Shkojnë për të prishur kontratën, Albtelekom i mashtron me kontratë të re

    438
    Sigal

     Klientët e kompanisë turke nuk përballojnë dot tarifën e rritur të shërbimit, prej 700 lekësh

     Me aplikimin e tarifave dhe shërbimin jashtë çdo standardi, Albtelekom grabit qytetarët shqiptarë, duke manovruar në mënyra nga më skandalozet. Rritja e tarifës mujore që nga 1 qershori i këtij viti në 700 lekë, ka shkaktuar jo pak reagime nga vetë qytetarët, të cilët u janë drejtuar zyrave të Albtelekom për të prishur kontratën që kanë me të. Por, atje janë përballur me “qëndresën” e punonjësve të kësaj kompanie, të cilët u kanë ofruar një paketë të re, për të mos prishur kontratën me Albtelekom. Bëhet fjalë për ofertën më të re të lançuar së fundmi nga kompania turke: “Eja në ALBtelecom, zgjidh një nga paketat që bën për ty dhe përfito: Pajtimin mujor për 6 muajt e parë për vetëm 999 Lekë/muaj; Bonus 60 minuta ndërkombëtare me të gjithë operatorët në Itali, Greqi, Gjermani, Angli, Kanada dhe USA; Super Internet ADSL Pa Limit;

    Instalim të telefonisë fikse dhe shërbimit të Internetit ADSL FALAS; Modem FALAS”. Kjo është oferta, që në fakt i është bërë dhe një qytetareje e cila poasi ka nënshkruar kontratën nuk ka marrë shërbimin e premtuar. Një qytetare, e cila ishte gënjyer nga kjo ofertë dhe kishte nënshkruar kontratën, shumë e revoltuar, denoncoi mashtrimin dhe abuzimin e Albtelekom përkundrejt klientëve të saj në “Shijak Tv”. “Shkova në zyrat e Albtelekom me qëllimin për të prishur kontratën me të, pasi nuk kam asnjë lloj interesi të paguaj 700 lekë në muaj, pa folur fare, për një shërbim jo cilësor. Kur shkova atje, punonjësja e Albtelekom më ofroi të nënshkruaja një kontratë tjetër me Albtelekom, ku do përfitoja 60 minuta ndërkombëtare me Italinë, Greqinë, Gjermaninë, Anglinë, Kanadanë dhe USA-n, si dhe shërbim interneti falas me 999 lekë në muaj, ku përfshihej dhe tarifa fikse mujore. Duke qenë se kam fëmijët në emigracion, u gënjeva dhe pranova të nënshkruaja kontratën. Por tashmë jam zhgënjyer pa masë, pasi unë nuk mundem të flas dot me jashtë me fëmijët e mi. Albtelekom më mashtroi, ndaj dhe mora këtu të denoncoj hapur këtë mashtrim dhe abuzim që Albtelekom bën me qytetarët shqiptarë”, tha qytetarja në telefonatën e saj në Shijak Tv. Në përfundim të telefonatës ajo u bëri thirrje të gjithë abonentëve të Albtelekom që të kenë kujdes dhe të mos gënjehen nga mashtrimet e kompanisë turke.

     Abuzimi me qytetarët

     Albtelekom ka rritur brenda 4 vjetësh me shpejtësi marramendëse tarifat e telefonisë fikse. Tarifat për familjarët janë rritur nga një vit në tjetrin e në rastet më banale edhe dy herë brenda të njëjtit vit. Tarifa për abonentët familjarë e telefonisë fikse nga muaji shtator 2008 deri 10 muaj më pas në Qershor të 2009-s, ka pasur një tarifë mujore e cila është llogaritur në shumën 288 lekë të reja. Ndërsa tani nga qershori i këtij viti tarifa e shërbimit bëhet nga 530 lekë në 700 lekë. Të gjitha rritjet e tarifave të shërbimit janë bërë në kundërshtim me legjislacionin për komunikimet elektronike dhe postare, pasi për çdo ngritje çmimi është detyrim ligjor organizimi i seancave dëgjimore, ku paraqiten argumentet para grupeve te interesit dhe konsumatorëve, gjë që nuk ka ndodhur. Albtelekom, sidomos për rritjen e fundit, nuk ka asnjë justifikim për rritjen e çmimit, përderisa nuk ka ndodhur një investim i ri në dobi të konsumatorëve, i cili ka një kosto të shtuar. Gjithashtu vendimi është marrë në kushtet e një mungese të plotë transparence publike dhe nuk është shoqëruar me një relacion shpjegues për konsumatorët për arsyet që e shtynë në marrjen e këtij vendimi dhe që të bazohet në rrethana apo kushte të reja të pashpjeguara. Rritja e tarifës së fundit lidhet edhe me faktin që, qysh nga fillimi i këtij viti, çmimet me pakicë të operatorit më të madh të telefonisë fikse, “Albtelekom”, nuk janë më të rregulluara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), pasi sipas tij, në kushtet e tanishme të tregut, mundësitë për abuzim me pozitën dominuese janë minimale. Ky vendim i AKEP i ka dhënë dorë të lirë kompanisë Albtelekom, e cila tashmë bën ligjin në këtë treg, duke zhvatur konsumatorët shqiptarë.

     http://www.albtelecom.al/al/oferta-individuale-telefonia-fix/437-per-vetem-999-leke-ne-muaj

    Ledjana Saliu