Shefja e Maternitetit, z. Teuta Ilirjani, i flaku punëtorët dhe shkoi në Shkup

    860
    Sigal

    Elbasan/ Në Spitalin Gjinekologjik, Maternitet dhe repartin e Kirurgjisë janë larguar 13 punonjëse pa motivacion

    Në Spitalin Gjinekologjik, Maternitet dhe repartin e Kirurgjisë së Elbasanit, të cilat janë edhe pranë e pranë si ndërtesa, ka ndodhur një “operacion fshesa” siç bën policia greke me emigrantët shqiptarë. Shefes së “operacionit fshesa”, njëkohësisht edhe shefja e Maternitetit, z. Teuta Ilirjani ( Kadaifçiu) siç duket, i kanë lënë dorë të lirë për një spastrim rrënjësor të punëtoreve sanitare në Maternitet dhe në repartin Kirurgjikal. Me një të rënë të lapsit, shefe Teuta Kadaifçiu heq nga puna 10 punonjëse të vjetra në detyrë, me pretekstin se “ ka urdhër nga Ministria e Shëndetësisë për të larguar të gjithë ata pa arsimin përkatës…” . Ndër të larguarat janë, Myrvete Dorzeza, Drita Xhika, Bali Krasniqi, Mira Çela, Drita Dushku dhe Lida, Fatmira, Xheja, Nikja, etj..

    E që kur Ministria e Shëndetësisë ka filluar të punësojë fshesaxhesa, apo rrobalarëse, apo pllakalarëse me shkollë të mesme apo të lartë? A nuk duket paksa paradoksale dhe qesharake që ndonjë individ si “shefe Teuta Kadaifçiu” të “presë koka turku” dhe të bëjë ndere për të afërmit e saj?

    Jo pak, por 13 gra, familjare, të rregullta, me përvojë pune, me disiplinë pune, me rroga të ulëta dhe qesharake flaken në rrugë!

    Ka menduar z. Teuta se 13 familje mbeten pa bukë? Nuk është se dolën të tepërta dhe shteti t’i nxjerrë në asistencë, por ajo pretendon se nuk kanë arsimin përkatës..! Për të futur në vend të tyre njerëzit e afërt ose ata që “vajisin rrotën”, sepse po të pyesësh opinionin flasin se doktoreshë Teuta është një nga tipat që “i shikon nga duart” pacientët e saj dhe duhet të matesh mirë të shpiesh një grua për lindje në duart e saj!

    Përse nuk i ballafaqon me ligjin kjo shefe të gjitha punonjëset e shkarkuara, por ua thotë gojarisht? A mundet Ministria e Shëndetësisë të kërkojë të tilla kushte qesharake për sanitaret e thjeshta, kur dihet se ka plagë më të mëdha me infermierët dhe mjekët? Në emër të cilit ligj, veprojnë këta njerëz të veçantë, të cilët nxisin konflikte sociale?

    A janë kaq të sinqertë këta persona apo fshihen mbas “sinqeritetit për të treguar dhëmbët” për të shkëputur copa të majme fitimi nën presionin psikologjik dhe ekonomik?

    Është pikërisht kjo doktoreshë (mjeke), na thonë punonjëset, e cila nuk denjon të vizitojë apo mjekojë ata qytetarë të cilët kanë libër shëndeti nga bashkia, duke u justifikuar se nuk do që të humbasë kohën kot me ata, por merret vetëm me të pasiguruarit…!

    Si jua pret mendja, të nderuar lexues, se i vjen keq për të pasiguruarit? Jo, këtë e themi dhe e shkruajmë me germa të mëdha… Në të tilla raste ka bërë një efekt të madh edhe regjistrimi i kamerave të fshehta të emisioneve investigative, mirëpo jo të gjithë e kanë mundësinë ta marrin, sepse (siç flitet rëndom lart e poshtë, ata kërkojnë para dhe jo të gjithë paguajnë). Këtë na thanë edhe punonjëset e repartit, kur u thamë ta bënin problem. “Ku del tym, ka dhe zjarr…” dhe këtë e dinë mirë të gjithë, pavarësisht se nuk e thonë hapur.

    Atëherë, është detyra e Ministrisë së Shëndetësisë që të veprojë dhe të marrë në mbrojtje 13 punonjëse të shkarkuara arbitrarisht, sepse më mirë nga ajo nuk i di ligjet drejtoria përkatëse e Elbasanit, z. Desantila Tahiraj, e cila i përcjell, duke u thënë se i ka pushuar shefja e Maternitetit, e cila për t’u fshehur nga ndonjë fërkim i mundshëm është larguar me pushime në Tetovë për disa ditë.

    Gjithmonë sipas pretendimeve të larguarve nga puna, ky është një veprim i bashkëpunimit të shefes Teuta Kadaifçiu së bashku me sekseren e saj të njohur Marjeta Arapi, përgjegjëse tek salla e operacionit, e cila duhet të kishte dalë në pension qysh para dy vjetësh…! (merret me mend se ku i leverdis më tepër!). E ngritëm këtë problem për të ndihmuar ato familje të varfra, të cilat nuk kishin të ardhura të tjera përveç kësaj rroge të pakët, duke dëshiruar që ato lot që derdhnin nga padrejtësia që iu bë, të marrin një zgjidhje sa më të shpejtë, t’u tregohet vendi atyre intelektualëve burokratë dhe të korruptuar.

    Danel Cana