SHOQATA E KONSUMATORIT SHQIPTAR/ Konsumatori shqiptar kërkon mbrojtje ligjore e jo rritje çmimi

    1353
    Sigal

    Shoqata e Konsumatorit Shqiptar, në vijim të detyrës së saj ligjore të mbrojtjes së interesave dhe të të drejtave të konsumatorëve, në Zyrën e Këshillimit Qytetar, vazhdimisht, ka marrë dhe vazhdon të marrë ankesat nga konsumatorët për mangësitë dhe pakënaqësi ndaj Kompanisë së Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

    Numri i ankesave vjen në rritje dhe për periudhën janar- shtator 2014 janë afërsisht 2 650 ankesa për mungesë shërbimi; për mbifaturime, për shkelje të të drejtave të tyre, etj.. Ankesat e klientëve, konsumatorë të energjisë elektrike, janë të shumta dhe në shumëllojshmërinë e tyre.

    – Akoma më të diskriminuar ndihen konsumatorët kur dëgjojnë se do të rritet çmimi i energjisë elektrike. Çdo ditë po ngrihet zëri nga kompania OSSHE, e cila është e para që ka nisur procedurat për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike për konsumatorin.

    Shoqata e Konsumatorit Shqiptar, jo vetëm që e kundërshton hapur këtë kërkesë, por beson se ERE (Enti Rregullator i Energjisë), i cili merr në shqyrtim situatën dhe kërkesën për tarifat e reja, nuk do t’i marrë në konsideratë dhe nuk do t’i miratojë këto kërkesa absurde, sepse Enti është institucion i pavarur dhe është në mbrojtje të konsumatorëve.

    SHKSH-ja, kundërshton hapur këtë kërkesë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke e argumentuar atë me mungesën e investimeve në këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë, me mungesën e shërbimit për klientët konsumatorë, kur ndërkohë:

    – Nuk janë respektuar standardet, normat që furnizimi me energji elektrike të jetë në mënyrë të pandërprerë në sasi, cilësi, siguri për klientët konsumatorë, familjarë ose jo-familjarë.

    – Kur mungojnë 25 mijë matësit për abonentët dhe faturimi u bëhet aforfe.

    – Kur matësit janë të mbyllur, konsumatori nuk njihet me masën dhe sasinë e kë/h të konsumuar, por ende vazhdon praktika e faturimit nga zyra.

    – Mungon transparenca ndërmjet kompanisë dhe klientit konsumator.

    – Ende nuk dërgohet fatura në familje, kur ajo është një dokument ligjor dhe një mundësi për konsumatorin që, jo vetëm tregon se ka paguar, por dhe ai të kërkojë të drejtën e tij në organet e drejtësisë. Mosdhënia e faturës është mohim i të drejtës së konsumatorit nga kompania.

    – Të mbrohet konsumatori dhe të zbatohet ligji “Për Mbrojtjen e Konsumatorit” nr. 9902, dt. 17.04.2008, ku në nenet: 4 “Për të drejtat e konsumatorëve”, 40 dhe 41 të këtij ligji, bëhet fjalë për të drejtat, për faturimin dhe detyrimet e tregtarëve.

    SHKSH kërkon të plotësohet kuadri ligjor dhe të zbatohet me përpikëri nga të gjithë; të vendosen rregulla për shërbime të sigurta e jo të ngrihen çmimet e energjisë elektrike, duke rënduar e rrënuar jetën e konsumatorëve shqiptarë. Kërkohet:

    1. Transparencë maksimale ndërmjet të gjitha palëve dhe grupeve të interesit.

    2. Të realizohet furnizimi i plotë me energji elektrike sipas parametrave dhe standardeve.

    3. Të plotësohen të gjithë familjarët me aparatet matëse të energjisë elektrike, të sistemohen, të vendosen në vende të dukshme, transparencë në vendosje dhe në lexim.

    4. Të eliminohet metoda e faturimit aforfe e cila është gjobë për konsumatorin

    5. Gjithashtu, të sigurohet fatura me të gjitha mënyrat e mundshme për të gjithë klientët për t’u njohur me sasinë e shpenzuar dhe për të bërë mirë bilancin familjar.

    6. Të sigurohet informacion i saktë, i nevojshëm dhe i mjaftueshëm për të gjitha shërbimet.

    7. Të sigurohet kontrata për furnizimin me energji elektrike, e qartë, e kuptueshme për klientët, sidomos një kontratë të veçantë për klientët konsumatorë më vulnerabël (pjesa më e ndjeshme, më në nevojë e shoqërisë, si: invalidë, të papunë, pensionistë, individë të vetmuar etj.), për ta njohur e zbatuar atë, qoftë nga konsumatori, ashtu dhe nga furnizuesi e faturuesi.

    8. Të hiqet taksa e televizionit në faturën e energjisë, aq me keq për veteranët, të cilët përjashtohen, sipas ligjit, nga taksat e drejtpërdrejta. Më parë paguanin 500 lekë, ndërsa tani kjo shifër shkon në 1.200 lekë.

    9. Të njihen konsumatorët me të drejtat, kushtet dhe detyrimet përkatëse për shërbimet dhe furnizimet e përfituara.

    10. Shteti të marrë në mbrojte konsumatorët. Konsumatorët në ankesat e tyre, ndër të tjera, shprehen edhe për indiferentizmin e organeve shtetërore përkatëse, që heshtin përballë këtyre abuzimeve dhe nuk mbrojnë qytetarët. Në rastin e moszbatimit të ligjeve, akteve nënligjore, rregullave, udhëzimeve, atëherë kemi prishje të marrëdhënieve e cila ndikon në humbjen e besimit të konsumatorëve tek organet zbatuese.

    Shoqata e Konsumatorit Shqiptar