Sigal

Policia ka ndaluar në Kakavijë Lulzim Kullën, biznesmenin 42 vjeçar nga Shkodra.

Ndalimi i tij erdhi pasi kontrollorët në Kakavijë zbuluan se udhetonte drejt Greqisë me një pasaportë të falsifikuar me inicialet A.D.

Kulla ishte pasagjer në një automjet tip Audi që udhetonte drejt Greqisë me identitetin e falsifikuar. Në janar të këtij viti biznesmenit Lulzim Kulla i bënë atentat në Shkodër, ku mbetën të plagosur disa qytetarë.

Emri i biznesmenit Lulzim Kulla është mjaft i njohur për Policinë e Shkodrës. 42-vjeçari konsiderohet si një prej “të fortëve” të qytetit dhe ka disa precedentë penalë.

Kulla konsiderohet si kreu i një grupi kriminal, që prej vitesh nënshtron tregtarët në Shkodër duke u vendosur “tarifë” të përmuajshme për garantimin e objekteve tregtare. Historia e vendosjes së gjobave për tregtarët në lagjen “Rus” dhe në zonat përreth daton që prej vitit 1997. Përmes presionit dhe terrorit, tregtarët detyrohen t’u paguajnë një shumë që shkon deri në 50 mijë lekë të vjetra në muaj grupit të të fortëve, në mënyrë që të mos kenë probleme.

Kulla, i cili ndodhet në gjendje kritike për jetën si pasojë e plagëve të rënda të marra nga shpërthimi, njihet si një person i dhunshëm dhe se ka detyruar shumë biznese, që të mbyllin aktivitetin e tyre ndërsa shumë të tjerë, madje edhe janë detyruar që të largohen nga qyteti i Shkodrës.

42-vjeçari madje akuzohet se ka marrë pjesë në torturimin deri në vdekje të një prej tregtarëve, që nuk i është bindur diktatit të tij. Bëhet fjalë për një tregtar për shitjen e gazit, për vdekjen e të cilit nuk pati asnjë autor. Vetëm disa muaj më parë, Prokuroria nisi një hetim për gjobvënie ndaj tregtarëve në Shkodër, por pavarësisht se operacioni u shoqërua me disa të arrestuar, çështja u sfumua nga dëshmitë e vetë tregtarëve, të cilët nga frika janë shprehur se paratë paguheshin për ruajtjen e dyqaneve dhe se ndaj tyre nuk është ushtruar presion për një pagesë të tillë.

Por, 42-vjeçari që ishte shënjestra e sulmit me tritol të shpërthyer në distancë me telekomandë rezulton se është një nga të arrestuarit për kultivim kanabisi në zonën e Dukagjinit. Lulzim Kulla, edhe pse konsiderohej si një prej organizatorëve për kultivimin e një sasie të madhe të bimëve narkotike, u la i lirë pas vetëm 6 muajsh. Nuk është e qartë se si 42-vjeçari ka arritur t’i shmanget dënimit, duke bërë që çështja të mbyllet. Gjatë vitit 2016 zona e Dukagjinit në Shkodër u kthye në një “Lazarat” sa i takon kultivimit të bimëve narkotike.

Policia e Shkodrës në bashkëpunim me Forcat e Ndë- rhyrjes së Shpejtë ushtruan kontroll në fshatrat e Dukagjinit, të cilët më parë ishin të paprekshme për shkak të rezistencës së kultivuesve, që shpesh qëllonin me armë në drejtim të forcave të Policisë. Në operacionin dyditor të gushtit të 2016-s, u zbuluan mbi 40 parcela me kanabis me mbi 10 mijë rrënjë. Ndonëse Policia arrestoi shumë persona të akuzuar si organizatorë të kultivimit të bimëve, mes të cilëve ishte dhe Lulzim Kulla, shumë prej tyre u lanë të lirë për mungesë provash duke bërë që askush të mos përgjigjet për një vepër të tillë penale.