SHBA-Llallës: Ja provat për Haxhinaston

676
Gazeta “Telegraf” ka denoncuar në vazhdimësi dhe ka kërkuar nga drejtësia shqiptare, të zbardhë skandalin e aferës korruptive të skenarit të dështuar qëllimisht, për procedurën e shitjes së kompanisë shtetërore “Albpetrol”, aferë e cila u dirigjua me prapaskena e pazare të pista, nga ish-ministri i Ekonomisë Edmond Haxhinasto, aktualisht Ministër i Transporteve. Ndërsa dje, ministri Haxhinasto propagandonte si “sukses” aferë-pazarin e zhbllokimit të Aeroportit të Kukësit, të bllokuar qëllimisht prej tij në afro 3 vitet si ministër Transporti për interesa me firmën monopoliste të Aeroportit të Rinasit, po dje nga SHBA, në mikrofonin dhe ekranin e stacionit “Zëri Amerikës”, kryeprokurori Adriatik Llalla u pyet për fatin e dosje “VIP” të pa hapur, të një afere “të vjetër” të para 4 viteve, bërë nga “esnafi” i korrupsionit me koncesionet Edmond Haxhinasto, kur ai ishte Ministër i Ekonomisë! Gazeta “Telegraf”, me dy shkrime të botuar në datat 19 tetor 2015 dhe 12 shkurt 2016, i ka kërkuar më këmbëngulje kryeprokurorit Llalla, të bënte pikërisht atë që zotit Llalla ia kërkoi edhe “Zëri Amerikës”, si një hap urgjent për të hapur dosjen “Haxhinasto”, lidhur me skenarin e shitjes së kompanisë “Albpetrol”, mbyllur prej prokurorisë. Kjo dosje “mazut”, ka si krim “misterin” e fatit të pagesës 10%, ose më saktë të vlerës 85 milionë dollarëve sigurim të ofertës së shit-blerjes së kësaj kompanie gjigante, që ish-Ministri Ekonomisë Edmond Haxhinasto e kishte firmosur si pazar me firmën “Vetro Energy”! Çfarë ndodhi me këtë pagesë 10%? Pse u mbyll dosja “Haxhinasto”? Çfarë “akrobacish” u bën për “groposjen” e fatit të pagesës 10%? Pse u prish pazari i shitjes së Albpetrol? Pse u mbyll kjo dosje? Pse “Rilindja” po e nxjerr përsëri në shitje “Albpetrol”-in, pa kërkuar më parë hapjen e dosjes së shitjes që inskenoi Haxhinasto? A do të jetë kjo, dosja e parë që do të hap, që do të zbardh e do të çoj përpara drejtësisë kryeprokurori Llalla, pas apelit që i bëri Zëri Amerikës? A do të futet edhe ministri Haxhinasto i 85 milionë dollarëve, në “dhomën” ku është futur ish-ministri Ksera i 30 milionë lekëve? 
Kush e mbylli dosjen e krimi të vlerës 10% të shitjes së “Alpetrol”, ende i pandëshkuar
Nuk besojmë, se kujtesa që iu bë kryeprokurorit Llalla ishte një pyetje “kot”, sa për të zënë në gojë çështjen e dosjes së 10% të aferës së sigurimit të ofertës të shitjes së Albpetrol. Kujtojmë faktin, që pas ndërprerjes së intervistës të Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja për shkak të mohimit e mbulimit të korrupsionit me koncesionet dhe për mashtrimet “për sukses në shëndetësi” që ai bënte gjatë intervistës, me pyetjen domethënëse të bërë kryeprokurorit Llalla për “harresën” e krimit të shitjes së Albpetrol, “Zëri Amerikës” përcolli mesazhin e qartë për nisjen e zbardhjes së 1 prej 30 krimeve të rënda ekonomike-financiare, të bëra prej ministrit Edmond Haxhinasto në të 3 postet ministrore që ka mbajtur deri sot. Kryeprokurorit Adriatik Llalla, prej “Zëri Amerikës” iu dha mesazhi qartë, se prej tij dhe institucionit që ai drejton ka një “harresë” për dosjen e krimit të 85 milionë dollarëve të Albpetrol. Kujtojmë, që Prokuroria e Përgjithshme, fillimisht i ka kërkuar një banke në Teksas, informacion në lidhje me fatin e garancisë financiare 85 milionë dollarëve, që shteti shqiptar kërkoi nga firma “Vetro Energy”, vlerë e cila nga ministri Haxhinasto, u deklarua se u… pagua! Dosja hetimore që hapi (mbylli) prokuroria dhe anti-krimi ekonomik financiar, kishin ngritur këto pista hetimi: Nëse ish-ministri i ekonomisë Haxhinasto, ka lejuar procedura për verifikimin e fatit të garancisë 85 milionë euro, apo jo? Pista tjetër e hetimit, ka qenë zbardhja e faktit nëse firma konsulente amerikane “Patton Boggs’, ka favorizuar konsorciumin blerës, apo jo? Pista tjetër e hetimit, ka qenë fakti që në dosjen e procesit të shit-blerjes së Albpetrol, rezulton se firma konsulente “Patton Boggs” ka dhënë me shkrim, konfirmimin e vlerës së garancisë 85 milionë dollarë, si “të paguar” nga firma fituese e blerjes “Vetro Energy”, deklaruar publikisht ky fakt edhe prej ish-Ministrit të Ekonomisë Edmond Haxhinasto, por që më pas u mohua prej tij si “lapsus e gabim njerëz”! Mirëpo këto pista nuk u hetuan deri në fund, duke u lënë si “pista pa indicie”! Përkundrazi nga organi i akuzës dhe hetimit, u bë një raport përfundimtar, sikur “dosja “Haxhinasto” e procedurës së privatizimit ishte në përputhje me ligjin”! Këtë dosje, duket se e “zgjoi” dje Zëri Amerikës, duke ia kujtuar kryeprokurorit, dhe përgjigja e tij e thatë, që kërkoi ta kalonte si “dosje pa rëndësi e të mbyllur”, me deklarimin që bëri: “Dosja “Albpetroli? Ka disa vite që dështoi privatizimi dhe duhej të depozitoheshin 85 milionë dollarë? Është një çështje penale dhe civile. Ekziston edhe pengesa e bashkëpunimit mes institucioneve shqiptare”. Nuk e dimë, se cili institucion pengon e cili nuk bashkëpunon? Por dimë faktin që prokuroria e ka mbyllur këtë dosje me krim 85 milionë dollarë? Dimë faktin, që kjo dosje ka të konfirmuar si “personash krimi”, ish-Ministrin e Ekonomisë Edmond Haxhinasto dhe disa ish-vartës të tij. Pikërisht ky ministër, duhet “kapur për veshi” e duhet çuar tek tavolina e drejtësisë, për të dëshmuar të plotë këtë krim ekonomik-financiar, i cili prej 4 vitesh qëndron i “groposur” në një dosje që ka nisur e nuk është bitisur, por që më së fundi mendohet të hapet e të çohet për gjykim! 
Dosja “Haxhinasto”, me hetim edhe në SHBA
Skenari “Haxhinasto” për të privatizuar kompaninë “Albpetrol”, sipas hetimeve që kanë nisur dhe po vazhdojnë ende në SHBA, mendohet se “ka shenja të qarta të afere me mashtrim gjigant”. Pse? sipas dosjes hetimore të nisur në SHBA, ka shumë dyshime mbi qëllimin e vërtetë të firmës “Vetro Energy”, të shpallur fituese prej ministrit Haxhinasto! ka hije mashtrimi në lidhje me vendndodhjen e saj, mënyrën e regjistrimit, të ardhurat dhe garancinë që ka vendosur për këtë blerje e që sot quhet “afera 85 milionë dollarë sigurim oferte, fati i të cilës nuk dihet, aferë për të cilën kryeprokurori Llalla, deklaroi nga SHBA se “do të hapet si sosje krimi VIP”. Kujtojmë, që në vitet 2012-2013, grupi hetimor i Njësisë Task-Forcë, i ka dërguar drejtësisë amerikane disa “letër-porosi” për firmat që kanë marrë pjesë në këtë tender dhe kërkoi informacione në SHBA, Kinë e madje edhe në Kanada, por që prej andej nuk kanë ardhur informacione lidhur me hetimin për firmat, mbasi si firma e shpallur “fituese” edhe firmat e tjera kanë të dhëna të pa qarta identifikimi si pronarë dhe si veprimtari! Në dosjen “Albpetrol”, ku si i hetuar është edhe ish-ministri Haxhinasto, krahas akuzave të shkeljes së barazisë në tenderë dhe shpërdorimit të detyrës, theksohet se tenderi i zhvilluar për shitjen e “Albpetrol” është nën hetim edhe “për mashtrim”. kujtojmë gjithashtu, që në dosjen e tenderit të ministrisë së ekonomisë, figuronte, por nuk ekziston më një shkresë e lëshuar nga banka e Teksasit, që “konfirmonte” se kjo shumë është e arkëtuar e ngrirë në këtë bankë. Por “çuditërisht” ky konfirmim u mohua më pas nga ministri Haxhinasto, por vetëm pasi procedura e privatizimit, po nga Haxhinasto, u tha “shitja u anulua”, se gjoja fituesi nuk kishte shumën 850 milionë dollarë. E ndërsa shteti, sipas marrëveshjes dhe ligjit shqiptar këkroi të merrte 85 milionë dollarët e sigurisë së 10% të ofertës, rezultoi se ato nuk gjendeshin të depozituara e të ngrira në bankën e Teksasit. Po ku përfunduan? Kush e bëri këtë lojë? a ka “gisht” ish-ministri Haxhinasto? A rezulton që Haxhinasto, të ketë bërë ndonjë “vizitë pune” në Teksas, në ato muaj kur “gatuhej e anulohej” gjoja privatizimi i Albpetrol? Si janë justifikuar këto 85 milionë dollarë dëme që iu shkaktuan shtetit prej “lojës” së realizuar nga Haxhinasto? 
Dekriminalizimi, të nisë me dosjen “Albpetrol”
Nëse qeveria shqiptare e ka seriozisht luftën kundër korrupsionit dhe nëse ndërkombëtarët vërtetë besojnë se ligji për dekriminalizimin ka si qëllim hetimin, gjykimin dhe ndëshkimin e atyre që kanë grabitur, vjedhur apo abuzuar me taksat e shqiptarëve, sot më shumë se kurrë kanë kohën që ta bëjnë realitet zbatimin e këtij ligji. Është momenti final që të gjithë nëpunësit e administratës, pushtetarë, qeveritarë apo ish-ët duhet të japin llogari për abuzimet me ligjin, pavarësisht se ky ligj është shkelur me ndërgjegje apo nga neglizhenca, me veprime konkrete apo mosveprime, në formën e krimit ordinerë apo shpërdorimit të detyrës. Gjithsesi ne do të vazhdojmë të pyesim, ende sot e kësaj dite, institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm, megjithëse kanë kaluar 4 vjet. Pas disa ditësh kur të hyjë në fuqi dhe të nisë aktivitetin Byroja Kombëtare e Hetimeve edhe këtë strukturë do e pyesim dhe do t’i kërkojmë të zbardhë fatin e 85 milionë eurove të sigurimit të ofertës për shitjen e ALBPETROL, kur në postin e Kryetarit të Entit të Prokurimit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës ishte Edmond Haxhinasto. Pikërisht ky drejtues bëri disa deklarata tërësisht politike, duke garantuar shqiptarët se oferta është e sigurtë edhe po dështoi kompania e parë dhe se sipas ligjit, fitues do shpallet kompania pasardhëse. Por çfarë ndodhi më vonë? “Procesi i privatizimit të “Albpetrol” mbeti pezull, pasi kompania “Vetro Energy”, e cila u shpall fituese për tenderin e privatizimit, nuk depozitoi shumën prej 20% të garancisë së kontratës, siç e parashikon ligji. “Kanë filluar proceduarat ligjore për të bërë kërkesën e garancisë së ofertës që është paraqitur nga kompania”, theksoi në atë kohë Edmond Haxhinasto Edhe pse ekzistenca e garancisë së ofertës është vënë në dyshim nga opozita,( Partia Socialiste ) qeveria ka deklaruar se ajo është verifikuar më parë nga firma konsulente “Patton Bogs”, do të mbyllte deklaratën e tij ish-Ministri Haxhinasto, pas datës 7 shtator 2012, ditë kur Komisioni i Posaçëm për Vlerësimin e Ofertave për Ankandin e Privatizimit të aksioneve të Albpetrol Sh.a kishte hapur publikisht ofertat e paraqitura dhe ishte tërhequr për një vendimmarrje. Dhe nëse kompania e parë skualifikohej, kompania e dytë në radhë ishte Chine INC me 790 milion euro, por që u skualifikua menjëherë, sepse nuk kishte edhe kjo garanci të ofertës. Kompania e tretë ishte Bankers Petrolium me 303.8 milion euro. Kjo kompani që vazhdon aktivitetin edhe sot e kësaj dite duhej të shpallej fitues dhe shteti të merrte detyrimin e tij për këtë shitje. Por çuditërisht kjo gjë nuk u bë dhe tenderi u harrua dhe përveç se disa deklaratave boshe të Ministrisë së Haxhinastos, paratë nuk erdhën në vendin, për të cilin u zhvillua ky prokurim. Ja çfarë deklaronte në media ato ditë Ministri Edmond Haxhinasto: “Ministria e Ekonomisë sqaron për mediat, se do shqyrtohet oferta e dytë. Tenderi i Albpetrolit është i hapur dhe më duhet t’ju konfirmojë, se komisioni i vlerësimit është autorizuar për të kaluar tek ofertat e tjera. Oferta e parë, e cila u shpall fituese nuk përmbushi detyrimet. Sipas ligjit, kompania që ofroi 850 mln euro për të blerë Albpetrolin ka detyrim të paguajë një detyrim garancie prej 10 për qind, e cila akoma nuk ka kaluar në llogarinë e shtetit shqiptar. Dekriminializimi i politikës është një nga detyrat kryesore të politikës shqiptare për vetëpastrim, por edhe një nga kushtet me të cilat Bashkimi Europian nuk bën asnjë kompromis. E ka deklaruar këtë gjë ish – Komisionari për Zgjerimin Stefan Fyle dhe vazhdojnë ta kërkojnë me ngulm edhe Kancelarja Merkel, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe të gjithë organizmat e tjera. Me pak fjalë pa dekriminalizimin e politikës dhe pa çuar para drejtësisë të gjithë trafikantët, kontrabandistët, skafistët, kriminelët, grabitësit dhe abuzuesit e pasurisë kombëtare nuk ka dhe nuk do të ketë derë të hapur për Shqipërinë
Sigal