Shkozeti mbytet nga ndotja e fonderisë, Higjiena edhe ARM fshehin rezultatet

    410
    Sigal

    Zona e Shkozetit në Durrës prej vitesh po mbytet nga ndotja, ndërkohë që DSHP dhe ARM, fshehin rezultatet e matjeve të nivelit të ndotjes  dhe situatën alarmante shëndetësore të banorëve. Pavarësisht se situata mbetet e rënduar, Drejtoria e Shëndetit Publik, vazhdon të mos pranojë  akuzat e qytetarëve të Shkozetit të cilët  apelojnë prej disa vitesh situatën dramatike shëndetësore të shkaktuar nga ndotja. Shefi i Higjienës, Nestor Memsuri ka deklaruar se “matjet e bëra në terren nuk rezultojnë  të ketë probleme në shëndetin e punëtorëve të fonderisë dhe as  qindra  familjeve  atyre  rreth fonderisë së shkrirjes së metaleve dhe baterive”.  Por  zyrtarisht  është  pranuar se “kanë nisur hetimet dhe se zyrtarisht  DSHP  është detyruar të dërgojë në Prokurori të gjithë informacionin që ka”. Por  zoti Memsuri, në cilësinë e shefit të Higjienës, ka pohuar se,  “ndotjen e mjedisit duhet ta masë Agjencia Rajonale e Mjedisit, ndërsa  ata si  institucion  shëndeti kanë detyrimin  vetëm të kujdesen për dëmet në shëndet”.  Zoti Memsuri ka deklaruar se “për mua gjithçka është normale, ndotja jo alarmante”. Kjo deklaratë e tij përgënjeshtrohet nga qindra familje të cilat kanë mbyllur dyert dhe dritaret e banesave prej afro 12 vitesh, dhe vuajnë nga sëmundjet kronike.  Nga ana e saj Prokuroria e Durrësit ka nisur të grumbullojë fakte lidhur me denoncimet e banorëve të zonës pranë fonderisë në  Shkozet. Dosja  hetimore  i është kaluar  prokurorit Altin Bino, i cili prej disa ditësh  është transferuar. Bëhet fjalë për denoncimet  e banorëve të Shkozetit, për denoncimet e personave të prekur nga infeksionet dhe sëmundjet e ndryshme kronike,  që aktualisht janë në organin e akuzës në Durrës.  Sipas burimeve nga  Drejtoria Shëndetit Publik “Prokuroria  ka  kërkuar informacion  zyrtar para se çështja të kalojë në dyert e Gjykatës”. Ankesa  dhe denoncimet janë bërë  qysh në vitin 2012 dhe për shkak të vitit  elektoral  ajo është lënë pezull, ndërsa insistimi banorëve  të Shkozetit ka ri sjellë edhe një herë në qendër të vëmendjes fenomenin.  Shefi Higjenës  Memsuri ka thënë se, bëhet fjalë për “dy firma njëra  prej të cilave shkrinte metale me ngjyrë dhe tjetra bateritë,  ajo e shkrirjes së baterive, thuhet se nuk ushtron më aktivitet dhe se  është vetëm një firmë e cila ka aktivitet të kufizuar”. Zoti  Memsuri nuk kishte  dijeni nëse në magazina kishte apo jo stoqe të mëdha me bateri  dhe nëse aktiviteti shkrirjes zhvillohej natën siç janë shprehur dhe siç kanë denoncuar  banorët  të cilët i ndanë vetëm një mur nga fonderia e tmerrshme”. Higjiena  u shpreh se,  pas kallëzimit që kanë bërë banorët e Shkozetit,  është ngritur një grup me kimistë dhe specialistë të ISHP.  Matjet pas kallëzimit të bërë janë kryer me 27 korrik 2012 dhe me 2 gusht 2012 dhe sipas shefit të Higjienës, rezulton se “çdo gjë është brenda limiteve”. Mjeku Armand Mersini ka hapur  kartela  për çdo të punësuar atje para 2-3 viteve , por DSHP  nuk  disponon  listë me emrat e të punësuarve dhe as nuk di se cili është mjeku që ndjek aktualisht shëndetin e të punësuarve  në fonderi. Gjithashtu shefi Higjienës në pohimet dhe deklaratat e tij kontradiktore shprehet se “në prani të specialistëve tanë  fonderia është vënë në gjendje pune dhe se ka sistem të rregullt filtrimi, ndërsa paraqiten rregullisht raporte vetëmonitorimi nga agjenci private të cilat janë të akredituara, rezultatet e të cilave nuk shkojnë tek higjiena, por tek ARM”.  Ndërkohë mjeku i familjes në Qendrën Shëndetësore nr.7 të Shkozetit, Osman Hazizaj, është shprehur se, “problemi njihet mirë  jo vetëm në lagje por edhe në strukturat shëndetësore  e  lokale,  fonderia ka ndotur tmerrësisht  mjedisin dhe ka ndikuar shumë keq në shëndetin e banorëve”. Të gjitha shtëpitë pranë fonderisë kanë të sëmurë kronikë. Në jo pak raste të sëmurët janë fëmijë apo gra e nuse. Ndotja që çlirohet nga shkrirja e metaleve me ngjyrë është shumë e rrezikshme.    Artur AJAZI