Shkarkohen nga puna dy inspektorë të AKU-së

496
Sigal

 

Gazeta Telegraf/


Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka shkarkuar nga detyra dy inspektorët e
Drejtorisë Rajonale të AKU Tiranë, Etrit Berisha dhe Indrit Korbi. Pas ngritjes
së Komisionit të Disiplinës, fillimisht është marrë masa pezullim nga detyra
dhe më pas ky Komision, ka vendosur lirimin nga Shërbimi Civil, për rrjedhojë
pushimin nga puna.

Dy inspektorët janë filmuar teksa bisedonin me një tregtar peshku, të
cilit i kanë marrë 20 mijë lek, për të mos e gjobitur, duke shpërdoruar detyrën
në mënyrë flagrante. Komisioni Disiplinor i ngritur nga Drejtori i Përgjithshëm
i AKU-së, z.Dritan Sejko, vendosi shkarkimi nga detyra dhe lirimin nga Shërbimi
Civil.

 

Të dy ketë inspektorë akuzohen për shkelje të rënda si:

1.Shkelje shumë të rënda ligjore që konsistojnë në, moszbatimi haptazi i
dispozitave ligjore, për përmbushjen e detyrave funskjonale, parashikuar nga
neni 57, pika 2, gërma c, e ligjit 152/2013 “Për Nënpunësit Civili”, i
ndryshuar.

2.Përfitimin në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të të
dhuratave, favoreve, premtimeve ose trajtimeve preferenciale, të cilat jepen
për shkak të detyrës, shkelje të cilat kanë sjellë pasoja shumë të rënda në
uljen e imazhit të institucionit, parashikuar nga neni 57, pika 2, gërma d, e
ligjit 152/2013 “Për Nënpunësit Civili”, i ndryshuar.

3. Shkelja e rregullave të Kodit të Etikës së inspektorit.

 Shkarkimi është bërë pas denoncimit që është bërë në emisionin
“Fiks-Fare”.

 Autoriteti Kombëtar i Ushqimit fton qytetarët dhe mediat të denoncojnë
cdo rast abuzimi me ushqimet, si dhe shkeljet që mund të bëjnë inspektorët.