Shkolla në Tragjas deri në shpalljen e Pavarësisë

    782
    Sigal

    HISTORIA/Djalëria e Tragjasit, e zgjuar me kohë, është hedhur përpara për të rrëmbyer dijen

     Banorët e Tragjasit, qysh në kohën e lashtë, kanë bërë përpjekje për kulturë dhe e kanë çmuar shkollën si një forcë tërheqëse përparimi prandaj i janë vënë asaj me ngulm. Ata, duke mos peshuar as vështirësitë ekonomike, as pengesat që u nxirrte pushteti osman dhe as pasojat që mund t’u vinin nga ndjekjet e raprezaljet e regjimeve, kanë luftuar për kulturë dhe arsim.

    Djalëria e Tragjasit, e zgjuar me kohë, është hedhur përpara për të rrëmbyer dijen dhe për të mësuar, sidomos ABC-në shqipe. Në fillim, pa ndihmë e pa përkrahje të askujt, ata mësuan në shkolla, brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe, në përgjithësi, luftuan për të sjellë arsim e përparim. Ata qysh atëherë me vullnet dhe me këmbëngulje mbaruan shkollat e mesme dhe të larta e më vonë ndihmuan njeri-tjetrin për të tërhequr edhe bashkëfshatarët e tyre. Kjo përpjekje e dashuri për shkollën, për dije, për kulturë vazhdoi me ngulm që paparë si para Pavarësisë dhe u shtua edhe më shumë në shtetin e lirë shqiptar.

    Nga viti 1912 deri në vitin 1924, si dhe në vitet e regjimit monarkist me vështirësi dhe me përpjekje e sakrifica të rinjtë e Tragjasit nuk iu ndanë shkollës, me bursë e pa bursë, duke shërbyer si shërbëtorë, në familjet e të pasurve e agallarëve në qytet, duke u ndihmuar shumë edhe prej një pjese që e kishin mbaruar shkollën dhe kishin punuar si nëpunës në postat e qeverisë, si Rexhep Troqja.[1] Duke punuar për një kohë të gjatë si nëpunës me rëndësi në administratën qendrore të Vlorës, mundi të ndihmonte fshatarët në hallet e tyre dhe veçanërisht djemtë që përpiqeshin të vazhdonin mësimet. Dhe këta njerëz të shkolluar kanë qenë vazhdimisht në krye të luftërave e të përpjekjeve të banorëve të Tragjasit për liri, pavarësi e përparim.

    Plaku i moshuar, Azem Troqja, tregonte se mejtepi (shkolla) e parë turke është hapur në vitin 1809, në një shtëpi private, që në atë kohë quhej shtëpia e Rruçe afër shtegut të Thanasit, afërsisht, ku ka qenë shtëpia e Mete Troqes.

    Fëmijët mësonin shkronjat turke duke ndenjur këmbëkryq mbi një rrogoz të shtruar në dyshemenë e shtëpisë. Në shkollë kishte 28 nxënës, që mësonin vetëm kuranin. Nga viti 1830 shkolla u hap në xhaminë e fshatit. Këtu mësimi bëhej në gjunjë, mbi rrogoz. Me reformat e Tanzimatit, filloi të mësohej jo vetëm kurani, por edhe katër veprime në aritmetikë. Ky ishte një hap i dytë në drejtim të kulturës dhe të njohurive fillestare në shkollë. Ky program ka vazhduar dhe më pas.

    Si mësues – hoxhë që nga viti 1809 deri 1907 kanë qenë: Haxhi Abdullau Efendiu nga Berati, Mahmut Hoxha (Shyti), Sali Efendi Dibra, Mulla Sinan Kobellua, Mulla Sulo Ruka nga Radhima, Mulla Sulo Shehu, Mulla Beqiri Amagjoni, Mulla Daut Shehu nga Dukati dhe Mulla Beqir Ormeni.

    Rreth viteve 1890 patrioti arsimdashës Hariz Ferhati nga Tragjasit meqë nuk kishte fëmijë (djem). Në fillim përdori për mësim një dhomë të shtëpisë së rij. Ai vendosi të përjetësojë kujtimin e tij, me një vepër: me pasurinë e tij të ngrihej një ndërtesë për shkollën e fshatit. Në këto vite u ndërtuan tre dhoma të rrethuara me një oborr të madh. Dy dhoma të mëdha ishin për mësim dhe një dhomë pas shkollës që ishte për strehimin e mësuesve jo vendas. Që nga ajo kohë mësimi nuk jepej më në xhami, por në shkollë me banka të rregullta.

    Në dhomën e madhe zhvillohej mësimi, ndërsa në të voglën banonin mësuesit. Te porta e shkollës ndodhet edhe sot muri i varrit të këtij patrioti me mbishkrimin “Hariz Ferhati”, ndërtuesi i shkollës. Kjo shkollë ka ekzistuar deri më 7 gusht 1943, kur fashistët italianë dogjën krejt shtëpitë e fshatit e bashkë me to dhe shkollën. Megjithatë klasa e pestë  u mbyll në korrik 1942 nga lufta.

    Deri në vitin 1907 shkollën e mbante fshati; e paguante mësuesin hoxhë. Këra mësues-hoxhë kanë mësuar në shkollën turke disa breza. Ishin të rinj, të cilët, veç Mulla Beqir Ormënit e Sadedin Aliushit (Shyti), kryen dhe medresenë. Të tjerë me mundësinë e tyre u përpoqën për të vazhduar studime laike; këta mbaruan shkolla të mesme në Perandorinë Osmane dhe në vende të tjera.

    Kështu mbaruan shkollë të mesme në Janinë, Selanik, Vjenë etj., Mahmut Cani, Mustafa Muço, Mustafa Ramohito (për një kohë ka dhënë mësim në idadijen e Janinës), Islam Gjoni. Kanë qenë mësues në Çamëri deri para shpalljes së Pavarësisë Shyqyri Muço dhe Ymer Muço. Të gjithë këta të rinj, që i kishin familjet në fshat dhe pushimet shkollore i kalonin pranë tyre bëhen agjitatorë të gjallë të idesë kombëtare të mësimit shqip.

    Në vitin shkollor 1907 deri 1908 u ndryshua sistemi i shkollës. Mësimet nuk do t‘i zhvillonin hoxhët e fshatit që paguheshin nga populli. Arsimi bën një hap përpara. Nga ky vit filloi shkolla e rregullt shtetërore në gjuhën turke me mësues të caktuar e të mbajtur nga qeveria. Atë vit fillon si mësues Ejup Kondi nga Vlora. Gjatë vitit emërohet edhe Ibrahim Efendiu nga Gjirokastra, i cili qëndroi deri në fillim të luftës ballkanike, në vitin 1912. Në këtë kohë formohen klasat e rregullta të shkollës në moshat e detyrimit shkollor me mësues Ibrahim Efendiu. Shkolla arriti kursin 3-vjeçar iptidaijes (fillore) në gjuhën turke.

    Kështu, nga viti 1908, me fillimin e shkollës së re të rregullt, jo me hoxhë, me program ditor dhe me ndërtesë të re, me banka, mësimi zhvillohej me orë të caktuara, me 25-30 nxënës. Megjithëse, mësimi jepej në gjuhën turke, u ndryshua krejt karakteri i shkollës dhe i dhënies së mësimit. Në shkollë, përveç kuranit, bëheshin edhe lëndë të tjera mësimore të shkollës fillore, që më parë nuk ishin në program.

     Çelja e shkollës shqipe në Tragjas

     Lufta e rilindësve për abc-në, për shkrim e këndimin shqip u lidh ngushtë me luftën me pushkë, me lëvizjen patriotike antiturke për pavarësinë kombëtare, për liri, drejtësi, përparim e arsim në gjuhën amtare.

    Lëvizja për mësimin e shkronjave shqip në mënyre ilegale u zgjerua gjithnjë e më shumë në të gjithë vendin. Për pushtuesit osmanë, ata që merreshin me këndimin dhe shkrimin e shkronjave shqipe, ishin armiqtë më të rrezikshëm të sulltanit dhe ndiqeshin si antifetarë, si heretikë e antiqeveritarë. Botimi i abetares dhe veprave të tjera shqipe me shkronja latine dhe futja dhe shpërndarja e tyre në mënyrë shumë të fshehtë në Shqipëri, u bë një detyrë e madhe për patriotët dhe rininë brenda dhe jashtë atdheut. Abetaren, librin shqip, siç bëhej në të gjithë vendin, në Vlorë e rrethin e saj, agjitatorët patriotë, të rinjtë përparimtarë të fshatit e shpunë edhe në Tragjas para vitit 1908. Kush dinte alfabetin bëhej mësues i të tjerëve, që mësonin me etje shkrim e këndim në gjuhën amtare.

    Abetarja qarkullonte fshehurazi dorë më dorë, duke u ruajtur si një libër i shtrenjtë. Muça Smajli tregon se Ibrahim Kurti, me të ardhur në fshat, u mësoi alfabetin në shqipe nxënësve të rritur, që mbaronin shkollën fillore. Kështu, bashkë me mësimin e shkronjave, futej në shpirtin e popullit, të fshatarit dashuria për gjuhën amtare, fryma patriotike, dëshira dhe etja për liri, kulturë e përparim. Këtë veprimtari patriotike autoritetet turke e ndiqnin me egërsi të madhe. Kështu, u rëndua dënimi i të burgosurve tragjasiotë në burgun e Beratit. Për shpërndarje të librave shqipe e propagandë kombëtare, u persekutua e u internua Ibrahim Shyti.[2]

    Me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, shqiptarët kërkuan lejimin e shkollave shqipe, mësimin legal të gjuhës amtare. Ata arritën të çelin shkollën e parë kombëtare shqipe më 7 mars 1887 në Korçë, por turqit e mbyllen atë shpejt. Megjithatë patriotët nuk u tërhoqën.

    Ismail Qemali ngulte këmbë për arsimin shqip. Punët ndryshuan përkohësisht me kushtetutën e vitit 1908, kur xhonturqit u premtuan kombësive disa liri, si lejimin e shkollave në gjuhën amtare e mësimin e saj të lirë. Me Hyrjetin (që do të thotë: kushtetutë-liri-revolucion xhonturk, qershor 1908) një rol të rëndësishëm në qytetin e Vlorës dhe rrethina luajti lidhja e patriotëve vlonjatë me emër “Lidhja Kombëtare për përhapjen e shkollave shqip”.

    Prej saj u caktua edhe një komision që do të merrej me organizimin e shkollave që do të hapeshin në qytet e në fshat. Pas kësaj punën e vazhdoi Klubi “Labëria”, që u la i lirë vitin e parë nga xhonturqit. Kjo ndihmoi të hapeshin mjaft shkolla e grupe mësimi të shqipes në qytet e në fshatra. Me iniciativën e klubit, u mblodhën në Vlorë hoxhë-mësues nga qyteti e nga fshatrat, njerëz që dinin e nuk dinin germat shqipe. Me ta u organizua një seminar disa javë dhe në fund u lëshuan dëftesa aftësie për të dhënë mësim me shkronjat shqipe. Në këtë klub, si anëtarë aktivë të tij bënin dhe shumë arsimdashës nga Tragjasi si Alem Mehmeti, Ibrahim Shyti, etj. Ata bënë shumë përpjekje që në Tragjas të jepej e të mbahej mësimi shqip. Shtypi rilindës e përmend këtë fakt. Gazeta “Dielli” shkruante: “Në Tragjas mësohet shqipja bashkë me turqishten…”.[3] Në një korrespodencë tjetër të asaj kohe përmenden këto shkolla shqipe në katundet e Vlorës: në Kaninë me mësues Jani Mingën, në Drashovicë me mësues Mulla Xhaferrin, në Tragjas me mësues Ibrahim Efendi Gjirokastrën, të cilët përpiqeshin të mbanin mësonjëtoren shqipe …

     Përgatiti Arben Shytaj