Shashkat, që kërkojnë të fshehin të vërtetën e inkriminimit të politikës

681
Sigal

Jakup B. GJOÇA

PD-ja dhe PS-ja akuzojnë njëra-tjetrën, se fshihen pas trafikimit të 613 kg kokainë, të kapur në Durrës

Krimi ka inkriminuar struktura të shtetit, zyrtarë të lartë kanë bashkëpunuar me kriminelët dhe trafikantët ndërkombëtarë të drogës, ndërkohë që prokuroria, edhe pse reforma në drejtësi ka filluar të funksionojë, (të paktën, sipas pretendimeve të kryeministrit), nuk ka mundur deri tani, që të çojë në gjyq si fajtor, si bashkëpunëtor me krimin, asnjë zyrtar të lartë.

613 kg kokainë dhe garantuesi politik

Fillimisht e mohuan, ndërsa tani, palët politike, maxhoranca dhe opozita e pranojnë që sasia e 613 kg kokainë e ardhur në Shqipëri, ka edhe garantuesit politikë, domethënë zyrtarë, apo ish-zyrtarë të lartë të shtetit, që u kanë garantuar trafikantëve, se do të kenë “porta të lira” për trafikimin e kokainës.

Derisa Balla pranon që garantuesit e kokainës janë zyrtarë të lartë të PD-së, pse ka heshtur?

Kryetari i grupit parlamentar të PS Taulant Balla dje deklaroi, se trafikantë të kokainës të kapur në Durrës janë të lidhur me zyrtarë të lartë të PD-së. Deklarata e Taulant Ballës: “Prisni e duroni, ditët në vijim do jenë shumë të rëndësishme për lidhjet e personave të akuzuar për 613 kg kokainë me persona të rangjeve më të larta të PD. Historia e përgjimit po dëmton Shqipërinë në rrugën drejt integrimit”.

Pra, vetë Balla pohon se trafikantët e kokainës janë të lidhur me persona të rangjeve të larta të PD-së. A ka fakte Balla? A i ka dorëzuar në prokurori? Nëse Balla i ka dorëzuar në prokurori, përse prokuroria deri tani nuk ka “ftuar” asnjë nga këta persona të rangjeve të larta të PD-së? Nëse, Balla nuk ka fakte, por ka informacione nga prokuroria, përse nuk akuzon prokurorinë, për mosveprim deri tani, në frymën e ligjit? Nëse Balla nuk ka as fakte konkrete, se cilët janë personat e rangjeve të larta të PD-së, që bashkëpunojnë me trafikantët e kokainës, por nuk ka as informacion nga prokuroria, por e thotë për konsum politik të propagandës, atëherë, këtu ka dy probleme:

Së pari, qëllimisht, Balla do të shpërqendrojë hetimet e prokurorisë.

Së dyti, Balla me propagandë politike pa fakte, kërkon të hedhë shashka në mjedisin e tensionuar dhe të acaruar politik, për të mbuluar të vërtetën e përgjegjësive morale, politike dhe, ndoshta edhe penale të çështjes “Xhafaj”.

-Balla, derisa deklaron që edhe audioja është e stisur, ka në dorë analizat e ekspertizës?

-Të kujt ekspertize?

-Ka në dorë informacione, që ndoshta ia ka dhënë atij vetë prokuroria, si institucioni kushtetues, që ka në dosje vetëm ajo edhe audion origjinale, edhe ndoshta analizat e ekspertizës, që ka kërkuar?

Nëse, edhe për audion, Balla, nuk ka as analiza të ekspertizës, as informacion të prokurorisë, atëherë, me të tilla deklarata, si kryetar i Grupit Parlamentar të Mazhorancës, kërkon të ndikojë drejtpërdrejt politikisht, në hetimet e prokurorisë, duke i diktuar rrjedhën e hetimeve, kë të pagëzojë fajtorë etj. Sepse, si ligjbërës me përvojë, Taulant Balla e di shumë mirë, që ligji ia ndalon kategorikisht ligjbërësit të flasë, të japë konkluzione për hetime, që janë ende në dosjen e prokurorisë.

Deputeti i PD-së: Ja 3 emrat që fshihen pas kokainës së Durrësit

Deputeti i PD-së Gent Strazimiri hedh poshtë akuzat e Ballës, se trafikantët e kokainës së Durrësit kanë bashkëpunim me persona të rangjeve të larta të PD-së, madje shkoi edhe një hap më përpara, duke përmendur edhe emra konkretë, se cilët janë garantuesit politikë të 613 kg kokainës të kapur në Portin e Durrësit. Sipas deputetit të PD-së, ata janë, Genci Xhixha, Ermal Hoxha dhe Olsi Rama. Deputeti Strazimiri: “Kokaina e Xibrakës dhe kokaina e Maminasit, trafiku dhe laboratorët e kokainës në Shqipëri janë të Genci Xhixhës, Ermal Hoxhës, Olsi Ramës dhe shokëve të tij. Edi Rama, nëse secilin prej tyre i ke në Partinë Demokratike, je i lutur të vish tani, sot, dhe t’i arrestosh! Por e vërteta është se vetë i ke përcjellë në Kubë, Kolumbi e kudo tjetër me policët e tu narkotrafikantë të shpallur në kërkim, me dy ministrat e tu të brendshëm të lidhur me drogën dhe me vëllain tënd. Partia Demokratike nuk është Partia Socialiste.. Ndryshe nga Edi Rama dhe PS, për ne droga është kanceri që po vret Shqipërinë. Ka vetëm një rrugë për hapjen e negociatave: Lufta kundër drogës dhe krimit, kundër kapjes së shtetit nga xhafajt, habilajt tahirët, nga Edi Rama dhe shpura e tij mafioze. Shqipëria nuk mund të sakrifikohet për Sajmir Tahirin, vëllezërit Xhafaj, vëllezërit Habilaj dhe vëllezërit Rama. Ftojmë të gjithë shqiptarët të bashkohen të shtunën, më 26 maj në ora 11 në protestën kombëtare për Shqipërinë e çliruar nga qeveria e lidhur me krimin, për drejtësinë e barabartë për të gjithë, për Shqipërinë si gjithë Evropa!”, tha Strazimiri.

Deklarata e Taulant Ballës: “Prisni e duroni, ditët në vijim do jenë shumë të rëndësishme për lidhjet e personave të akuzuar për 613 kg kokainë me persona të rangjeve më të larta të PD. Historia e përgjimit po dëmton Shqipërinë në rrugën drejt integrimit”.

Deputeti Strazimiri: “Kokaina e Xibrakës dhe kokaina e Maminasit, trafiku dhe laboratorët e kokainës në Shqipëri janë të Genci Xhixhës, Ermal Hoxhës, Olsi Ramës dhe shokëve të tij. Edi Rama, nëse secilin prej tyre i ke në Partinë Demokratike, je i lutur të vish tani, sot, dhe t’i arrestosh!”