Shkollës 9-vjeçare të fshatit Sul i jepet emri i dëshmorit Shaban Pajo

    583
    Sigal

    Në përkushtim të 100-vjetorit të lindjes dhe 70-vjetorit të rënies Dëshmor, të Shaban Pajos (SULI)

    Në kohën e luftës populli i Devollit dërgonte pa pushim bijtë dhe bijat e tij më të mirë në radhët e batalionit “Fuat Babani”. Këshilla Antifashiste dhe njësitet guerile të fshatrave e bënë gjithë krahinën e Devollit një bazë të fuqishme partizane. Një nga këta bij që krenohet me të drejtë katundi Sul e gjithë Devolli është dhe dëshmori Shaban Sulejman Pajo. Shabani si në batalionin F. Babani e më pas në Brigadën e IV S demonstroi cilësitë më të mira të partizanit e të komandantit të paepur. Që në ditët e para të ardhjes në batalionin F.Babani drejtuesit e batalionit u befasuan nga aftësitë e larta ushtarake si dhe të një partizani me moral të lartë gjakftohtë dhe me veti të rralla.

    Menjëherë i kanë besuar detyrën e komandantit të skuadrës, por pas përballjeve me autokolonën gjermane Shtabi i Batalionit vuri re se ai mund të drejtonte edhe formacione më të mëdha ushtarake. Menjëherë, atij ju dha detyra e komandanti të togës dhe zv.komandantit të kompanisë. Në Bilisht, Poloskë, Verlen, Bradvicë dhe Polenë ai me mitralozin e tij “BREDA” dhe ndërrimet e pozicioneve në mënyrë të befasishme, i krijoi përshtypjen gjermanëve se po goditej nga një grup partizanësh dhe shumë mirë i armatosur sa që nën goditjet e vazhdueshme janë detyruar të tërhiqen nga fushë-beteja. Shumë partizanë të batalionit F.Babani mbushën radhët e Brigadës së IV, e cila u formua në dhjetor të vitit 1943. Me të mbërritur në Brigadën e IV S, atë e emërojnë komandant të Kompanisë së I të Batalionit të I.

    Aftësi të rralla luftimi e drejtimi

    Kjo rritje në përgjegjësi rezultoi të ishte efikase sepse Shabani po shfaqte gjithnjë e më shumë aftësi të rralla luftimi e drejtimi, Kompania e I e Batalionit të I që Shabani pati nderin të drejtonte ka bërë histori në luftimet e Dusharit, Kullat e Gjergjevicës, Tudasit, Qafëszezë, Gostivishtit, Kolomecit e gjetkë. Ne kullat e Gjergjevicës më 11 janar 1944 Shabani me partizanët e kompanisë së tij luftoi në kushte shumë të vështira me një armik superior në numrin e njerëzve dhe epërsi në armatim, teknikë luftarake. Shabani diti të mbajë lart moralin e partizanëve që kishin dy javë luftime e marshime të pa ngrënë e të pa fjetur, të veshur keq dhe disa me këpucë copë-copë partizanët të frymëzuar nga shembulli personal i komandantit të tyre, jo vetëm që e duruan të ftohtin e natës nga Dëbora dhe furtuna, por në mëngjes kur u afruan nazistët të veshur me pelerinë të bardha, i sulmuan dhe i thyen. Kjo luftë rriti akoma më tepër shpirtin sulmues dhe iniciativën në luftime të partizanëve nga kjo përballje partizanët zunë armatim të bollshëm dhe sasi të mëdha municionesh për të cilët kishin aq shumë nevojë për ditët që vinin. Shabani ishte mjeshtër i përdorimit të armatimit të artilerisë dhe mitralozave të rëndë dhe të lehtë të automatikëve dhe kishte një fizik mjaft të fortë, ishte improvizues për të zgjidhur dhe për të dalë nga situata të vështira në mënyrë të pa parashikuar. Një episod: Kur kompania e I e tij u ngarkua të siguronte kalimin e batalionit të I të Brigadës së IV në lumin OSOJE të GORES për të sulmuar në befasi forcat gjermano- balliste të grumbulluara në fshatrat e GORES.

    Shabani kur iu afrua lumit të rrëmbyeshëm, hoqi litarin nga samari i mushkës dhe e lidhi pas një peme. Me gjashtë partizanë të shtrënguar dorë për dore ju futën lumit që

    kishte ujë deri në gjoks, por i rrëmbyeshëm. Kur kaloi lumin lidhi litarin pas një dushku e kështu bëri të mundur kalimin e batalionit të parë nëpër lumë. Pas kësaj ai studio terrenin dhe brenda dy orëve ngriti një urë të vogël me drurë e driza sipër shkëmbinjve në këtë urë u kaluan mortajat, mitralozat e rëndë dhe partizanët e sëmurë dhe të plagosurit

    Shabani me thjeshtësinë e tij kishte bërë normë pune konsultimet me kolegët dhe deri tek partizanët më të thjeshtë. Ai i dëgjonte me vëmendje mendimet e propozimet e partizanëve dhe çdo vendim dhe çdo urdhër që i jepej, të ishte rezultat pune kolegjiale.

    “Komandanti i Kompanisë”, thoshin partizanët se është trim me mend e gjakftohtë në luftë. Në mëngjesin e 4 Shkurtit 1944 partizanët sulmuan forca të mëdha balliste në Qafëzezë. Me skuadrat e sulmit mori pjesë edhe Shabani. Që në fillim lufta shpërtheu në afërsi me bomba dore dhe e ashpër, Shabani duke drejtuar dhe organizuar sulmin përdorte njëkohësisht automatikun dhe hidhte bombat e dorës aty ku ballistët përpiqeshin të rezistonin. Ai kujdesej veçanërisht për partizanët e rinj dhe për ata që rrezikoheshin nga armiku.

    Ai i udhëzonte të rinjtë të shfrytëzonin muret, gurët dhe pemët. Në një çast mitraljeri MINELLA po rrezikohej nga goditjet e një zjarri që dilte nga një penxhere. Shabani që e diktoi më parë ballistin, hapi menjëherë zjarr me automatik dhe pa hequr shikimin nga ai i thirri MINELLËS: “Drejto mitralozin në penxheren djathtas”. Në këtë luftim armikut ju zunë tetë robër dhe midis të vrarëve ishte dhe një komandant i dëgjuar për krimet e tij. Edhe në luftën e Gore dhe Kolonecit në ditën e parë të Marsit rishfaqet në organizimin e luftimit të mbrojtjes e pastaj të kundërsulmit, që i detyroi nazistët të tërhiqeshin në panik të ç’organizuar duke lënë në fushë betejë plaçkat dhe kafshët që kishin grabitur. Partizanët e donin dhe e respektonin komandantin e tyre se ishte njeriu që e quante veten një si ata.

    Libri me kujtime

    NGA LIBRI ME KUJTIME “NË “BRIGADEN E IV S”, shkruar nga komandanti i Brigadës së IV S dhe HEROIT TE POPULLIT ZIA KAMBO duke përshkruar një nga betejat më të ashpra në GURIN E KAMJES përballë forcave gjermano balliste ndër të tjera thotë:

    “Me kompaninë e Devollit vjen e takohet komandanti i batalionit “Gore-Opar” Teki Kolaneci, “Hero i Popullit”, i cili i njeh me situatën e luftimit dhe cakton vendin nga do nisi përballjen kompania e I e Batalionit të I të Brigadës së IV. Pas një lufte të ashpër mbi disa maja kodrash kundërshtari vendosi mitraloz për të penguar përparimin e mëtejshëm të partizanëve.

    Në majë të një kodre zuri vend mitraljeri armik që i voliste të dëmtonte Partizanët, Urdhërohet një skuadër Partizane që të asgjësojë atë çerdhe zjarri, por kjo ishte tepër e vështirë. Ndeshja e saj me mitralozin ishte shumë e fortë. Në mbështetje të skuadrës vrapoi Shaban Suli që përdorte mjeshtërisht mortajën e lehtë 45mm. Kjo bëri të mundur që mitralozi armik të tërhiqet tamam në çastet kur e kërcënonte asgjësimi. Dhe kjo ishte meritë e skuadrës, por edhe e Shabanit, një luftëtar trim, aktivist i vendosur në fshatin e tij SUL të Devollit i cili që me formimin e Brigadës së IV S u emërua Komandant Kompanie dhe u vra 15 Mars 1944 në Katundin Gjergjevicë.

    Në përkushtim të 100-vjetorit të lindjes dhe 70-vjetorit të rënies Dëshmor të Shaban

    Pajo (Suli), shkollës 9-vjeçare të fshatit Sul i jepet emri i dëshmorit Shaban Pajo. Në këtë veprimtari ishin drejtues të pushtetit vendor, të afërm të ardhur nga Tirana, farefis, mësues, historianë, poetë dhe shkrimtarë. Ishte një aktivitet me mjaft mbresa që do të kujtohet gjatë në gjithë zonën e Devollit.

     Mblodhën materiale dhe kujtime – Mihallaq Konda dhe Selman Pajo (Nipi)