Shou i ministrit Beqja, gratë paguajnë 3 000 lekë për mamografinë në Durrës

    492
    Sigal

    Ç’po ndodh me mamografitë në muajin kundër kancerit të gjirit?

    Prej 1 tetorit, Ministria e Shëndetësisë ka mbështetur fushatën për diagnostikimin dhe parandalimin e hershëm të kancerit të gjirit. Sipas ministrisë, të gjitha kapacitetet mjekësore janë vënë në dispozicion të mamografive dhe ekove të gjirit falas për gratë mbi 45-50 vjeç. Por ky shërbim, ndryshe sa recitohet në shoun e radhës të ministrit të Shëndetësisë, paguhet në Durrës. Dhjetëra telefonuese në mediat vizive, nga Durrësi, kanë ironizuar fushatën kundër kancerit të gjirit nga Ministria e Shëndetësisë. Edhe pse është deklaruar nga drejtues të Shëndetësisë në vend se “vetëm me një karte identiteti, çdo paciente mund të vijë dhe të kryejë kontrollin”, telefonueset kanë deklaruar se atyre, përveçse u është kërkuar letra e referencës nga mjeku i lagjes, por mjekët u kanë kërkuar edhe 3 000 lekë për këtë ekzaminim. “Duke ndjekur gjithë këtë fushatë nëpër media nga Ministria e Shëndetësisë, për parandalimin e kancerit të gjirit, shkova te spitali i Durrësit për të bërë një mamografi”, thotë zonja F.S., një nga telefonueset e shumta. Por, kur zonja F. kishte shkuar në spital dhe kishte kërkuar që t’i bëhej shërbimi i mamografisë falas, ashtu siç ka deklaruar ministri, mjekët e kishin kthyer mbrapsh. “Duhet që të shkosh të mjeku i lagjes që të marrësh rekomandenë për të marrë shërbimin që kërkon”, më tha një nga mjeket aty tha telefonuesja. Edhe pse kjo përgjigje nuk ishte parashikuar nga zonja F., ajo kishte shkuar te mjeku i lagjes dhe kishte marrë letrën rekomande për të bërë ekzaminimin për kancerin e gjirit. Por, edhe pse u paraqit me rekomandenë, e lëshuar nga mjeku i lagjes, ajo sërish nuk e mori shërbimin e premtuar falas. “Përpara se të bësh mamografinë duhet të paguash faturën, zonjë” më thanë duke i dhënë në dorë faturën prej 3 000 lekësh. Ajo vazhdoi më tej duke thënë se u largua e irrituar, por dhe shumë e zhgënjyer nga i gjithë ky shou i radhës.

    Kamëz

    Mamografia është një shërbim që nuk ofrohet në të gjitha spitalet e vendit. Ky nuk është një problem vetëm i rretheve, si për shembull i Kukësit, por është një problem i zonave më afër kryeqytetit, siç është Kamza, një qytet me afërsisht 90 000 banorë. Vetë mjekët në këtë spital shprehen se nuk realizohet mamografia. “Banorët e Kamzës, – shprehen ata, – duhet të marrin një rekomandim nga mjeku i familjes dhe mamografinë ta bëjnë në Tiranë. Këtu nuk kemi as mamografi, por as onkolog”. Këto fjalë bien në kundërshtim me ato çka deklaron vetë ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i cili është shprehur dje në Konferencën e organizuar në Tiranë: “Të Bashkuar Kundër Kancerit të Gjirit” se “në këtë muaj (tetor), ne kemi hequr tarifën e ekzaminimit të mamografisë, madje kemi hequr dhe nevojën që të vish nga sistemi i referimit, prapë edhe nëse kjo mundësi u jepet grave, prapë nëse janë larg vendbanimit të tyre, është një gjë që e kanë të vështirë për ta arritur”. Pra, edhe pse deklamohet heqja e sistemit të referimit nga ministri Beqja, në fakt, në të vërtetë, grave të interesuara për shërbimin e e mamografisë u kërkojnë rekomandimin nga mjeku i familjes.

    Fushata në rrjetet sociale

    Ajo çka është bërë subjekt i batutave në rrjetet sociale ka qenë dhe mënyra që zgjodhi Kryeministri Rama për të bërë fushatën kundër kancerit të gjirit. Shumë persona e quajtën pornografi, mënyrën sesi Rama veshi Kryeministrinë me foto të grave që ekspozojnë gjirin. “Kryeministri mbush dritaret plot me cica për fushatën e kancerit të gjirit. Po javën tjetër që është fushata kundër prostatit, çfarë do nxjerri?”, ironizohej në një nga statuset e shumta në facebook.