Shëndetësia “Beqaj”/ 80% e urgjencave janë kthyer në “dhoma dezhurni” për mjekët

    496
    Sigal

    Urgjenca mjekësore mungon në 107 komuna. Në 19 rrethe dhe 131 komuna, ka urgjenca me 10-15% mjekë, ilaçe, pajisje në 24 qytete

    Ndoshta, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj i duhet kryeministrit Edi Rama në atë kolltuk, për “zgjidhje” që mund të kenë lidhje me ato punët e llojit “Tenderë-licenca-ilaçe-emërime klienteliste”, të cilat ministri në fjalë, ose “Usta Beqaj” siç i thonë në ministri, në spitale dhe në kupolën e PS, i ka bërë me “qetësi e mirëkuptim” edhe në 8 vitet e pushtetit “Berisha”. Por pavarësisht “dekoratave” gojore, që kryeministri Rama vazhdon e lëshon për “sukseset rilindëse” të ministrit Beqaj në shëndetësi, gjendja faktike në mjekësinë shqiptare është alarmante dhe tregon se ky ministër me profil “pazarxhiu, ciniku, dështaku e megalomani”, nuk ka as aftësinë, as synimin, as përgjegjësinë minimale të bëjë punët që i duhen shëndetësisë së dërrmuar e të korruptuar shqiptare. Prej 17 muajsh në atë post që lidhet me shëndetin dhe jetën e njerëzve, realiteti po provon përditë se ky ministër “kokosh e kodosh” po e shkatërron deri në “kockë” shërbimin mjekësor shqiptar, madje duke e ulur edhe nën nivelin e sistemit shëndetësor shqiptar të vitit 2008, të reformuar prej ish-ministrit Nard Ndoka. Realiteti në shërbimin shëndetësor dhe në vlerësimet e specialistëve të këtij sektori, provojnë e konfirmojnë, se ky ministër nuk i duhej dhe nuk i duhet asnjë sekondë më tej shëndetësisë shqiptare… as si “roje porte” në ambulancën e Martaneshit, mbasi edhe atë, do ta tundte sipas stilit të vet e do ta shkatërronte. Nuk e kemi fjalën për shpikjet anormale të ministrit që po bën me provime e testime, as për ekskursionet anti-duhan që bën çdo fundjavë me ca drejtorë e shefa mjekësie, “klientë” të tij, nëpër zona ku ka resorte luksoze e qejfi, as për ecjen e tij model “sfiluesi”. Mes shumë “plagëve” që ka sistemi shëndetësor shqiptar, të mbartura e të shtuara prej “shkencëtarit” Beqaj, problem që po vazhdon të shqetësojë ekstremisht shqiptarët është edhe shërbimi urgjencës.

    Urgjencë… për të ndryshuar shërbimin e urgjencës

    Fjalën e kemi për gjendjen katastrofike në shërbimin e urgjencës spitalore e ambulatore, në çdo “kapilar” të saj në krejt vendin. Mjafton të vëzhgosh gjendjen e këtij shërbimi urgjence në Tiranë dhe kupton se çfarë bëhet “në zona” e qytete, të cilat ministri Beqaj nuk u di as emrin. Kujtojmë që në platformën “rilindëse” të mjekësisë, “sektori emergjent” për ndryshim është shërbimi i urgjencës spitalore, ambulatore, klinikore dhe vendosja e këtij shërbimi deri në skajin më të largët ku banon qoftë edhe 1 person. A ka shërbim urgjence në zonë të banuar? A ka shërbim urgjence të kompletuar me mjedise, pajisje, barna e mjekë specialistë? Çfarë ndodh në shërbimet e urgjencës dhe me shërbimet e urgjencës? Po ndalemi tek një problematikë e shërbimit të urgjencës. Në Shqipëri është ende në fuqi një vendim qeverie që përcakton se çfarë shërbimesh në personel, pajisje e barna duhet të afrojë shërbimi i urgjencës në 24 orë, në çdo qytet e komunë të vendit. Sa për kujtesë të ministrit Beqaj dhe kryeministrit Rama që “i kreh bishtin” për “arritje moderne në shëndetësi”, në zonat rurale nuk ka as mjekë e jo më urgjenca e spitale, por edhe në komunat pranë qyteteve, ka vetëm nga 1 mjek e nga 1 infermier, që si qendër shëndetësore kanë nga një “kolibe” 3×3 metër katrorë, pa asnjë pajisje. Ato totalisht pa medikamente, të cilat mjekët dhe infermierët, në vend që t’i marrin si furnizim të detyrueshëm nga farmacitë, ose depot e qendrave të barnave të spitaleve e drejtorive të Shëndetit Publik, i blejnë në farmaci private me lekët e pacientëve! Sot po flasim për urgjencat në qytete, të cilat edhe pse ekzistojnë si objekte, nuk “ekzistojnë” si shërbime” siç e parashikon ligji për shërbimin mbi urgjencat. Çfarë ndodh në shërbimin e urgjencave? Është ende në fuqi VKM-ja Nr. 237, datë 06. 03. 2009 “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, mbështetur konkretisht dhe i detajuar si shërbim specifik i veçantë me Ligjin Nr. 147/2014, datë 30. 10. 2014 “Për Shërbimin e Urgjencës Mjekësore në Republikën e Shqipërisë”. Ky vendim qeverie, përcakton në mënyrë të detajuar se sa e madhe duhet të jetë hapësira mjedisore fizike e shërbimit të urgjencës. Se sa dhoma shërbimi duhet të ketë dhe cilat duhet të jenë këto dhoma. Se çfarë pajisjesh dhe medikamentesh mjekësore duhet të ketë çdo dhomë dhe çdo shtrat urgjence. Se cilat lloje medikamentesh e pajisjesh duhet të ketë shërbimi urgjencës dhe në çfarë sasie konstante duhet të jenë ato edhe pas konsumimit të tyre. Se sa lloje auto-ambulancash tip “dhoma urgjence” duhet të ketë çdo shërbim urgjence spitalore, ose klinikore, ambulatore e zonale. Kujtojmë që, sipas Ligjit Nr. 147/2014, datë 30. 10. 2014 “Për Shërbimin e Urgjencës Mjekësore në Republikën e Shqipërisë”, shërbimi urgjencës bëhet nga këto kategori shërbimi mjekësor:

    – Nga shërbimi mjekësor parësor

    – Nga shërbimi spitalor

    – Nga shërbimi Spitalor Universitar

    – Nga Spitali Universitar i Traumës

    – Nga gjithë shërbimet mjekësore private.

    Shërbimi i urgjencës “menaxhohet” dhe “komandohet” nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM), e cila është institucioni përgjegjës për zhvillimin e sistemit të shërbimit të urgjencës mjekësore nëpërmjet planifikimit, drejtimit, pjesëmarrjes dhe bashkërendimit të të gjitha aseteve ekzistuese në një sistem mbarështetëror të unifikuar, si dhe bashkërendimin e veprimtarisë me sistemet e ngjashme në vendet fqinje. Po a e kryen detyrën ky institucion? Çfarë parashikon ligji dhe vendimet e qeverisë për urgjencat? Si është gjendja konkrete në shërbimet e urgjencës për pajisjen me ilaçet dhe pajisjet e shërbimit. A janë të pajisura urgjencat me personel të plotë e të kualifikuar mjekësor siç e përcakton ligji? Cili është niveli i gatishmërisë së urgjencës në terren dhe i shërbimit në qendrat e pritjes? Cila është gatishmëria e auto-ambulancave dhe pajisja e tyre me pajisjet e shërbimit? Po flasim konkretisht, duke ballafaquar detyrimin ligjor dhe realitetin faktik që ekziston në shërbimin e urgjencës shqiptare…

    Vëzhgimi/ Në 107 komuna mungon urgjenca, në 24 qytete, 19 rrethe dhe 131 komuna me 10-15% ilaçe e pajisje…

     

    Nuk po e shpikim dhe nuk po e themi ne, por e përcakton qeveria që 6 vite më parë, me VKM Nr. 237, datë 06. 03. 2009, se me çfarë orendie, pajisjesh, automjetesh, ilaçesh e materialesh ndihmëse, duhet të jenë të pajisura stacionet e shërbimit të urgjencave mjekësore. Në vendimin e qeverisë përcaktohet dhe publikohet lista e këtyre pajisjeve e medikamenteve dhe sasi e tyre, që duhet të jenë gati, për të përballuar shpejt, saktë dhe plotësisht shërbimin për çdo rast urgjence që dërgon “sinjal”, ose  që “troket” për ndihmë mjekësore në çdo kohë. Nëpërmjet gazetarëve të saj, gazeta “Telegraf” bëri një vëzhgim në urgjencat e disa qyteteve e rretheve të 12 qarqeve Tiranë, Vlorë, Fier, Shkodër, Durrës, Korçë, Peshkopi, Gjirokastrës, Kukës, Elbasan dhe Lezhë, ku konstatoi mungesën e plotë të urgjencave edhe si ndërtesa në zonat komunale dhe primitivizmin, mungesën e gatishmërisë, të mjekëve specialistë, të autoambulancave, mungesën e ilaçeve dhe pajisjeve në stacionet e shërbimit të urgjencave. Bilanci i dalë prej vëzhgimit tonë është ky: Urgjenca mjekësore mungon në 107 komuna dhe ekziston urgjenca me 10-15% mjekë, ilaçe, pajisje në 24 qytete, 19 rrethe dhe 131 komuna. Në disa komuna e qytete, urgjenca ekzistonte vetëm si “dhomë” me një karrige, një krevat, një tenxhere ujë mbi një rezistencë që nuk ngrohte mbasi nuk kishte energji elektrike dhe me 1 mjek, 1 infermiere dhe 1 auto-ambulancë “rrangallë” që nuk lëvizte nga vendi, mbasi nuk kishte karburant të planifikuar e që në shumë raste i hidhnin nga 1 “pagure” naftë hallexhinjtë që i drejtoheshin për raste urgjencash! Skandali qëndron në realitetin e turpshëm e problematik, që në shumë stacione urgjencash, qytetesh e zona, “raftet” e ilaçeve nuk kishin as ilaçet dhe mjetet e punës më minimale, me gjendje e shërbim tamam si 70 e kusur vite më parë, në ish-spitalet partizane që ngriheshin nëpër shpella e stane. Madje, konstatuam që në Fier, Korçë, Elbasan, Gjirokastër, Vlorë, Peshkopi e Kukës kishte edhe stacione shërbimi urgjence pa aparate për matje tensioni e deri pa kapëse, pa gjilpëra, pa penj, pa dezinfektantë e pa fasha për qepje dhe fashim plagësh, ndërkohë që mjekët e infermierët e zënë në “turp”, qeshnim me siklet kur u lexonim vendimin e qeverisë për shërbimin e urgjencës, sipas të cilit, përveç mjedisit komod e të kompletuar me shtretër, ata duhet të kishin në dispozicion për të kryer shërbimet edhe nga një termometër e aparat për matje tensioni për çdo shtrat, kompjuter, Tele&Fax, aparate portative për EKG, llamba scialitike, frigorifer për medikamentet, glukozmetër portativ, aparat analizues i gazit në gjak, flakonë gjaku, kompjuter, pompë për frymëmarrje, bombël oksigjeni, barelë, allçi, shina allçie, manikota qaforeje, ventilator automatik, set pajisjesh kardiovaskulare etj., etj., siç e përcakton VKM, Nr. 237, datë 06. 03. 2009, për kompletimin e këtij shërbimi.

    ————————–

    Ballafaqimi “ligj-fakt” për shërbimin në Urgjencë, sipas Ligjit Nr. 147/2014, datë 30. 10. 2014

     JA ÇFARË THOTË LIGJI: Shërbimi i urgjencës mjekësore financohet nga Buxheti i Shtetit dhe nga burime të tjera në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    JA REALITETI: Financohet vetëm 25% e nevojave të këtij shërbimi, në zonat rurale financohet vetëm 5%

    JA ÇFARË THOTË LIGJI: Mjeku i urgjencës duhet të jetë “Specialist Mjek Urgjence” dhe në mungesë të tyre një mjek i përgjithshëm, i cili ka kryer program specializimi apo trajnimi në urgjencën mjekësore ose kirurgjikale, mjekësinë interne, kardiologji, anestezi-reanimacion, pneumologji.

    JA REALITETI: Vetëm në 30% të këtij shërbimi në qytete, mjekët e urgjencës janë specialistë, ndërsa në fshatra nuk ka asnjë mjek urgjence specialist.

    JA ÇFARË THOTË LIGJI:  Shërbimi i urgjencës duhet të ketë një punonjës “Paramedikal”, profesionist shëndetësor, i cili duhet të jetë i pranishëm në çdo auto-ambulancë ose mjedis tjetër të shërbimit të urgjencës mjekësore dhe ka për detyrë të shpëtojë jetë njerëzore në situata të urgjencës mjekësore, të shkaktuar nga sëmundje ose nga lëndime/trauma që ndodhin në mjedise jashtë spitalore.

    JA REALITETI: Specialisti mjekësor “Paramedikal” nuk ekziston në asnjë qendër të shërbimit të urgjencës, ndërsa detyrën e tij e kryejnë mjekët e urgjencës

    JA ÇFARË THOTË LIGJI: Pas mbërritjes në shërbimin e urgjencës spitalore, pacientit i duhet përcaktuar shkalla e përparësisë brenda 15 minutave, si kohë maksimale për t’u vlerësuar nga mjeku i shërbimit

    JA REALITETI: Paçka se e detyron ligji, ende nuk është konstatuar një “rekord” i tillë kohor në shërbimin e urgjencës në Shqipëri, madje për 15 minuta nuk çohet as mjeku nga tavolina për të parë pacientin e urgjencës.

    JA ÇFARË THOTË LIGJI: Urgjenca mjekësore, në çdo “stacion” të saj që ekziston, duhet të jetë e pajisur me 1 mjek psikolog, për 24 orë shërbim pa ndërprerje.

    JA REALITETI: Mjekët psikologë nuk ekzistojnë në asnjë “stacion”, nivel dhe kategori të shërbimeve të urgjencës.

    JA ÇFARË THOTË LIGJI: Gjatë  24 orëve, në çdo “stacion” të shërbimit të urgjencës, duhet të jenë minimalisht në shërbim 2 mjekë, 6 infermierë dhe 3 persona të personelit ndihmës për auto-ambulancat. 

    JA REALITETI: Përveç urgjencës në QSUT dhe në Qendrën Spitalore të Traumës, në 80% të stacioneve të shërbimit të urgjencave në Tiranë, zona, qytete, rrethe e prefektura ka nga 1 mjek, 1 infermier dhe 1 shofer auto-ambulance.

    JA ÇFARË THOTË LIGJI: Shërbimi i urgjencës në qendrat mjekësore private, detyrohet të pranojë pa asnjë vonesë dhe pa asnjë pagesë financiare rastet e urgjencave që paraqiten për ndihmë mjekësore, duke bashkëpunuar për shpenzimet e shërbimit, me institucionet mjekësore shtetërore, të ngarkuara me ligj.

    JA REALITETI: Në qendrat mjekësore private që zhvillojnë aktivitet në Shqipëri, nuk të pranojnë për shërbim urgjence pa paguar fillimisht “faturën” paraprake financiare të pranimit në urgjencë.

    ————————————-

     

    Ja 87 barnat që duhet të ketë Urgjenca, sipas VKM, Nr. 237, datë 06. 03. 2009

     Çdo stacion urgjence në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas VKM, Nr. 237, datë 06. 03. 2009, duhet të ketë një “listë” ilaçesh të parashikuara prej ekspertëve të mjekësisë, me synimin për të përballuar efektshëm çdo rast urgjence që paraqitet pranë tyre. Sipas vendimit të qeverisë, shërbimi i urgjencës duhet të jetë i pajisur me 87 lloje ilaçesh që përcaktohen si domosdoshmëri, për të kryer shërbimin e kërkuar paraprak ndaj njerëzve që kanë nevojë mjekësore emergjente. Në VKM, Nr. 237, datë 06. 03. 2009, përveç listës së ilaçeve, përcaktohet edhe sasia e tyre, që duhet të jetë prezente në çdo moment, duke u plotësuar (zëvendësuar) në çdo 12 orë, pas çdo konsumi që bëhet. Nga vëzhgimet e kryera, rezulton se në shërbimet e urgjencave nuk janë prezent as 30% e këtyre ilaçeve si “listë” dhe as 50% si sasia e atyre që janë. Si veprohet? Mjekët e urgjencës kërkojnë furnizim me ilaçe, ministria “Beqaj” i shpërfill, ndërsa pacientët i blejnë privatisht. Pa bërë komente, po publikojmë listën me 87 ilaçet që duhet të jenë prezent në çdo moment, në çdo stacion urgjence që kryen aktivitet mjekësor në territorin e Republikës së Shqipërisë.

    1.      Adenosine, ATP

    2.      Adrenaline,

    3.      Epinephrine

    4.      ACE inhibitor

    5.      Enalapril

    6.      Alumen hydroxide

    7.      Aminocaproic acid

    8.      Aminophylline

    9.      Amiodarone

    10.  Amrinone

    11.  Antihemophilic factor

    12.  Antivipera

    13.  Anti-tetanik

    14.  Aspirina

    15.  Atenolol

    16.  Atropine

    17.  Bretylium

    18.  Buscopan

    19.  CaCl

    20.  Ca gluconate

    21.  Chlorpromazine

    22.  Dexamethasone

    23.  Dextrose (glukoze)

    24.  Diazepam

    25.  Digoxin

    26.  Diltiazem

    27.  SR 60,90,120,180mg

    28.  Disopyramide

    29.  Dobutamine

    30.  Dopamine

    31.  Doxapram

    32.  Esmolol

    33.  Fentanyl

    34.  Flecainide

    35.  Flumazenil

    36.  Furasemide

    37.  Haloperidol

    38.  Heparina

    39.  Imodium

    40.  Insuline ordinere

    41.  Isoprenaline,

    42.  Isoproterenol

    43.  Isosorbide dinitrate

    44.  KCl-7.5%-10ml

    45.  Ketamine

    46.  Laksative

    47.  Lanatocid C

    48.  Lidocaine

    49.  Loperamide

    50.  Luminal

    51.  Fenobarbital

    52.  Meperidine

    53.  Metoprolol

    54.  Metil

    55.  Prednisolone

    56.  MgSO4

    57.  Midazolam

    58.  Milrinone

    59.  Morphine

    60.  NaHCO3

    61.  Naloxone

    62.  Nifedipine

    63.  Nitroglycerin

    64.  Nitroprusside

    65.  Noradrenaline

    66.  Paracetamol

    67.  Phenytoin

    68.  PPI (omeprasole)

    69.  Procainamide

    70.  Propafenone

    71.  Propranolol

    72.  Protamine sulfate

    73.  Quinidine

    74.  Ranitidine

    75.  Sotalol

    76.  Thiopental

    Përparim HALILI