Shpërndarja e certifikatave të pronësisë. Po dhunohet Kushtetuta!

    429
    Sigal

    Reagimi i shoqatës “Dukati” ndaj deklaratës së z.Jani Babi, zv.ministër i Bujqësisë

    Reagojnë degët e shoqatës “Dukati” Tiranë, Durrës, Vlorë, ndaj deklaratës së z.Jani Babi, zv.ministër i Bujqësisë, për shpërndarjen e certifikatave të pronësisë së tokave. Zëvendësministri i Bujqësisë, z. Jani Babi ka deklaruar se, personat që kanë përfituar tokë në bazë të Ligjit 7501, Qeveria do t’i pajisë me certifikata pronësie, duke i shndërruar në pronarë legjitimë, ndërsa  “ish -pronarët” do kompensohen. Kjo deklaratë vjen pas deklaratës që bëri Kryeministri, kohë më parë, në Komunën Frakull, në Fier, ku ndër të tjera siguroi gjithë ata që kanë përfituar tokë nga Ligji 7501, se së shpejti do t’i pajiste me certifikatat e pronësisë së tokës. Këto deklarata janë një lajm mjaft i hidhur e mjaft dëshpërues për të gjithë pronarët, që në shekuj i trashëgojnë tokat e tyre dhe sot  “shteti demokratik” ua grabit.

    Mbledhja urgjente

    Për këtë arsye, një përfaqësi e degëve të shoqatës “Dukati”, të Tiranës, Durrësit, Fierit e Vlorës, që përfaqësojnë rreth 800 familje, u mblodhën me urgjencë e shqetësim të pazakontë, ku diskutuan për padrejtësinë historike që po u bëhet me bërjen “pronarë” të përfituesve të tokës nga Ligji absurd 7501. Pjesëmarrësit në këtë takim shprehën indinjatën se si Kryeministri i vendit në fushatë elektorale premtoi, se pronarët trashëgimtarë do t’i ndihmonte me dokumente të pronave që gjendeshin në një shtet mik e që çështjen e pronave do ta zgjidhte me asistencën e një shteti të BE-së, ndërkohë sot deklaron se:  “Për ne Ligji 7501, në të gjithë territorin e tokës që prodhon bukë për këtë popull, është udhërrëfyes!”

    Fakte

    1.Në takim u veçua fakti që me Ligjin 7501 u  shkel brutalisht një nga të drejtat themelore të njeriut, ajo mbi pronën private, e cila në Kartën e Kopenhagenit (e ratifikuar edhe nga Parlamenti Shqiptar), kategorizohet si e shenjtë, e patjetërsueshme, e trashëguar nga brezi në brez dhe që ruhet nga shteti me ligj.

    2.Po ashtu, u theksua se po dhunohet edhe Kushtetuta e Republikës, e miratuar me Referendum popullor në vitin 1998, ku janë sanksionuar edhe tre nenet, (41, 42 e 181 ) që imponojnë të drejtën e kthimit të pronës (tokës) pronarëve që e trashëgojnë.

    Qeveri me dy standarde

    Zëvendësministri z. Jani Babi deklaron se Qeveria do pajisë me certifikatë rreth 450 mijë familje ( d.m.th të gjitha sa janë, sipas statistikave të Ministrisë së Bujqësisë) çka do të thotë se, do t’i pajisë me certifikatë të dy palët, edhe ata që e kanë zbatuar, por edhe ata që nuk e kanë zbatuar Ligjin 7501, që këta të fundit zënë mbi 60 % të territorit të vendit. Kurse pas kësaj, thotë Kryeministri, do zbatojmë Kushtetutën; d.m.th pasi t’i bëjë pronarë edhe do i garantojë ligjërisht. Po me këtë Kushtetutë që kemi sot, që për ne pronarët e vërtetë nuk po zbatohet. Pra, për pronësinë e tokës, në Shqipëri do veprojnë dy standarde; do pajiset me certifikatë pronësie edhe ai që ka marrë tokën e tij, edhe ai që ka marrë tokën e tjetrit, pra, rrumpallë e “kush e hëngri, e hëngri” dhe e tërë kjo në kundërshtim me çfarë imponon Kushtetuta.

    Po na çoni në vëllavrasje

    Zëvendësministri ndër të tjera shprehet se: “Deri tani personave që kishin përfituar tokë  nga Ligji 7501 u lihej vetëm e drejta e përdorimit të tokës, tani do munden edhe ta shesin”. Po çfarë do shesin o zoti Zëvendësministër? Tokën që nuk e kanë të tyren, sipas Kushtetutës? Do shesin tokën që ka blerë gjyshi e babai ynë?   Si mundet? Ç’po bëni e ku po na çoni kështu, me të vërtetë mendoni se tokën tonë do ta grabisë tjetri e do ta shesë? D.m.th do të shesë edhe tokën e gjyshit, e babait tim, se atë të gjyshit të tij ia shiti, që herët, i ati! Jo, zoti Kryeministër, kjo nuk mund të ndodhë, por mos na detyroni të vritemi me njëri-tjetrin, se 8000 të vrarë deri sot për pronat, besoj, se janë mjaft për Shqipërinë. Prandaj, zoti Kryeministër mendohuni, se neve dukatasit integritetin e vatanit tonë e kemi shume të shtrenjtë, ndaj Ju lutemi mos na e bini belanë tek dera e shtëpisë.

    Nuk jemi muhaxhirë

    Si mundet, që neve 800 familje që kemi tokat tona e trojet tona në fshatin tonë të trajtohemi si muhaxhirë e të na merren  tokat në formën më fyese e mospërfillëse, ndërkohë që klasa jonë politike nga toka e popullit shqiptar u dha edhe minoritarëve, duke i bërë pronarë pa qenë ndonjëherë të tillë.

    Zoti Kryeministër, ne dukatasit jemi historikisht pronarë të një territori bregdetar prej 260 km2, të një vije bregdetare prej 60 km gjatësi, prej derdhjes se Izvorit e deri në Palasë. Ajo çfarë përfshihet nga deti në det, nga deti Jon e në kufi me fshatrat e lumit të Vlorës është e gjitha pronë private e jona e ne e dimë secilin se ku i ka pronat e këto prona ne i duam ashtu siç na i lanë gjyshërit, ndërsa shteti ka detyrimin të na i njohë e jo të na i marrë, madje të na ndihmojë që t’i marrim. Historikisht, dukatasit e kanë respektuar pronën e njëri-tjetrit, prandaj dhe kanë jetuar në harmoni. Këtë duam të realizojmë edhe tani, të shmangim kaosin e shkaktuar nga mosrespektimi i së drejtës së pronës që na ka futur në hasmëri me njëri-tjetrin, madje edhe brenda familjes dhe fisit. Ne dëshirojmë t’i  lemë fëmijët pa konflikte për shkak të pronës. Kjo që  kërkojmë  ne, është  detyrim kushtetues për Qeverinë  (Neni 181 i Kushtetutës), por njëherësh është  edhe detyrim njerëzor, logjik e zakonor, por është edhe detyrim ndërkombëtar. Në fakt, do të ishte mirë që edhe në fshatin tonë problemi i pronave të gjente të njëjtën zgjidhje si në fshatrat e rretheve verilindore që zë mbi 60 për qind të territorit të Republikës, të cilët me mirëkuptim respektuan të drejtën zakonore për pronën, por edhe atë të kohës moderne, duke e trajtuar si të shenjtë origjinën e pronës – pra, pronën e trashëguar dhe secilit iu kthye prona e tij. Faktikisht, ne jemi të ndërgjegjshëm se personalisht kryeministri nuk ka qenë  pjesë  e kësaj marrëzie, prandaj edhe besuam tek fitorja juaj, që ishte edhe basti jonë. Ju lutemi, që çështjen e kthimit të tokës pronarëve trashëgimtarë, të  mos e shikoni si përgjegjësinë e  të  tjerëve, pra të paraardhësve Tuaj. 

    Në unitet me shoqatën “Bregdeti” & “Pronësi me drejtësi”

    Për problemin e kthimit të pronës, shoqata jonë është në harmoni të plotë me shoqatën “Bregdeti”, jo vetëm për qenien në një unitet gjeografik, por edhe pse ajo mbron interesat e pronarëve të ligjshëm nga “Uji i Ftohtë (Vlorë) deri në Sarandë, si dhe me Shoqatën Kombëtare të të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi”. Për Zgjidhjen e problemit  të pronës, që në dukje konsiderohet si  i vështirë, ai mund të zgjidhet shumë lehtë, nëse mbani  në konsideratë  e shqyrtoni draft-ligjin që ka paraqitur shoqata “Bregdeti” dhe “Pronësi me drejtësi”. Kjo do të  jetë iniciativa më e mirë ligjvënëse  e maxhorancës aktuale. Nëse do të miratohet me procedurë të shpejtuar dhe do ta zbatoni atë ligj në zonën gjeografike e turistike Vlorë-Sarandë, ku përfshihet edhe Dukati, Ju do të realizoni zgjidhjen e qëndrueshme të problemit më fondamental të demokracisë dhe të respektimit të të drejtave të njeriut për popullsinë e kësaj zone turistike, si dhe do të çlironi shtetin nga një barrë  financiare e panevojshme. I lutemi edhe një herë Kryeministrit, që ta rishikojë vendimin, për shpërndarjen e certifikatave të pronësisë, para se të ndërmarrë aktin katastrofik antikushtetues, me të  cilin do të ligjëroni forcërisht, pra, do të emëroni pronarë ata që faktikisht nuk janë të tillë, sepse këto toka nuk i kanë blerë e as trashëguar, siç e përcakton Kushtetuta e Republikës.

    Titujt e pronësisë – Nis procesi i verifikimit

     Botimi në Fletoren Zyrtare, i vendimit për procesin e dhënies së titujve të pronësisë për tokat bujqësore, ka legjitimuar nisjen  tashmë  të verifikimit të titujve të pronësisë për tokat e ndara sipas Ligjit 7501. Ky proces duhej të kishte përfunduar në fund të vitit 2013, por për shkak të zvarritjeve në zbatimin e tij, ekzekutivi u detyrua të propozojë në Kuvend shtyrjen e afatit. Gjatë debateve në komisionet kuvendore, palët ranë dakord që afati i procesit të shtyhej deri më 31 Dhjetor të vitit 2015, por ndryshe nga sa miratoi Kuvendi, afati i ri ligjor i botuar edhe në Fletoren Zyrtare do të jetë 30 qershori i vitit 2016.Shpërndarja e certifikatave të pronësisë, do të hapë tregun e tokës duke aktivizuar shitblerjen e saj, si të vetmin instrument për të rritur sipërfaqen e tokës dhe për ta bërë atë tërheqëse për investime. Edhe pse kanë përfituar tokë bujqësore në vitin 1991, me mijëra fermerë shqiptarë nuk zotërojnë certifikatën e pronësisë, por vetëm atë të përdorimit. Mungesa e titujve të pronësisë për tokat bujqësore cilësohet si një ndër faktorët kryesor pengues për zhvillimin e sektorit të bujqësisë në vend.