Shërbimi sekret i Skënderbeut

1260
Kur ishte në Turqi, ai bëri për vete shumë shokë e miq, njerëz besnikë dhe i la në oborrin e Sulltanit, të cilët e informonin rregullisht për të gjitha lëvizjet dhe vendimet që merrte Sulltani Kështu, me gjithë masat e rrepta që merrte Porta e lartë, Skënderbeut nuk i mbeti asgjë e errët dhe e panjohur nga vendimet e Sulltanit. Njerëzit e shërbimit sekret shqiptar dhe njerëzit e besuar që ndihmonin çështjen e Skënderbeut, të cilët ishin të shpërndarë gjithandej, informonin rregullisht për çdo çështje me rëndësi e për çdo plan sekret. Barleti thotë “…Skënderbeu kalonte kohën duke arsyetuar mbi planet e reja të armikut..”

Nga Ergys Alushi
Për figurën, luftërat dhe kontributin e Skënderbeut në historinë e Shqipërisë dhe si një mbrojtës i Krishterimit, është shkruar shumë nga autor shqiptarë e të huaj.

Por, është folur shumë pak për një aspekt shumë të rëndësishëm që e kanë ndihmuar Skënderbeun në fitoret e shumë betejave. Fjala është për shërbimin sekret.

“Skënderbeu ishte informuar hollësisht për numrin dhe cilësitë e ushtrisë turke “ – shkruan Fan Noli – një nga kujdesjet e tij kryesore, që kur ngriti krye, ishte të formonte një zyrë për informata ushtarake. Agjentë të kësaj zyre kishte në të gjitha kyçet, nga Edreneja gjer në Shqipëri”

Për Skënderbeun ishte shumë e rëndësishme njohja e armikut, si një domosdoshmëri pa të cilin nuk mund të realizoheshin mirë detyrat e mbrojtjes, qetësia në vend, asgjësimi i kundërshtarëve dhe arritja e fitores me sa më pak humbje në njerëz. Prandaj ai porosiste “Armikut nuk duhet zënë besë, sado i mirë të shitet. Armiku as nuk duhet përbuzur, sado i dobët të jetë, sepse armiku u përbuzur e ka vënë në dyshim fitoren”

Krijimi i shërbimit sekret, nisi që më kthimin e tij në Shqipëri. Sapo u kthye në vendin e tij ende pa filluar kryengritjen, Skënderbeu u përgatit dhe krijoi kushte për betejën e madhe. Kur ishte në Turqi, ai bëri për vete shumë shokë e miq, njerëz besnikë dhe i la në oborrin e Sulltanit, të cilët e informonin rregullisht për të gjitha lëvizjet dhe vendimet që merrte Sulltani. Me fillimin e kryengritjes së madhe, realizoi dhe ngritjen e funksionimin e shërbimit sekret, i cili nga dita në ditë, nga beteja në betejë, nga vështirësia në vështirësi. Shumë shpejt, shërbimi sekret u perfeksionua dhe u ngrit në sistem, duke qenë një armë e fortë në pushtetin e Skënderbeut. Ai njihte mirë dredhitë otomane, ndaj edhe porosiste “Zor të gjeni një popull që të jetë përmbysur prej turkut me një mënyrë tjetër, veç me dhelpëri e me kurthe, ose me anë të besimit të tepruar dhe të grindjeve të brendshme”

Nga ana tjetër Sulltani kishte vendosur një regjim të fortë për ruajtjen e çdo sekreti, që ruhej me shumë fanatizëm dhe për të cilin kishte dijeni vetëm një grup i vogël njerëzish, ata më të besuarit përreth Sulltanit. Të nxirrje sekretin e Sulltanit, ishte njëlloj sit ë nënshkruaje me duart e tua dënimin me vdekje dhe këtë e dinin mirë të gjithë ata që ishin ngarkuar për ruajtjen e sekretit.

Por, me gjithë masat e rrepta, Skënderbeut nuk i mbeti asgjë e errët dhe e panjohur nga vendimet e Sulltanit. Shërbimi sekret i Skënderbeut ishte i përsosur si nga forma dhe nga përmbajtja, nga shkalla e efikasitetit dhe shpejtësia e veprimit. Ai ka pasur karakter masiv, të mbështetur fort në popull, në masën e popullit, në shtetas të huaj që ndihmonin çështjen shqiptare. Dhe në fushën e informacionit, Skënderbeu si organizator udhëheqës dhe punonjës praktik eci shumë më përpara se bashkëkohësit e tij, mbretër dhe udhëheqës ushtarak të vendeve të Lindjes dhe Perëndimit. Veç kategorive që kryenin shërbimin sekret dhe gjurmonin armikun në çdo kënd, Skënderbeu kishte dhe burime të shumta, me ndihmën e të cilëve siguronte një informacion të gjerë dhe të sigurt. Njerëzit e shërbimit sekret shqiptar dhe njerëzit e besuar që ndihmonin çështjen e Skënderbeut, që ishin të shpërndarë gjithandej, informonin rregullisht për çdo çështje me rëndësi për çdo plan sekret. Të dhënat i transmetonin me shpejtësi, gjë që i jepnin mundësi komandës shqiptare të merrte masa në kohën e duhur, të përgatiste dhe të godiste atje ku duhej, gjithmonë me sukses. 

Kronisti turk Torsuni, duke bërë fjalë për fushatat e vitit 1466, midis të tjerave shkruan “…çdo luftëra ngjeshi shpatën duke thënë se do të nisej të luftojë kundër shqiptarëve. ..Në fushën e Manastirit u bë grumbullimi i gjithë ushtarëve…Lajmi që mbahej në fshehtësi arriti në veshin e shqiptarëve menjëherë…ata zunë shtigjet e maleve e të luginave të rrezikshme, ku ishin kullat e tyre dhe bënë ç’është e mundur për të rezistuar…”

Ndërsa Barleti shkruan “Rojet tona kapën disa të arratisur dhe i vranë, duke i marrë për zbulues. Njëri rastësisht shpëtoi dhe shkoi te Kastrioti. Prej këtij ai mësoi shumë gjëra. i arratisuri i tregoi Skënderbeut se komanda turke ishte e bindur plotësisht se forcat shqiptare ishin shpartalluar dhe kishin marrë arratinë prej frikës së madhe që kishte shkaktuar ushtria turke”

Manovra e Skënderbeut e bëri efektin. Forcat turke duke humbur vigjilencën u shpërndanë dhe u ndodhën papritur nën goditjen e fuqishme të ushtrisë shqiptare, e cila në këtë rast shkatërroi ushtrinë turke të përbërë nga afro 70 mijë ushtarë. Ballaban Pasha duke korrur disa fitore të pjesshme u përgatit për të katërtën herë për të ardhur në Shqipëri. Në këtë rast planin e kishte përpunuar me kujdes. Ushtrinë prej 40 mijë vetësh e ndau në dy pjesë. Në krye të 24 mijë ushtarëve do të hynte në Shqipëri nga ana e lindjes, ndërsa pjesa tjetër, nën drejtimin e Jakup Arnautit, e përbërë nga 16 mijë vetë, do të vepronte nga ana e jugut. Plani i Ballabanit synonte që ta vendoste Skënderbeun midis dy zjarreve dhe me një bashkëpunim midis këtyre dy ushtrive do ta asgjësonte plotësisht Skënderbeun. Këtë plan Skënderbeu e mori vesh menjëherë me anën e letrave që i dërguan miqtë dhe lajmëtarët. Duke ditur këto, Skënderbeu bëri përgatitjet e nevojshme dhe doli menjëherë për të pritur forcat që udhëhiqte Ballabani. Brenda një kohe të shkurtër theu ushtrinë e Ballabanit, e me shpejtësi iu vërsul pjesës tjetër. Kështu Skënderbeu siguroi fitoren mbi një ushtri 3 herë më të madhe se ushtria e tij. Skënderbeu luftonte në të dy krahët, kundër turqve, me të cilët ishte në luftë të hapët, ashtu dhe kundër Venedikut, me të cilin ndodhej në luftë të padeklaruar. Venediku vepronte në heshtje kundër Shqipërisë, dhe këtë e dinte mirë Skënderbeu, prandaj qëndronte vigjilent ndaj çdo veprimi të kësaj Republike e pazonja në fushën e betejës, por e aftë për komplote dhe për intriga.

Barleti thotë “…Skënderbeu kalonte kohën duke arsyetuar mbi planet e reja të armikut…vizitat që i bënte rojes dibrane dhe rojes së zbulonjsve të zakonshëm, me anë të të cilëve përgatitej për rreziqet që ishin të shpeshta sepse ai kërkonte që të mos ulej vigjilenca”

Krahas kësaj dërgoheshin në thellësi të tokës armike shumë vrojtues që hetonin, të zbulonin planet e armikut të gjurmonin kudo me saktësi. Informatat e mbledhura nga hetuesit ishin baza kryesore e vlerësimit, saktësisë dhe vërtetësisë së të gjithë informacionit të ardhur nga burimet e tjera. Zbulonin të dhëna të ardhura me karakter dizinformativ të përhapura nga vet armiku. Gjithashtu kryenin detyrat më të vështira në prag, gjatë dhe pas betejës. Zbulonin taktikën, manovrat, pritat e pusitë e armikut gjatë betejave. 

Skënderbeu në prag të një beteje me Ballaban Pashën u thotë ushtarëve “ Bashkëluftëtarë! Unë kam të dhëna të sigurta se armiku sot ka për qëllim që të na provokojë me betejë. Por para se ata të vijnë, ne le të zëmë kodrën që kemi përballë, se kështu do të jemi të sigurt…Ruhuni, ruhuni nga armiku për shkak të goditjeve tona do të marrë arratinë dhe ju do t’i ndiqni, të mos futeni në asnjë mënyrë në ato gryka dhe biga të Vajkalit, mos bëni tutje këmbët se atje janë ngritur pritat e barbarit. Unë e di mendjen dhe dredhitë e barbarit, manovrat me të cilat merret kjo racë njerëzish. Grykat janë plot me prita…”

Është karakteristikë se njerëzit vigjilentë të Skënderbeut nuk zbulonin dhe grumbullonin informata vetëm për vetëm për ato çështje që tregonin forcën dhe planet djallëzore të armikut, por zbulonin edhe pikat më të dobëta dhe gabimet e kundërshtarit. Për 25 vjet me radhë Skënderbeu diti të shfrytëzonte me kujdes dhe mençuri të gjitha informacionet që i vinin nga Brenda oborrit të Sulltani për t’i vendosur në shërbim të mbrojtjes së Shqipërisë dhe më gjerë sesa kaq, duke u kthyer në një hero të krishterimit.
Sigal