Shoqata “Dukati”: Për çështjen e pronave të ndryshohet Kushtetuta

    415
    Sigal

    VLORË/ Ish-pronarët: Institucionet shtetërore nuk po e justifikojnë besimin që ju kemi dhënë!

    Shoqata “Dukati” dega Vlorë është mbledhur dhe ka diskutuar problemin e pronave duke ia drejtuar këto probleme edhe institucioneve të rëndësishme shtetërore. Për këto i është drejtuar edhe më datën 21 gusht 2013 institucioneve të mësipërme, ku kërkohej të zbatohej Kushtetuta e Shqipërisë, kryesisht neni 41 germa “b” neni 42 si dhe nenin 181 ku thuhet “Kuvendi i Shqipërisë brenda dy deri në tre vjetëve duhet të ndryshojë ligjet për pronat që kanë dalë para kësaj kushtetute, duke përshtatur sipas nenit 41 si dhe ligjit nr. 7698 datë 15.04.1993 për KKP ish pronarëve. Objektin e këtij ligji e ka trajtuar dhe Gjykata e Lartë me vendimin ku thuhet se “Ligjvënësi me këto akte të rëndësishme normative ka njohur padrejtësinë, shkeljen e të drejtave të pronësisë të ish pronarëve dhe ka vendosur të rinjohë të drejtën e pronësisë së tyre. Gjykata Kushtetuese në vendimin nr. 27 datë 26.05.2010 shprehet se kërkesa për njohjen e pronësisë lidhej drejtpërdrejtë me rivendikimin e titullit të pronësisë. Në mbledhjen e fundit anëtarët e shoqatës “ DUKATI”,  dega Vlorë vëren se shumë probleme sociale juridike nuk zbatohen, se institucionet që drejtojnë vendin nuk e justifikojnë besimin që u ka dhënë populli, se krimi ndaj individit, ndaj pronës dhe shoqërisë po marrin përmasa të rrezikshme. Për këto ne mendojmë se do të ishte e udhës që të bëhen disa ndryshime në Kushtetutën e Shqipërisë të cilat konsistojnë:

    Presidenti i Republikës së Shqipërisë të zgjidhet nga Populli sepse vetëm atëherë përfaqëson unitetin e Popullit sipas nenit 86, ndërsa në vitet e kaluara ai është zgjedhur nga maxhoranca e dalë nga partitë politike, duke i shërbyer maxhorancës që e ka zgjedhur.

    Kuvendi Popullor të mos përbëhet nga 140 deputetë, të cilët rrisin shpenzimet dhe amortizojnë përgjegjësinë ndaj zgjedhësve, por të ketë 100 deputetë, 80 nga maxhoritar dhe 20 proporcional, kështu cilësia është më e lartë, efektiviteti më i plotë dhe përgjegjësia më e madhe. Me keqardhje vërejmë se Parlamenti i deritanishëm ndikohet nga vendimet politike dhe i distancuar nga problemet reale të popullsisë. Të vendoset që deputeti të mos ushtrojë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore pra të ndryshojë neni 70 pika 2 e Kushtetutës, gjithashtu, deputeti nuk duhet të kryej asnjë aktivitet fitimprurës që buron nga pasuria e shtetit apo e pushtetit vendor.

    Deputetët të mos zgjidhen më shumë se 2 mandate sepse humbet “freskia” për të qëndruar “ besnik” parimeve kushtetuese dhe interesave të popullit. Në përgjithësi sistemi i drejtësisë nuk e justifikon emrin që ka sepse lulëzon padrejtësia dhe korrupsioni.

    Mendojmë që neni 136, pika 1, ku thuhet “anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqim të parlamentit” të ndryshojë anëtarët e Gjykatës së Lartë të emërohen direkt nga Kuvendi.

    Në nenin 135, pika 2, ku thuhet “Kuvendi mund të krijojë me ligj gjykata për fusha të veçanta, por në asnjë rast Gjykata të jashtëzakonshme”, të shfuqizohet dhe të thuhet “Kuvendi mund të krijojë me ligj Gjykata në fusha të veçanta kundër krimit dhe korrupsionit”

    Ligji 7501 efektivisht nuk funksionon në pjesën më të madhe të territorit të Republikës secili ka shkuar në pronën e vet, prandaj mendojmë që ky ligj të amendohet në përputhje me nenin 41 germa “b” nenin 42 dhe nenin 181.