Shkëlqim Goxhaj: Kemi krijuar një profil të ri në shërbimin e mbrojtjes së jetës dhe pasurive

    436
    Sigal

    Flet Shkëlqim Goxhaj, kreu i Shërbimit Zjarrfikës të Qarkut Tiranë

    Shërbimi zjarrfikës në Qarkun e Tiranës, shtrirë me veprimtarinë e tij në qytetet Tiranë, Vorë, Kavajë, Rrogozhinë, ka kohë që është përfshirë në një riorganizim të plotë funksional e cilësor në gatishmëri dhe lloje të reja shërbimi, lidhur me detyrimet që ka në kryerjen e detyrimeve zyrtare dhe të mbrojtjes së jetës së njerëzve, të pasurive të individit, komunitetit dhe institucioneve. Qarku i Tiranës, ka shtrirjen më të madhe gjeografike komunitare e pasurore dhe për rrjedhojë, ka edhe përqendrimin më të madh të këtij shërbimi. Në përmbushje të këtyre detyrimeve, stafi i ri i shërbimit zjarrfikës të Qarkut Tiranë, ka përcaktuar detyrat dhe ka krijuar hartën e tij të veprimit për çdo rast emergjence, qofshin këto jo vetëm zjarre, por dhe nevoja të tjera jetike shpëtimi të jetës e pasurive, madje edhe në aksidente rrugore. Lidhur me modelin e ri efiçent të këtij shërbimi, ne intervistuam dje, kryetarin e Shërbimit Zjarrfikës të Qarkut Tiranë, zotin Shkëlqim Goxhaj.

     – Zoti Goxhaj, tashmë ka një realitet pozitiv në profilin e veprimtarisë së shërbimit tuaj në Qarkun e Tiranës, nga e nisët ndryshimin?

     Në shërbimin tonë, puna nis nga energjia njerëzore. Këtu e nisa reformimin dhe ndryshimin e shërbimit. Pra, e nisa me ekipin e shërbimit zjarrfikës. Konstatova që në ditët e para të marrjes së detyrës si drejtues, se kishte shumë mangësi e paaftësi shërbimesh prej efektivit, por edhe neglizhenca që cenonin jo vetëm rregullsinë e shërbimit, por edhe kryerjen e shërbimit në terren. Nuk kam pse e fsheh, që puna kishte arritur deri aty, sa njerëz e pasuri digjeshin dhe efektivë shërbimi “kriheshin”, duke mos e prishur rehatinë. Kjo tashmë ka marrë fund dhe kemi një gatishmëri të plotë, në çdo kohë, për çdo rast, qoftë edhe kur ndodh diçka që mund të shuhet me kovë uji nga vetë të cenuarit nga zjarri. Ajo që përcaktova si pikënisje kryesore ishte evidentimi i aftësive fizike për çdo efektiv, duke kaluar në test gjithë punonjës e specialistë të çdo sektori. Sepse këtu nis efektiviteti i shërbimit. Nëse nuk ka aftësi fizike, nuk ka kryerje shërbimi efiçent. Në funksion të këtij objektivi primar, krijova mjedise aftësimi fizik, brenda të cilëve kaloj efektivët në trajtim në mënyrë periodike. Gjendemi aktualisht, në një fazë ripërtëritje të efektivit në moshë dhe energji fizike e kualifikime profesionale. Kjo kërkon kohën, praktikat, metodat dhe modelet e veta, të cilat tashmë i kemi gërshetuar me përvoja europiane e po na japin rezultat… Këtij synimi i kam paraprirë me kurset e kualifikimit dhe siç e thashë më lartë, kam organizuar trajnime profesionale duke bashkëpunuar me ekspertë e specialistë të shërbimit të emergjencave.

     – Që të kesh shërbim të suksesshëm, duhet edhe teknikë funksionale, si është gjendja?

     Ka patur probleme të mëdha. Kemi patur mjete e pajisje të vjetëruara. Prej 8 muajsh, kemi bërë rinovimin e tyre. Tashmë kemi jo vetëm ekip të kompletuar në 80% të punonjësve, por edhe teknikë shërbimi me standarde. Unë, si drejtues, kam synuar dhe po veproj fuqishëm, për të arritur perfeksionin në këtë drejtim. Kam arritur të rinovoj me mjete të avancuara afro 70% të makinerive e pajisjeve dhe mjeteve të tjera të shërbimit. Por, që të rinovosh, duhet edhe buxhet. Qeveria na ka venë në dispozicion mundësi financiare, përshtat nevojave emergjente. Jemi në realizim të një projekti të plotë rinovues të krejt teknikës auto dhe të pajisjeve ndihmëse kolektive e ato personale të efektivëve.

     – A i mbulon shërbimi juaj, gjithë nevojat dhe zonat e Qarkut Tiranë?

     Nëse deri 1 vit më parë, ky shërbim kishte zona të pa mbuluara, tashmë ju them, se zonat tona janë të mbuluara. Në çdo qytet e zonë të qarkut Tiranë, ka stacione shërbimi në si në Kombinat, Kamëz, Qyteti Studenti e deri tek hyrja e Tunelit të Elbasanit. Kemi projekt, të shtrihemi edhe në 5 zona të tjera të kryeqytetit, mbasi shtrirja komunitare dhe pasurore është tepër e madhe. Pika e emergjente për t’u kompletuar e krijuar si degë më vete është Vora, po punohet me përparësi për këtë zgjidhje. Po kështu, shërbimi ynë shtrihet në Kavajë e Rrogozhinë, ku mund të them se kemi arritur të kemi një shërbim model në çdo pikëpamje. Kemi ende punë të bërë. Në 1 vit, kemi bërë atë që nuk u bë në 8 vjet, ose më saktë që ishte lënë në mëshirë të fatit për 22 vjet. Shërbimi ynë ka specifika të veçanta. Kjo na bënë të jemi të kujdesshëm e të gatshëm për çdo sinjal që ka nevojë për ne.

     – A ka pika të dobëta, në zona shërbimi?

     Natyrisht që ka, se ndryshe do të bënim një vetë-mburrje e nuk është dinjitoze mbasi komuniteti shikon dhe vlerëson. Problem kemi në disa zona të Tiranës, sidomos në Unaza e Re, për vetë kompleksitetin infrastrukturor e urban që a zona, por edhe për shkak të trafikut të tejngarkuar që ka kjo zonë. Gjithsesi, me profesionalizmin tonë, kemi arritur të përballojmë emergjencat dhe çdo rast tjetër që ndodh. Pika tjetër e dobët e shërbimit tonë, por jo për shkakun tonë janë disa lagje të Tiranës, të cilat kanë krijuar bllokazhe ndërhyrjeje me ndërtime. Kjo, në bashkëpunim me prefekturën dhe pushtetin lokal, po vihet në rrugën e zgjidhjes, duke krijuar porta hyrëse e dalëse të shërbimit tonë, për rastet e aksidenteve e zjarreve. Tjetër shqetësim janë tarracat e pallateve, të cilat janë pa “baxha” daljeje e ajërosëse, për shkak të ndërtuesve por edhe të banorëve të cilët i kanë bllokuar. Po kështu, problem për shërbimin tonë janë bodrumet, të cilat nuk kanë pika ajrimi. Kemi nisur një projekt për të ndryshuar këtë situatë problematike.

     – Ju nuk kryeni vetëm fikje zjarresh, por edhe shpëtime jetësh njerëzore, a janë të përgatitur efektivët tuaj?

     Kjo ka qenë pika më e dobët, e munguar në këtë shërbim. Kur ka zjarre e aksidente, shërbimi ynë ka ndërhyrë, por në shumë raste pa efekt, mbasi punonjësit kanë qenë thjeshtë transportues trupash e jo ndihmues. Prej 8 muajsh kam nisur trajnimin e efektivëve për dhënie të ndihmës së shpejt, duke bashkëpunuar me Kryqin e Kuq. Jemi në vazhdim të këtij trajnimi dhe kemi rezultat.

     – A mendoni se efektivët tuaj janë të gjithë të aftë e të “pastër” si qëndrim?

     Ka ende probleme në këtë drejtim. Ne kemi rinovuar ekipet e shërbimit dhe kemi ndëshkuar deri me largime nga puna abuzuesit. Nuk kam lejuar dhe nuk do të lejoj që në emër të këtij shërbimi të bëhen toleranca dhe abuzime, mbasi shërbimi ynë është mbërritje e jetës dhe pronës.

     Përparim HALILI