Shoferët e autobusit dalin 67 vjeç në pension, por patentën e dorëzojnë 65 vjeç

    487
    Sigal

    Përplasja e ligjeve/Qeveria tallet me popullin. Ku t’i gjejnë shoferët 2 vjet punë që të dalin në pension?

     Maratona e ndryshimit të legjislacionit nga ana e Qeverisë “Rama”, po shkakton kaos në perceptimin popullor. Me një administratë shtetërore të politizuar dhe të paaftë, do të ishte e çuditshme nëse nuk do të kishte “lajthitje”, të cilat bien rëndë në kurrizin e taksapaguesve shqiptarë. E tillë është lajthitja e radhës nga specilistët e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, të cilët kanë hartuar ndryshimet në Kodin Rrugor, por edhe nga të zgjedhurit politkë të cilët diskutojnë në komisionet parlamentare. Folën e debatuan deputetët në Komisionin e Sigurisë Kombëtare për gjobat tepër të rënda në ndryshimet e fundit të Kodit Rrugor. Kjo, jo se i “dogji” deputetëve për popullin e shkretë, që me shumë gjasa nuk do të përdorë më makina, (jo se jemi popull ekologjik, por se nuk do të paguajmë dot taksat e larta për makinat e vjetra), por sepse janë vetë drejtues automjetesh, sigurisht me kilometrazh zero dhe që për më tepër nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Por, ajo që nuk u diskutua është mosha e lejuar për të drejtuar mjete me motor për transport malli dhe autobusë, kamionë, kamionë me rimorkio, gjysmërimorkiatorë dhe artikularë të tjerë, të caktuar për transport personash.

    Përplasja e ligjeve

    Në ndryshimet e Kodit Rrugor “cilido, që drejton mjete me motor, nuk duhet të ketë kaluar moshën: “a) shtatëdhjetë vjeç, për të drejtuar mjete me motor për transport malli; b) gjashtëdhjetë e pesë vjeç, për të drejtuar autobusë, kamionë, kamionë me rimorkio, gjysmërimorkiatorë dhe artikularë të tjerë, të caktuar për transport personash”. Edhe pse mosha e lejuar është rritur me 5 vjet nga ligji që është në fuqi, pra, nga 65 vjeç ka vajtur në 70 vjeç për shoferët e mjeteve për transport malli dhe nga 60 vjeç ka ndyshuar në 65 vjeç për shoferët e autobusëve (mjete për transport personash), specilistët nuk kanë marrë parasysh ligjin e ri të pensioneve. Sipas ligjit të ri të pensioneve, burra dhe gra të të gjitha profesioneve, ku përfshihen dhe shoferët, dalin në pension në moshën 67 vjeç. Ndërsa ndryshimet në Kodin Rrugor i quajnë të paaftë drejtuesit e mjeteve për transport personash në moshën mbi 65 vjeç. Atëherë, me të drejtë lind pyetja se ku do punojnë këta shoferë për 2 vjet deri sa të mbushin moshën e pensionimit.

     Debati për gjobat

    Po ajo çka ka hasur më shumë diskutim në ndryshimet e Kodit Rrugor kanë qenë gjobat të cilat pesëfishohen apo dhjetëfishohen. Në parim ndryshimet janë miratuar në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, por, pavarësisht kësaj, deputetët e shumicës kanë qenë në bllok kundër ndryshimeve. Madje kryetari i komisionit Spartak Braho ka kërkuar që projektligji në këtë formë, mos të miratohet as në parim, duke kërkuar nga ekspertët të shikohet mundësia e një kodi të ri rrugor, pa arnime. Debatet kanë qenë të forta, ku Paulin Stërkaj, Pjerin Ndreu, Arben Cuko dhe Aqif Rakipi i PDIU-së, i kanë cilësuar si absurde masat e reja shtrënguese. Më ndryshimet e reja, gjobat për drejtuesit e mjeteve në shuma raste pesëfishohet ose dhjetëfishohen. Nëse një shofer kalon semaforin me të kuqe, atij i vendoset një gjobë që varion nga 40-50 mijë lekë të reja, nga 25 mijë që është në kodin aktual. Nëse kjo shkelje ripërsëritet brenda një viti, atëherë drejtuesit të mjetit i hiqet patenta nga 9 deri në 12 muaj.

    Ndryshimet në Kodin Rrugor

    Neni 12

    Në nenin 114 bëhen këto ndryshime:

    1. Paragrafi i parë, i pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon: 5

    “1. Cilido, që drejton mjete rrugore ose kafshë, duhet të plotësojë kërkesat fizike e psikike dhe testin psikofizik, si dhe të ketë mbushur moshën:

    a) katërmbëdhjetë vjeç, për drejtimin e mjeteve të tërhequra me kafshë apo të drejtojë kafshë tërheqëse, barre ose shale, si dhe tufa, kope ose grupime të tjera kafshësh;

    b) gjashtëmbëdhjetë vjeç, për drejtimin e mjeteve me motor, të kategorisë AM;

    c) tetëmbëdhjetë vjeç, për drejtimin e mjeteve me motor, të kategorive A1, A2, B1 dhe B, sipas nenit 115, të këtij ligji.”.

    2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

    “2. Cilido, që drejton mjete me motor, nuk duhet të ketë kaluar moshën: “a) shtatëdhjetë vjeç, për të drejtuar mjete me motor për transport malli; b) gjashtëdhjetë e pesë vjeç, për të drejtuar autobusë, kamionë, kamionë me rimorkio, gjysmërimorkiatorë dhe artikularë të tjerë, të caktuar për transport personash. Ky kufi mund të rritet çdo vit deri në shtatëdhjetë vjeç, kur drejtuesi paraqet një dëshmi të veçantë për kërkesat fizike dhe psikike pas një vizite të specializuar mjekësore të përvitshme, sipas mënyrave të përcaktuara në aktet në zbatim.”.

    Rritja e moshës së pensionit në ligjin e ri

    Sipas ligjit të ri për pensionet do të bëhet rritje graduale e moshës së daljes në pension, si për gratë, ashtu edhe për burrat. Sa u përket grave, rritja graduale e moshës, me dy muaj për çdo vit, do të nisë që më 1 janar të vitit 2015 e do të vijojë deri në vitin 2056, kur një grua do të duhet të mbushë 67 vjeçe, që të përfitojë pension. Kurse për burrat, të cilët sot dalin në pension në moshën 65-vjeçare, deri në vitin 2032 mosha e tyre për të përfituar pension nuk do të ndryshojë me asnjë muaj. Nga ky vit e tutje, kjo moshë do të rritet me një muaj për çdo vit kalendarik. Kjo skemë do të vazhdojë për burrat deri në vitin 2056, kur mendohet të realizohet plotësisht projekti për sistemin e pensioneve, kur një burri do t’i duhet të mbushë 67 vjeç për të përfituar pension pleqërie. Në këtë vit do të barazohet mosha e daljes në pension si për burrat ashtu edhe për gratë.

    Ledjana Saliu