Shërbimi Universitar i Ortopedi- Traumatologjisë merr emrin “Panajot Boga”

    643
    Sigal

    Shërbimi Universitar i ortopedi-traumatologjisë merr emrin e profesor  Panajot Bogës. Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo ishte i pranishëm në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Spitalit Ushtarak, pranë Shërbimit Universitar të Traumatologji-Ortopedisë. “Është një nder dhe privilegj tejet i madh për mua të jem i pranishëm në dhënien e emrit “Panajot  Boga” për shërbimin e ortopedisë. Profesor Boga, ashtu siç është edhe qytetar nderi për qytetin e Gjirokastrës, është edhe një qytetar nderi në fushën e mjekësisë. Është një ndër të paktët mjekë, që iu dha çmimi i Artë i Republikës për punën e shkëlqyer dhe kontributin e madh, që ka dhënë në mjekësi dhe veçanërisht në fushën e Ortopedisë dhe Traumatologjisë”, u shpreh Ministri i Shëndetësisë, z. Vangjel Tavo.  Gjatë fjalës së Tij, ministri i Shëndetësisë është ndalur në kontributin e profesor Bogës në fushën e traumatologjisë. Një kontribut mbi dyzetë vjeçar, ku ndërthuret eksperienca e mjekut me profesorin në auditorët e Fakultetit të Mjekësisë dhe punonjësit shkencor pranë Qendrës Spitalore Universitare në shërbimin e Traumatologji-Ortopedisë. “Ishte i pari, që solli në vendin tonë metoda dhe teknika kirurgjikale e mjekuese ortopedike bashkëkohore, të cilat nuk ishin të pranishme në Shqipëri. Botimet dhe studimet e profesor Bogës janë të shumta duke shërbyer si literaturë akademike dhe tekste referimi për shkencën e mjekësisë dhe ndihmëse për ortopedët e rinj”, u shpreh ministri Tavo. Profesor Boga është autor i pesë teksteve mësimore, me qindra artikuj shkencorë, referues shkencor në konferenca evropiane mbi ortopedinë, si edhe përpunues i tre teknikave kirurgjikale personale. “Kontributi i profesor Panajot Boga në mjekësinë shqiptare është një inspirim për të gjithë ne, pasi me dedikimin dhe profesionalizmin e tij na ka lënë një shembull për t’u ndjekur”, përfundoi fjalën e tij ministri Tavo. Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, kolegë të vjetër dhe nxënës të Profesor Bogës, kanë ndarë me të pranishmit, momente nga puna në fakultet dhe klinikë.