Shoqëria civile, peticion Këshillit të Ministrave: Jepini pension të posaçëm Ajtanga Lubonjës

    384
    Ja baza ligjore që i jep të drejtë zonjës së nderuar Ajtanga Lubonja, Aktiviste e Shoqërisë Civile dhe e persekutuar politike, shkrimtare dhe gazetare e njohur, që të ketë një pension të posaçëm ashtu siç e mori një javë më parë ish funksionari i lartë i regjimit komunist Aziz Tahiri apo artistë dhe sportistë të tjerë si Koco Comi dhe Kristaq Leno që shumëkush s’ia ka idenë se kush janë! Znj. Ajtanga Lubonja e sëmurë me kancer, po vdes nga i ftohti dhe mungesa e parave për energjinë dhe ilaçet, ndërkohë që të tjerë persona me gjendje të shkëlqyer ekonomike po përfitojnë pensione të posaçme! Ndaj dhe kemi marrë iniciativë ti drejtohemi Këshillit të Ministrave për akordimin sa më parë të një pensioni të posaçëm për Znj. Ajtanga Lubonja njësoj si atyre që iu dha Qeveria në 16.12.2015 me VKM nr 1011-1021 të publikuar në fletoren zyrtare nr 221 të 2015 dhe të publikuar në 24 Dhjetor 2015.
    Ja dhe baza ligjore e cituar gërmë për gërmë:
    Ligj Nr.7703, datë 11.5.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në RSH”
    Neni 5
    Pensionet shtetërore të posaçme
    (Shtuar shprehja në pikën “a” me ligjin nr.8286, datë 16.2.1998, neni 1): Kanë të drejtë për pensione të posaçme që jepen nga shteti personat që: a) Kanë marrë pjesë në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, në lëvizjet popullore, në luftën kundër pushtuesve nazifashistë brenda dhe jashtë Shqipërisë në mbrojtjen e kufirit e ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë dhe në lëvizjen demokratike dhe që kanë merita të veçanta; b) kanë arritur rezultate të dallueshme në fushën e shkencës, kulturës, arteve, ekonomisë dhe politikës; c) kanë vuajtur nga persekutimi politik në regjimin komunist.
    Personat e përmendur në shkronjat a,b,c të këtij neni përfitojnë: a) pension të posaçëm shtetëror, në rast se nuk përfitojnë pension nga sigurimet shoqërore, ose b) shtesë pensioni të posaçëm shtetëror mbi pensionin që u takon nga sigurimet shoqërore.
    Kushtet e përfitimit, shuma dhe procedura për dhënien e pensioneve të posaçme shtetërore dhe të shtesave të pensioneve të posaçme shtetërore përcaktohen nga Këshilli i Ministrave. Këshilli i Ministrave ka të drejtë të vendosë që administrimi i pensioneve të posaçme shtetërore të bëhet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe shpenzimet të mbulohen nga Buxheti i Shtetit.
    Sigal