Shërbimet shëndetësore, përparësi profilaktike në shtet dhe jo t’i “dhurohen” privatit

    427
    Sigal

    Flet prof. dr. Flamur Tartari: Burokracia e ISKSH-së për disa nga barnat e rimbursueshme

    “Shërbimet shëndetësore duhet të jenë përparësi profilaktike në shtet dhe jo t’i “dhurohen” privatit, nëpërmjet koncesioneve”, shprehet në intervistën për “Telegraf” prof. dr. Flamur Tartari. Sipas tij, shteti ynë duhet të forcojë spitalin shtetëror, ashtu siç ndodh në të gjithë botën dhe jo të mëkojë me para spitalet private. Nga ana tjetër, ai qorton burokracinë e ISKSH-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, që detyron qindra të sëmurë me prostat të udhëtojnë drejt Tiranës për të marrë 30 tableta “Avodart”, medikament që shërben për trajtimin e kësaj sëmundje dhe që ata nuk e marrin dot në rrethet e tyre. Dr. Flamuri, koherent në ngjarjet që ai trajton, nuk lë pa përmendur specializimet e mjekësisë. Ai kërkon zbatimin e ligjit për specializmet dhe të mos jepet asnjë specializim nëse mjekët e porsadiplomuar nuk kryejnë 3-5 vjet praktikë në rrethet e tyre nga vijnë. Për të, moszbatimi i këtij ligji, ka sjellë edhe mungesën e mjekëve specialistë nëpër rrethe. Dr. Flamuri kërkon nga shteti, i cili e ka për detyrë që këta djem dhe vajza të mrekullueshëm, studentë të mjekësisë, t’i specializojmë, t’i zhvillojmë, t’i përgatisim, edhe këtu, edhe jashtë shtetit, por për t’i pasur në vendin tonë që ata të japin kontributin e tyre këtu. “Kështu do të kemi vazhdimësi brez pas brezi të mjekësisë sonë”, thotë prof. Tartari.

      Cilat janë problematikat që shqetësojnë shëndetësinë sot?

     Unë kam shumë probleme për të thënë: Përvoja ime personale, duke iu referuar edhe të dhënave të fundit shkencore dhe kontaktet me mjekë të Europës dhe botës flet për një ecuri të mirëfilltë shkencore por çalon në drejtim të shërbimit shëndetësor, investimeve që duhen bërë, sepse në spitalet publike nuk ka teknologji të avancuar si në spitalet private në vend, si për diagnostikimin edhe për mjekimin. Por populli ynë nuk është në gjendje t’i përballojë ekonomikisht shpenzimet e një spitali privat. Prandaj, unë këtu ngul këmbë që shteti ynë të forcojë dhe t’i japë prioritet spitaleve publike dhe, jo privatit. Në mendimin tim, do të ishte mirë që ato para, të cilat po i “falen” privatit, duke i dhënë me koncesion shërbime të caktuara shëndetësore, të përdoreshin për të forcuar spitalet shtetërore në shumë disiplina, duke investuar në teknologjinë mjekësore ( që të mos kemi radhë të gjata të sëmurësh), sepse burimet njerëzore nuk na mungojnë. Kemi mjekë dhe infermierë shumë të aftë. Transplantet e veshkave, mëlçisë, palcës, (godina ekziston në urgjencën e re të QSUT-së që kanë ngelur vetëm në letër se për çfarë do funksionojnë etj etj) dializat për të sëmurët, shërbimi i check up-it për moshat 40-65 vjeç duhej të ngeleshin përparësi profilaktike në shtet dhe jo t’i dhuroheshin privatit. Me ato para, dalëngadalë do të zhvillohej teknologjia mjekësore bashkëkohore dhe do të rritej shërbimi në dobi të shëndetit të popullit tonë. Një tjetër problematikë, në drejtim të shërbimit të popullit, sidomos për moshën e tretë, e cila ka shumë nevojë janë ilaçet e rimbursuara për të sëmurët në urologji. Shumë mirë ka vepruar ministri i Shëndetësisë, në bashkëpunim me ISKSH të cilët futën te lista e rimbursimeve edhe medikamentin “Avodart”, i cili është i domosdoshëm për të sëmurët me prostatë. Ardhja e këtij medikamenti ishte insistimi i Shoqatës së Urologjisë dhe i Shërbimit të urologjisë në QSUT për ti shërbyer sa më mirë të sëmurëve me këtë sëmundje. Kohët e fundit mjekët urologë të rretheve Tiranë, Elbasan Durrës, Korçë Fier Shkodër paraqitën në Tiranë dhe në Kongresin Europian një kumtesë për efektivitetin dhe rezultatet pozitive të përdorimit të këtij medikamenti në të sëmurët ambulatorë në rrethet e tyre, (A duhen testuar këta mjekë që paraqitën me dinjitet këtë punim shkencor nga Shqipëria?). Për marrjen e këtij medikamenti pacientët, të cilëve u jepet receta nga mjekët specialistë të rretheve me firmën e tyre, nuk e marrin dot atje, por duhet të vijnë në Tiranë të marrin një firmë tjetër. (Imagjino që pacientët të vijnë nga Kukësi, Gjirokastra, Saranda, Tropoja për të marrë 30 tableta “Avodart”.) Shteti u ka besuar këtyre mjekëve në rrethe, jetën e të sëmurit dhe nuk i besojnë 30 tableta Avodart? A është ky shërbim ndaj të sëmurit?

     Po pse ndodh kjo?

    Kjo është një burokraci e vendosur nga ISKSH dhe Ministria e Shëndetësisë, që, për mendimin tim, është e rregullueshme, gjithmonë në dobi të pacientit. Kjo mund të ndodhë edhe për shumë medikamente të tjerë, jo të specialitetit tim, por unë doja të ngrija shqetësimin e pacientëve që paraqiten tek ne me shumë shpenzime dhe ankesa. Nëse buxheti i shtetit nuk e përballon dot këtë medikament apo të tjera, më mirë të mos i fusin fare te lista e rimbursimit, duke u ngritur mendjen qytetarëve, të cilët kërkojnë të mjekohen sa më mirë. Ndërkohë, shtete fqinjë kanë kohë që i kanë futur këtë medikament të rimbursuar dhe teknologjinë mjekësore në spitalet publike vazhdojnë ta kenë të zhvilluar.

     Profesor, ç’mund të më thoni për specializimet?

    Një ish studentja ime nga Kukësi që ka mbaruar para një viti e gjysmë dhe, kur mbaroi studimet më kërkoi ndihmë për t’u punësuar në Tiranë. “Në asnjë mënyrë, shko e fillo punë në Kukës pranë familjes, se do të përfitosh më shumë” e këshillova unë. Para disa ditësh më vjen dhe më falënderon duke më thënë: Profesor, nuk do ta harroj kurrë këshillën që më dhe, sepse duke punuar në spitalin rajonal të Kukësit gjatë këtij viti kam përfituar aq shumë duke ndenjur me mjekët në urgjencë dhe në pavion, sa nuk do kisha përfituar po të qëndroja këtu” duke nënkuptuar një punë jo të profesionit të saj. Ligji ekziston për rregullimin dhe sistemimin e mjekëve të rinj të porsadiplomuar, por vetë shteti lë shtigje që të mos zbatohet ky ligj. Ligji duhet zbatuar dhe është shumë i drejtë. Pasi mbaron shkollën, studenti i mjekësisë minimumi të bëjë një herë stazhin 1-2 vjet dhe më pas të punojë 3-5 vjet në qytetet nga vijnë dhe jo të rrinë të gjithë në Tiranë duke paguar detyrimin, që për mua nuk është fare i drejtë. Sepse Tirana është bërë mizëri mjekësh dhe infermierësh, me punë e pa punë, ndërsa qytetet e tjera janë bosh me mjekë.

     Ku nuk ka mjekë specialistë, ku mungojnë?

    Në Veri, për shembull, praktikisht; në Përmet, Skrapar, Sarandë dhe Tropojë etj., s’kanë mjekë të rinj gjinekolog dhe puna bëhet nga mjekët e vjetër që punojnë me sforco. Madje, kam dëgjuar në një intervistë në një nga mediat vizive, nga drejtori i spitalit të Kavajës, një spital modern, se nuk ka mjekë të specialiteteve të ndryshme. Dhe ata që janë, shkojnë e punojnë në spitalin e Durrësit, apo në spitale apo klinika private. Këto duhet të kontrollojë Ministria e Shëndetësisë dhe organet përkatëse shëndetësore. E përsëris dhe një herë, mjekun dhe infermierin i teston koha dhe populli, nëpërmjet punës së tyre të përditshme. Mjekët i teston populli dhe i ndan në mjekë të mirë dhe mjekë të paaftë. Por përsëris, duhet zhdukur militantizmi, se në shumë spitale të Shqipërisë mbizotëron punësimi militant dhe jo meritokracia, sa herë kemi zgjedhje në Shqipëri. Duke iu rikthyer specializimeve, mendoj që mjekët e rinj, pa kaluar 3-5 vjet praktikë në rrethet e tyre, nuk duhet të marrin specializime. Nëse media bën një investigim në këtë drejtim, do dalë në përfundimin se ka shumë nga këta specializantë që nuk kanë bërë praktikë. Kjo është e gabuar, se po i kthejmë mjekët në teorikë. Mjekësia mësohet duke punuar dhe studiuar njëkohësisht. Praktikisht, kemi 30 vjet që s’kemi kufoma dhe studentët e mjekësisë nuk mësojnë anatominë normale të njeriut. Madje dhe në specializimet e mjekëve për anatomi patologjike, ka mjekë shumë të zotë teorikisht, praktikisht në mikroskop, vendosin diagnoza të sakta, kanë bërë dhe studime, por nuk dinë të bëjnë autopsi. Duhet rregulluar ligji që të përfitojë mjeku, familja dhe mjekësia.

     Profesor, shoh një lloj tendence të mjekëve dhe infermierëve për të ikur nga Shqipëria?

    Është e drejtë, sepse brezi i ri po humb besimin te organet shtetërore, në drejtim të punësimit dhe specializimit të tyre. Dhe kanë të drejtë që të ikin, pasi mund të përfitojnë shumë edhe nga ana ekonomike, por edhe nga ajo e specialitetit, pasi andej ligjet dhe rregullat janë të zbatueshme dhe inteligjenca e mjekëve dhe infermierëve tanë të rinj nuk mungon. Kam dëgjuar këto ditë që Gjermania kërkon kontingjent mjekësor. Në demokraci njeriu ka të drejtë të lëvizë gjithandej, por shteti ynë e ka për detyrë që këta djem dhe vajza të mrekullueshëm, që ne kemi, t’i specializojmë, t’i zhvillojmë, t’i përgatisim, edhe këtu, edhe jashtë shtetit, por për t’i pasur në vendin tonë dhe të japin kontributin e tyre këtu. Kështu do të kemi vazhdimësi brez pas brezi të mjekësisë sonë që e kemi si trashëgim edhe nga historia e mjekësisë sonë, ku mjekët tanë të shquar, me gjithë ofertat që kanë pasur, nuk kanë ndenjur në vende ku kanë studiuar, por janë kthyer në shërbim të vendit të tyre në kushte shumë të këqija. (shembujt janë të shumtë). Sepse shumë rrethe në Shqipëri janë të pambuluar me mjekë. Këto arrihen duke u krijuar kushte dhe një pagesë të mirë.

     Ledjana Saliu