Sezoni 2014, Bashkia angazhon mjetet dhe 300 punonjësit e saj

    64

    Pas paralajmërimit të ministrit Koka, nis pastrimi i bregdetit. Shtohen hapësirat publike në plazhe

    Ndërmarrja e Pastrim-Gjelbërimit, e cila është nën administrimin e Bashkisë së Durrësit ka nisur prej ditësh një aksion të gjerë që ka përfshirë plazhet nga sektori “Iliria” e deri në zonën e “Bërryl Currilave”. Burimet vendore saktësojnë, se rreth 300 punëtorë të bashkisë janë angazhuar bashkë me mjetet e ndërmarrjes për Pastrim-Gjelbërim, kanë nisur aksionin, i cili do të zgjasë rreth 1 muaj. Aksioni i nisur prej 3-4 ditësh, ka pastruar dhjetëra tonë mbeturina, mes tyre inerte dhe papastërti të tjera organike, të cilat ishin në dekompozim, duke krijuar një ambient të ndotur për pushuesit.

    BASHKIA

    Veç kësaj bashkia është angazhuar edhe në pastrimin e Plazhit të Currilave nga shkurret dhe bimësia e dendur që ka mbirë në rërë. Në të vërtetë Plazhi i Currilave mund të konsiderohet si i “fundmi i publikëve”, pasi zona informale që i ngjan një getoje ka larguar pushuesit tradicionalë. “Aksioni për pastrimin e plazheve do të jetë i përditshëm”,- thanë për gazetën “Telegraf”, burime vendore. Mësohet se, punonjësit e ndërmarrjes shtetërore kanë ndërhyrë dhe në ato zona të marra në shfrytëzim nga subjekte private, në plazhet më të frekuentuara nga pushuesit gjatë sezonit. Mbërritja e pushuesve ditorë, ka krijuar problemet me higjienën. Muaji mars e prill, në Durrës shënon edhe pushuesit e parë ditorë. Përgjatë vijës bregdetare nga “Ura e Dajlanit” e deri te sektori “Iliria”, mendohet të ketë edhe plazhe private, sipas lejeve provizore, të cilat në të shumtën e rasteve i kanë dyfishuar sipërfaqet e parcelave të fiksuara në kontratën tremujore.

    STATEGJIA PËR TURIZMIN

    Turizmi ka qenë dhe mbetet një e ardhur e mirë për Durrësin. Strategjia e bashkisë për sezonin veror 2014, mbetet krijimi hapësirave për plazhe publikë kryesisht për të varfrit, ata që nuk kanë të paguajnë shezlongët, çadrat, etj.. Sipas burimeve vendore, raporti aktual i plazhit publik me atë privat në Durrës ka qenë 50% me 50%, raport, i cili mendohet të ndryshojë. Por mjafton të bësh një shëtitje gjatë sezonit, përgjatë plazheve të Gjirit të Durrësit për t’u bindur se hapësirat në dispozicion të pushuesve të varfër vijnë duke u zvogëluar. Për disa orë plazh në Durrës duhet të paguash 300-400 lekë të reja, shifër kjo që mbulon çadrën dhe dy shezlonge. Por jo të gjithë janë në gjendje të paguajnë këtë vlerë monetare. Ndodh rëndom që në mes të parcelës së plazhit privat të ngulet ndonjë çadër. Ky është fillimi i konfliktit mes sipërmarrësit dhe pushuesit të varfër, sherr, të cilin nuk është në gjendje ta shuajnë 20 efektivat e Policisë Bashkiake që numëron Durrësi. Duke u nisur nga eksperiencat e vitit të kaluar, ku çdo ditë ishte e njëjta situate, sapo ngulej një çadër nga çdo pushues ditor, plaste sherri me pronarët e plazheve private, bashkia ka menduar shkurtimin e tyre për sezonin veror 2014. Ndërkohë mësohet, se në bazë të kontratës, çdo investitor sezonal në plazhet private do të duhet të arkëtojë në buxhetin e bashkisë një shumë prej 120 mijë lekësh të reja për tre muaj aktivitet. Në fakt, Arka e Bashkisë së Durrësit po shënon ditë të mira falë biznesit me rërën e plazhit.

    PLAZHET PUBLIKE

    Por nëse një vit më parë vendorët bashkëpunuan me Prefekturën për kontrollimin e situatës në terren, një aksion i tillë në Durrës nuk ka nisur ende. Një viti më parë u çliruan mbi 2 mijë metra katror plazh publik, hapësirë kjo, e cila ishte zënë nga sipërmarrës të paautorizuar nga pushteti vendor. Veç kësaj, falë aksionit të koordinuar Prefekturë -Bashki u ndërmorën sanksione, ku u gjobitën me 50 mijë lekë 10 investitorë, të cilët kishin zaptuar një sipërfaqe dy herë më të lartë sesa ajo e parashikuar në kontratë. Lidhur me problemin e pastrimit të plazheve dhe krejt vijës bregdetare, pak ditë më parë Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, pjesëmarrës në aksionin në gjirin e Lalëzit deklaroi se, “u kemi dërguar një shkresë të gjithë komunave dhe bashkive në Shqipëri, nëse fillon gjoba me 500 mijë lekë dhe përfundon me 1 mln lekë, tendenca do të jetë tek 1, pra jo tek 500 mijë lekëshi. Dua t’i garantoj që për shumë prej tyre do të bëhet propozimi, gjithmonë konform ligjit për t’i larguar nga ushtrimi i detyrës që kanë. Kurrkush nuk i ka vënë të detyruar kryetarë komune apo bashkish. Janë vënë atje për t’i shërbyer qytetarëve shqiptarë. Të mos bësh asgjë për mjedisin si kryetar komune apo bashkie do të thotë se, ke shkelur rëndë ligjin për pushtetin vendor”.