Shërndahet kësti i 4 për 1200 ish të përndjekur, Veliaj: Mbajmë premtimin

    375
    Sigal

    1200 ish të dënuar politikë që jetojnë kanë marrë sot këstin e 4 të dëmshpërblimit për vitet e burgut gjatë regjimit komunist. Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj shpërndau vërtetimet e pagesës për disa të përndjekur, duke nënvizuar se shuma e plotë e disbursuar për këtë këst shkon në afro 5.8 miliard lekë.

    Veliaj theksoi se brenda muajit prill pritet të nisë shpërndarjen e këstit të pestë, si dhe u bëri thirrje ish të përndjekurve politikë që të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm.

     “Të merresh me politikë do të thotë të zgjidhësh hallet e njerëzve dhe të menaxhosh sa më mirë interesin publik, në mënyrë që Shqipëria të jetojë më mirë dhe jo të merresh me çështje të cilat nuk i shqetësojnë njerëzit. Sot qytetarët nuk i kanë hallet te intrigat dhe telenovelat me video-kaseta, por besoj se e kanë hallin te shtëpia, te shkollat që ndjekin, te puna që zënë apo pensioni që marrin. Ndaj më vjen mirë që sot po japim një përgjigje konkrete”, theksoi Veliaj.

    Ministri theksoi se qeveria ka vendosur të bëjë edhe dëmshpërblimin moral të kësaj shtrese, duke iu referuar procesit të hapjes së dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit. Sipas tij në akriva gjenden mbi 90 për qind e dosjeve të Sigurimit të Shtetit.

    “Ka shumë njerëz që thonë se dosjet nuk duhet të hapen sepse nuk ekzistojnë. E vërteta është se aty gjenden mbi 90 për qind e materialit arkivor gati për t’u hapur. Ndaj besoj se ky duhet të jetë një vit historik”, tha Veliaj.

    Gjatë vitit 2014 janë kryer gjithsej 29 pagesa për rreth 5070 ish të përndjekur përfitues të dëmshpërblimit, ndërkohë që vlera totale e disbursuar arrin në afro 18 miliard lekë.