Sfiduese – Trump i kërkon Clinton test droge, para debatit

    44

    Kandidati republikan për presidencën, Donald Trump tha se rivalja
    e tij Hillary Clinton dukej mjaft në formë gjatë debatit të fundit, prandaj ai
    propozoi që të dy kandidatët të bëjnë testet për drogë para debatit të radhës.



    Ai gjithashtu sugjeroi se, gara presidenciale kishte nisur të dukej si
    zgjedhje të manipuluara. Komentet e Trumpit duken si një mënyrë për të larguar
    vëmendjen nga publikimi i një videoje, në të cilën ai ofendon femrat, gjë që më
    pas solli një vazhdë akuzash për ngacmime seksuale.

    Gjatë një mitingu në New Hampshire, Trump tha se Clintoni kishte qenë
    gjithë energji në fillim të debatit, por në fund të tij mezi mbërriti deri te
    makina e saj.

    “Ne duhet që të bëjmë një test për drogë”, deklaroi Trump, pa përmendur
    prova që mund të mbështesnin pretendimet e tij.

    Sipas ekspertëve, ndërsa përballet me sulme të ashpra për sjelljen e
    tij, Trumpi ka shtuar sulmet personale ndaj Clintonit. Por jo vetëm kaq, pasi
    ai është përpjekur që të hedhë dyshime edhe mbi ndërshmërinë e zgjedhjeve, duke
    thënë se ato po manipulohen nga media e korruptuar, që publikon gjënjeshtra.

    Vërtetë mund të jetë pas në sondazhe, por Trumpi vazhdon të tërheqë
    mijëra njerëz në mitingjet e tij dhe të mbledhë sasi të konsiderueshme fondesh,
    diçka që sipas ekspertëve i çon një mesazh të qartë Hillary Clintonit se duhet
    të luftojë për Shtëpinë e Bardhë.