SHBA shpresoi për ‘Po’. Shqipëria do përfitonte shumë

    342
    Sigal

    Ekspertë amerikanë, Kurt Volker dhe Ian Brzezinski analizojnë mënyrën se si u menaxhua procesi i armëve kimike

     Marrë nga “Zëri i Amerikës”

     Pas vorbullës së ngjarjeve me refuzimin e Shqipërisë për të lejuar territorin dhe burimet e saj të përdoreshin për çmontimin e armëve kimike siriane, një nga pyetjet që u shtrua ishte nëse kjo do të ndikonte tek marrëdhëniet dypalëshe me SHBA-të. Por më pak u fol se ç’do të thoshte për Shqipërinë që të kishte mundësinë të bashkëpunonte për zgjidhjen e një problemi të mprehtë kombëtar. Ish-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Kurt Volker dhe ish-zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ian Brzezinski analizojnë mënyrën se si u menaxhua procesi, dhe a do ta kishin tejkaluar përfitimet e një përgjigjeje pozitive, vlerën e vendimit kundër. Dy ish-zyrtarët e lartë amerikanë, nuk e mohojnë se hezitimi i publikut ishte i kuptueshëm duke pasur parasysh se bëhej fjalë për armë kimike, se edhe vende të tjera refuzuan, si edhe kujtimet e ngjarjeve të tilla si ajo e shpërthimit të Gërdecit. Megjithatë, thotë Kurt Volker, aktualisht Drejtor Ekzekutiv i Institutit Mc Cain, kjo ishte një mundësi për Shqipërinë. “Për të dhënë kontribut për zgjidhjen e një problemi shumë serioz ndërkombëtar siç është pyetja se ç’duhet bërë me këto armë kimike ekzistuese dhe që Siria ka shprehur vullnetin që t’i dorëzojë. Me një ndihmë ndërkombëtare, Shqipëria mund të kishte dhënë një kontribut serioz për çmontimin e tyre”, thotë zoti Volker. Ian Brzezinski, ekspert i sigurisë në Këshillin e Atlantikut, mendon se për Shqipërinë refuzimi ishte një shans i humbur. Megjithatë, zoti Brzezinski, nuk mendon se vendimi i Shqipërisë do të dëmtojë marrëdhëniet dypalëshe. “Ne e vlerësojmë se sa pro-amerikan është ky vend. Ne i vlerësojmë kontributet e Shqipërisë në operacionet e NATO-s në gjithë botën. Pra, aspekti i sigurisë do të vazhdojë të jetë i fuqishëm. Bashkëpunimi ekonomik mund të zhvillohet edhe më tej”. Zoti Volker thotë se, nuk e sheh aspak si çarje në marrëdhëniet dypalëshe këtë ngjarje: “Kjo nuk ka të bëjë fare me marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë. Çështja është se ç’të bëjmë me këto armë kimike. Ne të gjithë shpresonim që Shqipëria të ishte në një pozicion të tillë që ndihmonte me këtë problem dhe nëse nuk e bën dot, kjo nuk ka të bëjë me marrëdhënien mes dy vendeve”. Zoti Volker thotë se, Uashingtoni do të kishte punuar hap pas hapi me Shqipërinë në një proces të mundshëm. Për zotin Brzezinski, djalli është gjithmonë tek detajet. “Por, po të vija vetëm në pozitën e Tiranës, unë mund të kisha thënë: Ne jemi të prirur ta bëjmë një gjë të tillë, por do ta bënim me kushtin që të kemi siguri se këto materiale do të menaxhohen në mënyrë të sigurt dhe pa rrezik, që të ketë masa të fuqishme dhe të shprehura qartë sigurie dhe së dyti do të ishim të interesuar që të dinim: nëse ne e bëjmë këtë për Shtetet e Bashkuara dhe komunitetin ndërkombëtar, çfarë tjetër mund të bëhet për të thelluar marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë?” Ideja e tij është se Shqipëria duhet ta kishte përdorur një proces të tillë për të forcuar pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare dhe në axhendën e hartuesve të politikane në qarqet më të larta në Uashington. Kjo për arsyen se siç e tregoi edhe intensiteti i kontakteve të Uashingtonit me kryeministrin e Shqipërisë, përfshirë tre telefonatat nga Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, çështja e shkatërrimit të këtyre armëve është përparësi për administratën e Presidentit Obama. Duke u nisur edhe nga përvoja e tij në Departamentin e Shtetit, zoti Volker nënvizon se Sekretari Kerry nuk mund të telefonojë çdo ministër të jashtëm apo kryeministër për çdo çështje të caktuar. “Kur Sekretari i Shtetit merr përsipër të angazhohet personalisht me një çështje që ai mendon se duhet zgjidhur – në këtë rast eliminimin e armëve kimike – atëherë ai do të bëjnë gjithçka që mendon se duhet bërë në përpjekje për ta çuar përpara një proces të tillë”. Por ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit dhe ish-zyrtari i Departamentit të Mbrojtjes, e shikojnë ndryshe ndikimin e reagimit të fortë të publikut dhe mënyrën sesi duhej të ishte menaxhuar ai. Për zotin Volker, fakti që kryeministri Edi Rama nuk foli më parë me publikun për këtë çështje mund të ketë të bëjë me faktin se jo që në fillim ishte e sigurt se Shqipërisë do t’i kërkohej ky bashkëpunim dhe diskutimi u bë më urgjent pasi disa vende të tjera refuzuan. “Gjithmonë mund të kesh ide të ndryshme për mënyrën më të mirë për ta menaxhuar një çështje, por kur ke një situatë delikate dhe dëgjon reagimet e publikut që të bëjnë të mendosh se një alternativë e tillë nuk do të ishte shumë popullore, të duhet të përcaktosh si politikan se cili është vendimi i drejtë”. Ai thotë se i takonte qeverisë, kryeministrit të përcaktonte se çfarë mendonte ai që Shqipëria do të arrinte dhe se çfarë do të mbështeste. Po ashtu ai mendon se edhe qeveria amerikane duhet të kishte qenë më e kujdesshme. “Duke u nisur nga përvoja ime në Departamentin e Shtetit mund të them se nuk mund të imponosh një çështje që nuk është gati për zgjidhje…”,- tha zoti Volker. Duke folur për palën amerikane, ai thotë se nëse Shtetet e Bashkuara e dinin se kjo çështje do të ishte e vështirë për kryeministrin apo qeverinë e tij, atëherë “nuk do të ishte mirë që ai të gjendej në një pozicion që e bënte të pamundur që ai të thoshte ‘Po’. “Pra mënyra më e mirë do të ishte që të punohej me Kryeministrin për të diskutuar se, cilat do të ishin çështjet shqetësuese, a do të kishte mënyra të tjera për të dhënë një mbështetje politike për të ndihmuar me këtë çështje, ose nga ana tjetër nëse duket se kjo nuk do të funksionojë, le të mos ta kthejmë në humbje, të mos ta kthejmë në diçka negative dhe të shohim për zgjidhje të tjera”. Për zotin Brzezinki problemi qëndron diku tjetër. “Mendoj se si qeveria amerikane, ashtu edhe qeveria shqiptare mund ta kishin menaxhuar më mirë këtë çështje. Është e qartë se, bërja e njohur për publikun e kësaj çështjeje nuk u bë në mënyrën më të mirë. Provë për këtë është reagimi aq i ashpër dhe kundërshtimi i publikut”. Ai thotë se pati një tendencë mes disa shqiptarëve që të ekzagjeronin rrezikun dhe ata me të drejtë shtruan pyetje për procesin. “Çdo vend e menaxhon procesin demokratik ndryshe. Ajo që mund të analizohet është sesi ia shpjegoi qeveria publikut se çfarë ishte propozuar dhe hapat që do të merrte për të bërë të mundur pranimin e marrëveshjes. Nuk e di se sa informacion i dha qeveria popullit të Shqipërisë për alternativat e menaxhimit të shkatërrimit të këtyre armëve në territorin shqiptar”. Dhe megjithëse ai e pranon se një Kryeministër duhet t’i përgjigjet kërkesave të publikut… “Nga tjetër ai duhet edhe ta udhëheqë dhe ta influencojë opinionin publik”. Zoti Volker dhe zoti Brzezinski e hedhin poshtë perceptimin se Shqipërisë mund t’i ishte kërkuar ky bashkëpunim pasi Shtetet e Bashkuara kanë bërë shumë për shqiptarët historikisht, apo sepse është vend i dobët. Zoti Volker thotë se, arsyeja ka të bëjë më shumë me faktin që Shqipëria është një vend aleat, kishte mundësinë e ekzekutimit dhe një qeveri me vullnetin e mirë, ndërsa zoti Brzezinki thotë se, duhet parë ana pozitive e vlerësimit të Shqipërisë si partner dhe se nga ana gjeopolitike, pozita e vendit do të ishte forcuar. Por me gjithë debatin që shkaktoi kjo çështje në Shqipëri, për Uashingtonin pyetja se, ku do të shkatërrohen armët kimike të Sirisë, vazhdon të jetë pa përgjigje dhe këtu janë përqendruar përpjekjet e tyre.