Shoqata e Qiramarrësve: Gjykata Kushtetuese ka rënë, trupi diplomatik të ndërhyjë për parandalimin e ngjarjeve të rënda!

    424
    Sigal

    Sekretari i Shoqatës së Qiramarrësve Myftar Kurti: Jemi të pakënaqur me zbatimin e Aktit Normativ. Ja sugjerimet tona

    Shoqata e Qiramarrësve është shprehur se, është e pakënaqur nga vendimi që ka dhënë Gjykata Kushtetuese, për lënien në fuqi të Aktit Normativ. Pakënaqësitë kjo shoqatë i ka bërë të ditura në njoftim që ka bërë për mediat. Shoqata e Qiramarrësve në shtëpitë shtetërore ish- pronë private, në zbatim të Aktit Normativ të kthyer në ligjin 82/2012 të Kuvendit të Shqipërisë, ndan këto mendime: “Duke vlerësuar seriozisht situatën e krijuar, mbas miratimit të Aktit Normativ nga Gjykata Kushtetuese si një ligj tashmë antisocial, diskriminues, përçarës e përjashtues, shoqata merr të drejtën morale për ti thënë edhe njëherë tjetër Qeverisë e Gjykatës Kushtetuese se në Republikën e Shqipërisë “shteti i së drejtës” që mbrohet me fanatizëm nga institucioni më i lartë i hierarkisë së drejtësisë, Gjykata Kushtetuese, ka rënë. i vetmi organ që mbron kushtetutën u dorëzua pa kushte përpara presionit politiko- lobist. Populli 100- vjetorin e Pavarësisë po e pret me buqetën më të bukur “Lum ti moj Shqipëri për të mjerën drejtësi”. “Lufta e ftohtë” ndërmjet dy grupeve të interesit, të pronarëve aktual dhe qiramarrësve e ka humbur vlerën e sajë konkurruese”. Në deklaratën e tyre ata kanë theksuar më tej se: “Këto dy grupime po përgatiten veç e veç për të mbrojtur interesat e tyre. Të parët, pronarët të përkrahur nga shteti kanë filluar përgatitjet e ethshme për nxjerrjen e qiraxhinjve nga pronat e tyre në një afat sa më të ngushtë kohor, gjithnjë mbështetur në nenin 4 të Aktit Normativ, pra ekzekutimin e vendimit të Entit Kombëtar të Banesave të miratuara edhe nga gjykatat e rretheve sipas kërkesave të pronareve, të cilët kanë filluar të paraqiten në gjykatat përkatëse. Po ashtu Shoqata e Qiramarrësve ndan mendimin se të dytët , qiramarrësit, po përgatisin “llogoret e mbrojtjes”, të cilat përbehen nga këto shtylla mbrojtëse:

    1.Qiramarrësit  kërkojnë të zbatohet me objektivitet e moral shoqëror kthimi i pronave tek të zotët me këto sugjerime që do të citojmë më poshtë:

    a) Ekzekutimi i vendimeve ekzekutive të EKB mes pronarëve dhe qiramarrësve  të bëhet konform nenit nr 4 të Aktit Normativ, i cili citon shprehimisht – qiramarrësit që do të dorëzojnë banesat të sistemohen në banesat sociale të ndërtuara nga bashkitë duhet t’i jepet aq kohe deri sa këshillat bashkiake të strehojnë në këto banesa qiramarrësit sipas vendimeve te marra nga ky institucion.

    b) I sugjerojmë Entit Kombëtar të Banesave, pronarëve, njëkohësisht dhe drejtuesve të gjykatave të rretheve të cilët të mos nguten në nxjerrjen e urdhrave ekzekutiv për lirim banese pa u shpallur në fletoren zyrtare vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese, i cili do të shpjegojë miratimin nga ana e tij të kushtetutshmërisë  së ligjit 82/2012 (sepse një ligj hyn në fuqi 15 ditë pasi të jetë botuar në fletoren zyrtare).

    c) Ministria e linjës, e cila është e interesuar që të merren sa më shumë kredi nga qiramarrësit,  duhet më patjetër të heqë kufizimet që pengojnë qytetarin për marrjen e kredisë siç është përkufizuar në rastet kur një anëtar i familjes ka një pronë (banese apo aktivitet privat), i cili përjashtohet nga marrja e kredisë. Pra, si përfundim, kredia të mos  jetë e kushtëzuar. Në të kundërtën do të rritet numri i qiramarrësve që do të strehohen në banesa sociale.

    d) Ministria e linjës duhet të marrë masa të rrepta organizative për azilimin e mijëra qytetarëve pensionistë të cilët janë përjashtuar nga marrja e kredive apo edhe pa mundësinë e tyre ekonomike për të marrë një banesë sociale me qira. Në këtë kuadër, për të lehtësuar këta “fatlum” ministria  të ndërtojë disa kapanone “geto” deri në gjetjen e një shtrati në shtëpitë e pleqve për të ngrysur ditët e fundit të jetës së tyre.

    e) Ministria e linjës, e cila nëse do të zbatojë Aktin Normativ për nxjerrjen e qiramarrësve nga shtëpitë krahas çadrave që do tu ofrojë si masë Emergjence (meqë e quan procesin urgjencë) të mendojë edhe për kopshte e çerdhe e deri në klasa të viteve të para për fëmijët që do të mbeten të pastrehë. “Po të tregojë më shumë vullnet e zemërgjerësi të mendojë për kapanone tip ‘geto”.

    f) Meqenëse dimri është në prag, ministria e linjës duhet të kujdeset jo vetëm për çadrat apo veshjet e tyre por edhe për higjienën e mijëra qytetarëve që do të zaptojnë trotuaret, bunkerët apo fundet e urave nëpër qytete.

    Roli i trupit diplomatik

    Përkrah këtyre sugjerimeve që ka bërë kjo shoqatë ka kërkuar edhe ndërhyrjen e trupi diplomatik në Shqipëri për parandalimin e ngjarjeve të pakëndshme dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ata kanë theksuar se: “Krahas problemeve që trajtuam më sipër është urgjente ndërhyrja dhe njëherazi impenjimi real i trupit diplomatik i akredituar në Shqipëri, për të influencuar në Qeveri për parandalimin e ngjarjeve ndoshta të njëjta me grevën e urisë të shoqatës së të përndjekurve politik, të cilët me të drejtë kërkonin zbatimin e ligjit për pagat e tyre” ndërkohë që sipas kësaj shoqate mijëra familje qiramarrësish kërkojnë një strehë për të futur kokën.  Ata i janë drejtuar në letrën e tyre z. Hettore Sequi si ambasador i Këshillit të Europës, ku synojmë që të aderojmë, të jetë më i vëmendshëm në kërkesat që ne i kemi dërguar për ndihmë juridike. Ata kanë kërkuar që ambasadori Sequi të japë ndihmesën e tij në mbrojtje të të drejtave të njeriut, të mosdiskriminimit shoqëror, social, psikologjik e ekonomik që janë shfaqur dhunshëm në Aktin Normativ.  Po ashtu në këtë deklaratë të bërë publike ata i janë drejtuar edhe ambasadorit të SHBA-së Z. Aleksandër Arvizu, si kryeambasador i demokracive perëndimore. Ku ndër të tjera janë shprehur: “Z. Aleksandër Arvizu, si kryeambasador i demokracive perëndimore JU kërkojmë të jepni ndihmesën e tuaj të vyer për të mbrojtur  të drejtat e njeriut, barazinë e grupeve shoqërore para ligjeve e konventave ndërkombëtare të cilat janë të shenjta si për pronën ashtu dhe të drejtën për strehim. Besojmë zoti ambasador se në SHBA, Gjykata Kushtetuese nuk do të përkrahte një grup shoqëror, me gjithë se kanë të drejtën e pronës, në dem të një  grupi tjetër (qiramarrësit) i cili, megjithëse i gëzon të gjitha të drejtat kushtetuese u dënua nga Qeveria dhe Gjykata Kushtetuese me te vetmin motivim: Qeveria heq dorë një herë e mirë nga detyrimi i saj moral, ligjor e kushtetues qe ka për strehimin e këtij grupimi shoqëror”.  Më tej vijojnë se: “Një thirrje qytetare dëshirojmë tua bëjmë JU, të nderuar akademikë, profesorë të jurisprudencës, analistë, gazetarë, që mendimet tuaja të vyera ti shprehni në tubimet qytetarë – akademike në mbrojtje të ligjeve, e të Kushtetutës”.