimore ishin disa familjarë të kryebashkiakut Qazim Sejdini. Fati i këtij hetimi nuk dihet, por prokurori ka bërë të qartë se ai është dekonspiruar. 

Prokurori Dritan Gina është shprehur i vendosur që të mos largohet nga kjo detyrë. Veç refuzimit publik ndaj kryeprokurores, Arta Marku, ai nuk ka pranuar t’i dorëzojë detyrën pasardhësit, i cili u paraqit në mesditë në Prokurorinë e Elbasanit.
Sigal