SHËN VALENTINI/Poezi

    691
    Sigal

    Ismail Kadare

     Ti ishe për mua

    Ti ishe për mua e pamposhtur si Troja
    Troja që unë dot s’e pushtoja.
    Ti ishe për mua e pakuptueshme,
    Më e pakuptueshme se mbishkrimet etruske

    Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra
    T’i përqafoja flokët e dendura.
    Gaz më shumë ndjeja tek të pushtoja
    Se gjithë grekët kur ra Troja.

    Vetëm në ëndrra m’ishe e kuptueshme,
    Ti, e shtrenjta ime etruske.

    Kristal

    Ka kohë që s’shihemi dhe ndjej
    si të harroj unë dalëngadalë
    si vdes tek unë kujtimi yt
    si vdesin flokët dhe gjithçka.

    Tani kërkoj poshtë e lartë
    një vend ku ty të të lëshoj
    një strofë a notë, a një brilant
    ku të të lë, të puth, të shkoj.

    Në s’të pranoftë asnjë varr
    asnjë mermer, a morg kristal
    mos duhet vallë prapë të të mbart
    gjysmë të vdekur, gjysmë të gjallë.

    Në s’gjetsha hon ku të të hedh
    do gjej një fushë a një lulnajë
    ku butësisht porsi polen
    gjithkund, gjithkund të të shpërndajë.

    Të të mashtroj ndoshta kështu
    dhe të të puth të ik pa kthim
    dhe nuk do dine as ne askush
    harrim ish ky a s’ish harrim.

    Dritëro Agolli

     Këtu s’do jem

    Këtu s’do jem do jem larguar
    Ne toke i tretur si të tjerët
    Në kafenenë e preferuar
    Nuk do më shohin kamerierët

    Dhe nëpër udhët ku kam ecur
    S’do ndihet kolla ime e thatë
    Mbi varrin tim do te rrijë i heshtur
    Një qiparis si murg i ngratë

    Ti do trishtohesh atëherë
    Se s’do më kesh në dhome të gjallë
    Dhe kur në xham të fryjë erë
    Do qash me erën dalëngadalë

    Por kur të jesh mërzitur shumë
    Në raft të librave kërkomë
    Aty do jem i fshehur unë
    Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë

    Mjafton që librin pak ta heqësh
    Dhe un do të zbres do t’vijë  pranë teje
    Ti si dikur me mall do qeshesh
    Si një blerim pas një rrëkeje.


    Letrat

    Kur dashuroheshim në kohën tonë,
    Kur tretesha dhe digjesha për ty,
    Nga njeri-tjetri letrat vinin vonë,
    Kalonte dhe një muaj apo dy.

    Po ndofta dashuria mbahej gjallë,
    Se zjarrin mbanin letrat në udhëtim
    Me biçikletë a mushkë apo me kalë
    Në vapë e shi, dëborë dhe thellim.

    Kur dashuroheshim në kohën tonë
    Me zor na vinin letrat fshat-qytet
    Nuk kishim nëpër dhoma telefonë
    Dhe në ëndërr s’kishte faks dhe internet.

    Megjithatë më mirë që nuk kishte
    As telefon as internet, as faks,
    Se fjalë e nisur shpejt dhe mund ta vriste
    Një dashuri të vjetër për një çast.

    Timo Flloko

    Shën Valentini i fundshekullit

    Ta kushtoj Ty
    këtë Natë të Shën Valentinit
    Të gjallët,
    prej ankthit të vetmisë
    ngërthehen fort,
    tek njëri-tjetri shpresat varin…
    Këtë natë të fundit të dashurisë,
    në fundin e mijëvjeçarit!

    Xhevahir Spahiu

     

    Vajzë e bukur

    Bora e bardhë, e bardhë pas xhamave,
    në kafe “Tirana” hyre,
    ti e rralla si dëbora
    që në Tirane bie.

    Vajzë e bukur, si vajzë e dashuruar,
    qofsh e dashuruar dhe prej meje,
    prej syrit tënd
    lulëzojnë dhe sendet.

    Ekspresi gjallërohet
    e gjithçka bëhet sy.

    Në tavolinën e fundit
    dy pleqve kafja po u ftohet.
    Të shikojnë ty.

    Fatmir Terziu

    Xixëllonjë në “Shën Valentinët e shkelur”

    Ka kohë që shoh vetëm në ëndrra xixëllonjën,
    ikur prej kohës kur më vinte me ndriçim,
    trupi i saj më shfaqet netëve si darëzonjë
    diellore e blatuar në orbitën e dashurisë.

    Unë jam ajo që më mungon
    nga bota e metropolit në të cilin jetoj,
    xixëllonjë e ikur xixëlluar lartësive
    kurrë mesa duket s’do të takoj.

    Duke u rrotulluar shtratit mes kësaj ëndrre,
    me miken time të rinisë gjallëroj
    feksin errësirës mijëra xixa drite
    por, jo errësirë gjithandej, më kot.

    Unë bëhem kështu eklipsi im
    shtat i ndezur deri në gji natën vonë
    në ëndërr më plekset si një trup meteorik
    pa të cilin duhet të xixëllojë vetë përgjithmonë

    IMAZHI YT… NË SHËN VALENTIN

     Faslli Canaj

    Avioni çanë qiellin, përpinë kaltërsitë

    retë e pambukta poshtë krahëve lë pas.

    Unë ballëmbështetur mbi xhamin e dritares

    reve memece jam gati t’u ulërasë.

    Po retë s’dëgjojnë, si kuaj pa fre vrapojnë

    e vallë si ta dinë për timen vetmi.

    Vendboshi i mbetur në krahun tim

    i ftohtë, heshtak, mbështjellë shurdhëri.

    Nga xhami i ftohtë mendimet vrapojnë

    vrapojnë e kërkojnë yjet në qiell.

    Të trishtat mendime një rreze trazon,

     një rreze që ngroh si i zjarrti diell.

    Kthej kokën. E ç’shoh? Në vendboshin qe Ti.

    si vesë argjendore mbi një fije bari,

    si petël shpërthyer në gonxhe trëndafili

    e vendboshi i mbushur me petla ari.

    Gishtat mbi supe si pupla zogjsh më ngjajnë ,

    si gjethe vjeshte që zbresin lehtas nga dega,

    si nota që flladi lëshon kur fushës vrapon

    e unë mes tyre i përhumbur si vesa u treta.

    Fryma jote, aromë karafili, treti timen vetmi,

    flokët e butë ujëvarë stërkalojnë dashuri.

    Si erdhe? Si më gjete? Qiellin si çave, ngjite e zbrite?

    Imazhi yt është ky apo ndoshta vërtetë je Ti?

    Koka jote mbështetur butësisht mbi timin sup,

    si në ëndërr, a ndoshta dhe ëndërr qe vërtet.

    Një nga ato të bardhat parë në fëmijëri

    ku bie në gjumë lakuriq e zgjohesh princ a dhe mbret.

    Dhjetë orë si dhjetë minuta, mbi male, dete, oqean

    avioni zog që përpiu etshëm qiell e re.

    Sa do të doja që udhëtimi të zgjaste dhe ca

    që të përqafur si në ëndërr të ngeleshim ne.

    FATMIR MUSAJ

    SHËN VALENTIN

     

    Aurorën e kësaj dite

    Shpirti im do ngjitet lart,

    Do bëj dashuri me një rreze drite

    … Le të jetë dhe mëkat!

     

    S’KA LIGJ PER DASHURINË!

    Për ju që predikoni dashurinë e ligjshme

    Dhe të paligjshmen e nëmni anë e kënd:

    Dashuria është pjalmi që e rrëmben era,

    Ligji i rastësisë e fluturon pa mend!

     

     

     

    FLAKË

    Njerëzit e lashtë, dy copa druri

    I fërkonin e ndiznin një zjarr bubulak.

    … Nëse fërkohemi unë dhe ti,

    Druaj se tërë bota merr flakë!

     

     

    MIRË E DI!

    Kur të ndodhë që në shtrat të jesh e vetme,

    Nga vendi sekret librin tim do nxjerrësh ti,

    S’di çdo bësh me të, do qash a do qeshësh,

    Por më thellë do ta fshehësh, këtë mirë e di!

    Drita Lushi

     

    FLIRT

    Flirtoj me ditën;

    e në një gotë bliri,

    rrëkëllej orët e saj;

    me diellin luaj kaherë,

    luaj, qysh në të parin maj;

    Flirtoj me natën;

    Fshehtas takoj

    yje, kometa, planetë

    e me flokt’ e mij

    qiellit i freskoj, prehrin e nxehtë;

    Edhe pse hëna si drapër tretet nga xhelozia,

    un vazhdoj e vazhdoj me flirtet e mia;

    Flirtoj me stinën, me Majin, me zogjtë,

    flirtoj dhe me ajrin, nëpër kaltërsira.

    Me Ty, flirtoj,

    notoj syrit tënd,

    ti dallgë- unë në ty lodroj

    Flirtoj me fjalën,

    me buzën tënde, e më tutje,

    Por…

    Ah, kaq e pat ky flirt

    Më mbet’ aty një puthje.

     

    PUTHJE NË SHËN VALENTIN

    Sonte mos më fol fjalë dashurie.
    As puhizë pëshpërimash rrëzë veshit mos më thuaj.
    Sonte shuaji të gjitha dritat, por jo ato të zemrës tënde.
    Të llamburitë mbi ne dashuria – kështu më duaj.

    S’dua të më mbash duart e mia në të tuat,
    e përqafimet e gjata, sonte hidhi tutje,
    sonte e dua natën time me puthje,

    si burim dashurie të rrjedhin, të qeta e pa ngutje.

    E në më zëntë gjumi nga dashuria,
    me burimin e puthjeve freskom’ përsëri,
    mos u lodh, mëngjesi vjen shpejt,
    i dua pafundësisht – zjarr dhe ëmbëlsi