Shefqet Hysa: Nuk jam kryetar kooperative, por administrator me mentalitet perëndimor

    612
    Sigal

    Flet administratori i shoqërisë të bashkëpunimit bujqësor “BIO-Holta”, Gramsh

    U bënë rreth dy vjet që ka hyrë në fuqi Ligji Nr 38/2012  “Për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor”, i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe dekretuar nga Presidenti i Republikës  më 24.04. 2012. Ai ka si objekt përcaktimin e rregullave, kritereve dhe kushteve për themelimin dhe administrimin e shoqërive  të bashkëpunimit bujqësor, të drejtat dhe detyrimet e themelueseve e të anëtarëve të tyre etj.. Në këndvështrimin e zbatimit praktik, ky ligj u vjen në ndihmë fermerëve shqiptarë, të cilët i bën të vetëdijshëm për dobinë dhe interesat që do të kenë, nëse ata do të bashkëpunojnë dhe nëse do të kooperojnë me njëri- tjetrin, pa cenuar aspak pronësinë mbi tokën dhe mjetet e prodhimit. Në një farë kuptimi, ai të kujton kooperativat e dikurshme bujqësore të sistemit të kaluar, por që në fakt është diçka krejt tjetër. Është kooperim me praktika moderne, të disiplinuar dhe me mentalitet perëndimor. Për ta bërë më të prekshëm, më bindës, sesa me leverdi është ngritja dhe konsolidimi i Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor, ne intervistuam administratorin e SHBB “BIO-Holta” në rrethin e Gramshit, zotin Shefqet Hysa. Ai është agronom me arsim të lartë, me përvojë rreth 40-vjeçare në sektorin e bujqësisë dhe një ndër specialistët më me zë i prodhimit të produkteve bujqësore Bio. Është anëtar i bordit drejtues të Institutit të Bujqësisë Biologjike dhe kandidat për çmimin “Ambasador i Paqes” për vitin 2014.

    -Cili është pozicioni juaj në këtë bashkësi fermerësh, kini ngjashmëri me kryetarin e dikurshëm të kooperativës bujqësore?

    – Është krejt, krejt diçka tjetër. Nuk ka asnjë lidhje, asnjë ngjashmëri. Madje, më vjen mirë që më jepet rasti të sqaroj, por më tepër të jap përvojën e fituar në këta dy vjet të veprimtarisë tonë si Shoqëri e Bashkëpunimit Bujqësor. Së pari, këtë mjegullnajë, të cilën na e ka krijuar përvoja e hidhur me ish -kooperativat bujqësore, na e kthjellon ligji i nxjerrë posaçërisht për këtë problem. Për mendimin tim ai është shumë i qartë, shumë i lexueshëm dhe që të nxit kurajën për  të vepruar.

    Cili është pozicioni im? Mua më ka zgjedhur si administrator asambleja e Shoqërisë, e cila përbëhet prej shtatë anëtarësh. Për të vepruar dhe për të qenë në krye të punëve, orientohem nga statuti i miratuar nga asambleja, i cili është përpiluar në mbështetje të ligjit të nxjerrë nga Parlamenti, posaçërisht për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor. Ai nuk të lë asnjë hapësirë për të lëvizur sipas qejfit, të njërit apo të tjetrit. Në këtë kuptim, unë nuk e përfytyroj veten si një kryetar kooperative, por administrator, plotësisht i ndërgjegjshëm për të përballuar punët e bashkësisë, për të rritur prodhimin dhe të ardhurat e anëtarëve të shoqërisë, si pjesëtarë të këtij grupimi. Ndjehem vërtet i motivuar për të punuar me të gjitha kapacitetet e mundshme, organizative e intelektuale. Pastaj në shtabin drejtues është edhe një financier me arsim të lartë dhe specialist (agronom), të cilët mbajnë përgjegjësi për të gjithë veprimtarinë e Shoqërisë të Bashkëpunimit Bujqësor.

    -Ç’do të thotë të jesh pjesë  e një  Shoqërie të Bashkëpunimit Bujqësor? Ç’procedura duhet të ndjekë fermeri për të qenë anëtar i saj?

    Siç e thashë edhe më sipër këtë çështje e sqaron ligji. I rëndësishëm është fakti që në këtë Shoqëri, kushdoqoftë ai,  futet me baza krejt vullnetare, nuk e dikton kush. “Kandidatin” për t’u bërë anëtar me të drejta të plota në Shoqërinë e Bashkëpunimit Bujqësor, duhet ta diktojë nevoja, interesi që ai ka për të patur sukses në prodhimet bujqësore e blegtorale. E di ç’do të thotë të bëhesh pjesë e kësaj bashkësie? Do të thotë, as më shumë e as më pak, t’i futesh rrugës së mekanizimit të proceseve bujqësore, të rritjes së cilësisë së prodhimit, të gjetjes të tregut për shitjen e prodhimit, të rritjes së produkteve për eksport dhe shumë përparësive të tjera, të cilat nuk mund të përmenden të gjitha në pak radhë. Telashet që ka një fermer i vetmuar “treten”, bëhen të papërfillshme nëse i bashkohet kësaj shoqërie. Sidoqoftë, më duhet të them disa kondita, të cilat fermeri duhet t’i dijë përpara se të anëtarësohet. Anëtarët e shoqërisë janë përgjegjës për detyrimet e shoqërisë deri në vlerën e kontributeve të nënshkruara të kapitalit të shoqërisë, qofshin ose jo të shlyera.

     Shoqëria e bashkëpunimit bujqësor është një organizim vullnetar ndërmjet personave fizikë ose juridikë, me qëllim përmbushjen e nevojave apo interesave të tyre në fushën e prodhimit, të përpunimit dhe të tregtimit të produkteve bujqësore e blegtorale. Pa kufizim, por kryesisht nëpërmjet marrëveshjeve apo bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet tyre dhe shoqërisë për shërbime, mallra apo produkte të sektorit bujqësor ose blegtoral, si dhe nëpërmjet promovimit të veprimtarive të tyre ekonomike. Duhet të dimë edhe një gjë tjetër shumë të dobishme për fermerët. Shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, të cilat krijohen dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre në përputhje me përcaktimet e këtij ligji, janë subjekt i lehtësive fiskale dhe skemave mbështetëse, sipas legjislacionit në fuqi.

      –        Ç’kapitale kanë, fjala vjen, anëtarët tuaj, konkretisht?

     Kapitali më i rëndësishëm dhe i patjetërsueshëm është toka. Shoqëria “BIO-Holta” tani për tani disponon 10 hektarë tokë. Kjo sipërfaqe, nuk është e mjaftueshme për objektivat që kemi vendosur si asamble për të shtuar të ardhurat, por sot për sot na ka mjaftuar për të kapur disa tregues të kënaqshëm, pra të atyre që nuk janë të anëtarësuar ende, të jemi më të fortë në drejtim të të ardhurave, të jemi më komodë në përballimin e punimeve sezonale.

     Pjesë e kapitalit janë gjithçka; vreshtat, bimët mjekësore shumëvjeçare, pemëtoret, pa përmendur inputet e ndryshme bujqësore, siç janë plehrat, farërat, preparatet kimike, mekanizmat bujqësorë etj.. Në një farë mënyre aty gjithçka është e përbashkët, pjesë e pasurisë së Shoqërisë.

     -Ju thatë se Shoqëria e Bashkëpunimit Bujqësor merret kryekëput me bimët bujqësore. Kini ju preferenca të caktuara, “devijim” që mund t’ua diktojë tregu?

      –Sigurisht që po. Ne jemi vërtet “mix”, nëse kemi parasysh që prodhimet tona janë “pak nga të gjitha”, dhe që këtë na e diktojnë nevojat “për vete”, por orientimi ynë kryesor është ai i prodhimit të produkteve për eksport.

    -Vërtet!

    -Krijimi i Shoqërisë e Bashkëpunimit Bujqësor “Bio-Holta” na ka bërë, në një farë mënyrë,  “europianë” në shumë drejtime, por ai që e dominon veprimtarinë tonë është eksporti dhe eksportin e bëjmë me bimët mjekësorë, përqindjen më të madhe të të cilave e zë lavandula, bimë shumë e kërkuar nga perëndimi. Ajo eksportohet me çmime të leverdishme, goxha të larta. Por, duke qenë të besueshëm edhe nga fermerët e tjerë, shoqëria jonë ka krijuar tregun e saj, ka një rreth të caktuar kultivuesish të bimëve mjekësore, të cilët i “zbarkojnë” prodhimet tek ne. Me këtë fakt dua të them se organizimi i fermerëve në Shoqërinë e Bashkëpunimit Bujqësor, u krijohet mundësia e gjetjes së tregjeve, gjë të cilën nuk mund ta bëjnë dot kur janë të vetmuar. Gama e prodhimeve për eksport do të rritet nga viti në vit. Jemi optimistë, të vendosur për të bërë emër të mirë. Madje, do zgjerohet po këtë vit, nëse do të mundemi të “çajmë” me tregtarët që kanë provuar cilësinë e prodhimeve tona Bio. Fjala vjen, verërat dhe mjaltin që shoqëria jonë i prodhon në sasi të konsiderueshme, kam besim se tregu i huaj do të “na lutet” për të na i blerë.

    -Meqë po përmend herë pas here togfjalëshin BIO, kini ju si shoqëri objektiva të caktuara për këto prodhime?

    Jo pa qëllim e kemi pagëzuar Shoqërinë tonë të bashkëpunimit bujqësor “BIO-Holta”. Ne kryesisht prodhojmë produkte Bio, me cilësi shumë të larta për tregun. Kohë më parë, pa krijuar Shoqërinë, kemi kultivuar dhe prodhuar produkte Bio. Prej më shumë se dhjetë vjetësh kemi një bashkëpunim të ngushtë, shkencor, me Institutin e Bujqësisë Biologjike (IBB) me të cilin për të qenë të vërtetë, kemi rezultate të shkëlqyera. Krijimi i Shoqërisë të Bashkëpunimit Bujqësor e bëri më serioz këtë bashkëpunim, më institucional.

     -E përse duhet të jini të besueshëm si shoqëri, kanë garanci prodhimet tuaja?

    -Shumë, jemi absolutisht të besueshëm. E di pse? Sepse jemi të certifikuar nga një institucion privat, shumë serioz dhe  vetmi në vendin tonë i njohur nga BE, “Albinspek”-ti. Specialistët e tij janë në kontakt të vazhdueshëm me ne, na qëndrojnë “në kokë” përsa i përket këshillimeve edhe seriozitetit që duhet të kemi në zbatimin e teknologjive në mbarështimin e bimëve bujqësore, të të gjitha kategorive. Dua të sjell edhe këtë fakt. Shoqëria e Bashkëpunimit Bujqësor, tek e cila unë jam administrator, ka bashkëpunim të ngushtë me homologun tonë, i cili e kryen veprimtarinë në Vjenë, në Austri. Është një bashkëpunim i shkëlqyer, të cilin e realizoi përpara disa vitesh ambasadori austriak në Tiranë, zoti Florian Raunig (sot ambasodor i OSBE-së në Tiranë). I jemi shumë mirënjohës, nuk shlyhemi dot me të. Ai ka ardhur personalisht këtu në Gramsh, ka bashkëbiseduar me ne dhe ndërkohë, vetëm me ndërhyrjen e tij, kanë ardhur fermerë austriakë nga Vjena për të shkëmbyer përvojë në lidhje me rritjen dhe trajtimin e bimëve bujqësore për të prodhuar produkte Bio.

    -Le të kalojmë prapë tek Shoqëria BB “BIO-Holta”. Ç’plane kini për zgjerimin e anëtarësisë.

    -Anëtarësia është në rritje, e prirur për të patur një shoqëri serioze dhe me perspektivë për t’u shtrirë në të gjithë zonën ku veprojmë. Tani kemi krijuar grupime me fermerë të moshave të reja me të cilët punojmë për t’i aftësuar në lidhje shërbimet ndaj bimëve bujqësore, gjithmonë të orientuar me prodhime Bio. Mendojmë se numri i të anëtarësuarve së afërmi do të shkojë në 200 veta, ku peshën më të madhe do ta zënë moshat e reja.

    -Krahas anëtarësisë rriten dhe asetet e SHBB-së?

    Sigurisht. Nëse sot kemi 10 hektarë nën kulture, shumë shpejt kjo sipërfaqe do shkojë në 25-30 hektarë. Madje, për të qenë të besueshëm në këto shifra, unë si administrator po kontaktoj me kompani serioze për të siguruar tregun për eksport. Është fjala për bimët mjekësore, sektor, ku kemi eksperiencë të shkëlqyer. Jemi futur në kontakt me kompaninë “SonnentoR”, e cila, siç dihet, është furnizuesja më e madhe në Europë me prodhime Bio. Tregtimi me këtë kompani shkon në një vlerë prej 44 mijë euro. Për një SHBB, si kjo e jona nuk është pak, apo jo?

     Do marrim në përdorim edhe toka me qera. Sot për sot kemi në dispozicion disa hektarë, por në vitet që vinë tokat e marra me qira do të zënë sipërfaqe shumë më të madhe. Eshtë me shumë leverdi për të dy palët; edhe për ne si bashkësi, por dhe për pronarin e tokës, i cili nuk ka mundësi ta përdorë atë si tokë bujqësore, pra ta punojë, ta mbjellë apo t’u kryejë shërbimet bimëve bujqësore.

    -Trimi i mirë me shokë shumë, thotë populli. Përveç sa përmendët pak më sipër, kini kontakte të tjera institucionale?

    -Meqë ne kemi si drejtim kryesor eksportin dhe prodhimet Bio, ata që na janë bërë “si të shtëpisë” janë Instituti i Bujqësisë Biologjike (IBB), ku unë jam anëtar i tij, Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe Shoqata e Bujqësisë Biologjike që kryen veprimtarinë pranë tij, pa harruar “Albinspekt”, tek i cili kemi gjetur “ustanë” e certifikimit për prodhimet Bio. Këta të fundit janë ndër të vetmit që i qëndrojnë strikt ligjit shqiptar dhe rregullores të Bashkimit Europian. Për të toleruar apo për të certifikuar në kundërshtim me ligjin, ata nuk e bën kurrë mirë. Në këtë kuptim, duke na i “hequr veshin” herë pas here për ndonjë gabim tonin, vërtet kemi mësuar shumë, na kanë bërë të jemi e të dalim faqebardhë me ata që u kemi shitur mallin, dhe  meqë më pyetët për bashkëpunimin, më duhet të veçoj fondacionin Agrinet, i cili me specialistët e fushës së prodhimit, mbrojtjes së bimëve nga sëmundjet dhe dëmtuesit, u kanë dhënë dhe u japin këshillime të mjaftueshme fermerëve. Kanë dhënë dhe kontribut financiar. Nuk është pak, të themi, që ata përballuan hartimin e dokumentacionit ligjor të SHBB “BIO-Holta”. Të gjithëve u jemi mirënjohës!

    -Tokën e copëzuar, në një farë kuptimi, e keni bërë “një të tërë”. U kanë dalë problem për mbarështimin e saj? -Me tokën jemi sjellë e sillemi si ta kemi me kimet. Në zonën tonë ajo është e paktë dhe, për më keq mjaft e aksidentuar nga erozioni. E rëndësishme është të dimë si ta menaxhojmë, si të mund të marrim maksimalen e mundshme prej saj. Në këtë kuptim po punojmë në bazë të kritereve shkencorë, që i shërbejnë rritjes së vazhdueshme të pjellorisë së tokës nëpërmjet punimeve, sistemimeve, plehërimit me pleh organik, përdorimit në minimum, deri në reduktim të plotë, të plehrave kimikë dhe pesticideve, të cilët “vdesin” jetën mikrobiologjike te tokës. Edhe për këtë shërbim që i bëhet tokës bujqësore, Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor janë të domosdoshme që të ngrihen dhe të funksionojnë maksimalisht. Ligji 7501 e copëzoi, e bëri ngastra-ngastra tokën dhe gati të pamundur për të kryer shërbime me teknologji të përparuara. SHBB-të nuk e prekin privatësinë, ndërsa nga ana tjetër, kur është fjala për kryerjen e proceseve të mekanizuara, bëhet e “të gjithëve”.

    -Ta zëmë se dikujt nuk i pëlqen të jetë pjesë e Shoqërisë të Bashkëpunimit Bujqësor. I ka mundësitë të largohet?

    -Nuk ka absolutisht asnjë pengesë. Mund të anëtarësohet e mund të largohet nga Shoqëria kur të dojë, si ta shohë të arsyeshme. Madje, pa asnjë lloj detyrimi ndaj saj. Por kjo tek ne as ka ndodhur dhe as nuk do të ndodhë. Përkundrazi, jemi duke u përgatitur për të zgjeruar SHBB-në, për të shtuar anëtarësinë me fermerë të rinj dhe me sa më shumë asete.

    Cilat janë planet tuaja për të ardhmen, kini ndonjë gjë nëpër duar  përsa i përket punëve që nuk presin?

    – Kemi plane afatshkurtër, por dhe plane që i përkasin perspektivës. Të ngutshëm kemi shtimin e sipërfaqes së mbjellë me bimë mjekësore. Pse? Sepse sigurojmë shumë të ardhura në valutë dhe me këtë valutë garantojmë vijueshmërinë e procesit të shtimit të investimeve. Kjo për Shoqërinë është e rëndësishme, shumë dobiprurëse. Për më tepër na bën “të hidhemi” për të ndërmarrë lëvizje që i japin impuls zhvillimit të sektorëve të tjerë, më pak të vlerësuar deri tani, siç është ai i prodhimit të produkteve blegtorale Bio. Mirëpo për të arritur suksesin duhet të zgjidhet “gryka e thesit” me para.

    E ku është ky “thes” me para, ku do t’i gjeni mjetet financiare?

    -Para, sipas mendimit tonë, ka sa të duash. Është i zoti ai që di t’i gjejë këto para dhe të dijë ku t’i hedhë, të dijë ku duhen investuar. Në këtë pikë duhet të ndjehet dora e shtetit, i cili të krijojë mundësinë e sigurimit të kredive të buta për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor. Madje, për këtë çështje duhet të jetë e interesuar drejtpërsëdrejti Ministria e Bujqësisë, si institucioni më autoritar e i besueshëm për të gjitha palët. Ne na nevojiten në mënyrën më urgjente mekanizma bujqësorë, sidomos mjete që të mund të përballojnë punë voluminoze. Ju e keni parë në ç’nivel primitiviteti ka arritur puna e fermerit. Kjo është katastrofike, situatë mjerane për fshatarin. Pikërisht ky është problemi. Madje, fermerët kërkojnë të bëhen pjesë e SHBB-ve sepse po shikojnë me sytë e tyre përpjekjet tona për mekanizimin e proceseve të punës në bujqësi. Nëse ata nuk e shikojnë këtë përparësi do të jenë të tërhequr. Shoqëria, pastaj, bëhet e pabesueshme, nuk shikohet si shpëtimtare për fermerët e vegjël e të pashpresë, të cilëve, për hir të së vërtetës, u ka vajtur ku nuk mban më nga hallet që kanë mbi shpinë.

    nga Bashkim Koçi