Sevo TARIFA/Veteranët dhe libri …

    478
    Sigal

       REPORTAZH

        Atë ditë e prisja me padurim. Do të udhëtoja drejt Jugut: në Gjirokastër, Tepelenë e Sarandë. Do të  paraqiteshin dy librat e fundit: “Shpirtra të gdhendura”. Janë shpirtra atdhetarësh, që ndritin në tokë si yjet në qiell. Erdhi makina. Udhëtojmë Rezoja, unë dhe shoferi simpatik, me “mustaqe vendi”, i cili gjatë rrugës do të na mbante me pyetje, me biseda, ndoshta prandaj dhe emrin e ka “Bilbil”…

    Udhëtim i blertë

        Do ta quaj kështu këtë udhëtim, sepse kalojmë përmes gjelbërimit. Në kryeqytet  gjelbërimi është “reformuar”, çështë i kursyer, deficitar. Zëvendësohet me ndërtime godinash. Zhduken edhe parqe, lulishte dhe sheshe ku luanin fëmijët! Ndaj gjelbërimin e kemi me mall. Na i kërkon  syri. Na i do shëndeti.

        Eh. ç’na shohin sytë në këtë ditë pranvere!   Majtas e djathtas rrugës kombëtare aty-këtu ka parcela të mbjella, bar të njomë, hasëll. Një mozaik ngjyrash. Sundon jeshilja. Nuk mungojnë edhe lulekuqja e lofatave, luleverdha e thanëve, luleroza e bajameve, lulebardha e kumbullave dhe manushaqet. Kënaqësi e veçantë!

        Ecim rrugës së asfaltuar. Aty ku ka gropa, ulet marshi i makinës, ndërsa neve lëvizim e dridhemi si në lojen fëmijëve “Hidhet e kërcen lepuri”! Me siguri këto segmente rrugësh gjithë gropa do të jenë llogaritur në ato “mijëra” kilometra “ndërtimi e rindërtimi me asfalt”, që njofton përditë  Qeveria, të cilat përurohen më tepër se një herë! Po mbase do merren masa që, sidomos  rruga Memaliaj-Tepelenë dhe hyrja në Sarandë e në Vlorë të mos jenë në gjendjen e sotme. Turizmi po troket në derë…

        Na lodhte udhëtimimi i gjatë, por na çlodhodhte panorama e bukur  natyrore. Sa kalojmë Ujin e Ftohtë të Tepelenës, ndiejmë aromën e luleve të ”të  bukurës Odrie, gjithë lisa e gjithë hije”, aromën e trëndelinës të Golikut e të Çajupit. Ja “Fusha e Lepurit”, ku dikur gjelbëronte misri dhe zverdhonte gruri. Malet rreth e rrotull të krahinës së Kardhiqit na shtojnë krenarinë, na kujtojnë betejat partizane. Djathtas fshatlindja Mashkullorë, ku buzëqeshja ime hapet si lule akshami. I afrohemi qytetit të gurtë, ngjitemi me mall asaj të përpjete me kalldrëm të Varroshit, dalim në Qafën e Pazarit. Pikërisht në këtë vend më kujtohen fjalët e një vëzhguesi politik anglez: “Kam vizituar 56 vende të botës, por një qytet kaq të bukur karakteristik nuk e kam parë”! Zbresim në sheshin “Çerçiz Topulli”. Këtu përzihen dy ndjenja të kundërta:  zemra na hedh valle nga gëzimi se ndodhemi në Qytetin Muze, por edhe pezmatimi i saj, se nuk është më ai rrap historik, në një degë të të cilit nazistët dhe ballistët varrën në litar dy shqiponja, heroinat Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima.

    Buka e shpirtit…

       Kisha shtatë vjet pa shkuar në Gjirokastër. Më ishte ndezur nostalgjia, malli për vendlindjen, për shokë e miq bashkëluftëtarë e bashkëpunëtorë.  Ja Flamur Bime e Jani Çarka, të cilët kanë qenë sekretar të parë të rinisë të rrethit, Mudeir Llaziku, anëtar i Byrosë, Xheke Koçollari, Namik Galanxhi, Mihal Xuano, Tafil Miho, Qefsere Selimi, Shpresa Mino, Diana Hoxha (Rrapi), Luan Fino, Kristo Stoja, Mihal Nasi dhe veprimntarë të tjerë shoqërorë.  I afrohem Thimjo Qiricit, që mbante dy libra në duar. “Janë buka e shpirtit”,- më tha. Dhe shikonte fotografitë e heronjve e të dëshmorëve në kopertinë. Midis të tjerëve bashkëfshatarët: Zabit Ahmeti, Stefan e Theodhori Puci, Miho Prifti, Isuf Serjani etj.

        Në Gjirokastër zë fill botimi i librave të mia, gati gjysmë shekulli më parë. Dhe ja tani paraqiten dy prej tyre. U mblodhëm në sallën e turizmit. Na presin përzemërsisht kryetari i Bashkisë, Flamur Bime, kryetari e sekretari i Komitetit të Veteranëve, përkatësisht Shkëlqim Guçe dhe Engjëll Fino, kryetari i organizatës së dëshmorëve Hodo Liço. Fillojnë diskutimet. Të dy librat kanë 63 portrete. Janë personazhe vendës, nga ajka e shoqërisë: Heronj të Popullit, dëshmorë, invalidë, oficerë, veprimtarë shoqërorë.

        Disa pjesëmarrës i kanë lexuar librat para promovimit. Dhe marrin fjalën, shfaqin opinione për vëllimet. Japin dhe kujtime të reja.  Shpreh kënaqësinë Qefserja. Jep detaje të reja Engjëlli. Tregon për aksionet e rinisë Mudeiri. Në sytë e pjesëmarrësve lexohet gëzim, kënaqësi, emocione. Kryetari i Bashkisë, Flamur Bime i dorëzon autorit të librave titullin “Mirënjohja e Qarkut”. Titull nderi, që autorin e befason. I erdhi pa pritur, si një lule zemre, rrënjët e së cilës janë në punën fisnike e të palodhur me “lulen më të bukur të Atdheut”, me rininë gjirokastrite. Promovimi mbyllet me libër në duar të pjesëmarrësve.

    Me gjuhë poetike 

        Promovimi vazhdoi në Tepelenë. Pjesëmarrës janë veteranë e pasardhës. Midis tyre kryetari i Bashkisë, Tërmet Peçi, drejtues të veteranëve e organizatës së dëshmorëve. Fjala e diskutantëve këtu, ka një veçori: flitet me gjuhë poetike, në prozë e poezi.   Krahas vlerësimeve për dy librat nga Islam Kalemi, kryetar i degës së shkrimtarëve të Tepelenës, nga mjeku në pension dhe shkrimtari Çerçiz Myftari  e pasardhësi Qendro Ciko, diskutimet marrin ngjyrë letrare.

        Krenar Progonati, me librin në dorë ku është portreti i motrës së tij, Heroinës së Popullit, Nimete Progonati, vuri në dukje vlerat  atdhetare, historike, letrare  dhe estetike të dy librave, foli për stilin dhe fjalën standarde shqipe, për emocionet që të krijon leximi i tyre. Njëherazi tregoi teserën e rinisë dhe gjithë emocione iu drejtua autorit të librave me fjalët: “E ruaj si sytë e ballit këtë teser, se në kapakun e saj janë gishtërinjtë e dorës suaj”. Dhe me këtë rast  më dhuroi librin e bukur të tij “Ylberi i dashurisë”. E pasoi Feriti, vëllai i të paharruarit Maliq Lila, i cili ndër të tjera lexoi vargje, nga të cilat po shkëputim dy strofa: “Mirsevjen, Sevo Tarifa/ të puthesh me “Marenglenë”, bilbili që s’tu zu gryka/ mirsevjen në Tepelenë”./ Moshën e tretë e sfidove/ i the tutje pleqërisë/ njëqind e ca libra shkrove/ burr i mendjes, i urtësisë”. Në emër të Komitetit të Veteranëve dhe të degës “Labëria” të Tepelenës, foli në mënyrë letrare gjithashtu, Isuf Çela. Me këto diskuitime  në Tepelenës, m’u duk sikur ndodhesha në një rreth letrar…

    Montazh artistik 

        I tillë ishte promovimi në Sarandë. U zhvillua me një program letraro-artistik. Me vlerësime të dy librave. Me vargje zemre. E hapi aq mirë vajza e vogël, e zgjuar e bukur, nxënëse e klasës së katërt të fillores, Letica Erzhaj!  E drejtonte aktorja, këngëtarja dhe konferencierja Pranvera Brinja, fjalët artistike të së cilës i shoqëronte buzëqeshja e mëndafsht e saj.

        Thebi i programit ishte atdhedashuria, që nis nga vendlindja. Ishte “gërmuar” në shpirtin e autorit, në librat e tij, duke përzgjedhur e komentuar copëza letrare nga dashuria për fshatlindjen. Kuptohej edhe dora e bashkëfshatarëve të autorit: Zaho Vasilit, shefit të kulturës së Bashkisë dhe Namik Çanit, zëv.kryetarit të Komitetit të Veteranëve. Por në ato vargje përfshiheshin edhe ide e mendime të veteranëve e të pasardhësve, lexues të librave.

        Ishte thurur një skenar me vargje, sistemuar në 32 strofa. Poezi me metrikë. Leximi i tyre dëgjohej vëmendshëm. Gjëmonte  salla e Bashkisë. Pjesëmarrës shokë të luftës e të punës. Në sytë e tyre lot gëzimi e kënaqësie. U kujtohej koha partizane. Në libra gjejnë zjarr, barut, heroizëm të shokëve të tyre partizanë: heronj, dëshmorë, invalidë, po edhe vullnetarë të aksioineve kombëtare të pasçlirimit. Të emocionuar ishin dhe pasardhësit. Njëri më drejtohej me fjalët: “Jam nipi i Mitro Xhanit”. Tjetri “Jam djali i partizanit Besho Nikolla”. E të tjerë. Fjalët e tyre më prekën së tepërmi. Para syve më shfaqeshin shokët atdhetarë, besnikë, të gjallë, të mirë e të bukur, siç ishin. Dhe ashtu mbetën. E njëherazi krenohesha, çmallesha.

    Refleksione  

        Librat që u promovuan bënë për vete pjesëmarrësit, dy breza: veteranë e pasadhës. Tërhiqnin shpirtrat e gdhendur të personazheve të luftës e të punës. Portretet ngjallnin dëshirën për leximin e tyre. Pas dy ditësh më telefonuan nga Saranda veteranët Nuri Draçi e Telo Rushiti, të cilët mbaruan së lexuari librin dhe shfaqën konsideratat e tyre, sidomos për kreun e invalidëve të Luftës. Duke lexuar portrete të heronjve e të dëshmorëve, lexuesi ndalet në virtytet e tyre, ballafaqohet me to, sheh veten si në pasqyrë dhe reflekton, përfiton, ecën në gjurmat e tyre atdhetare.

        Duke  diskutuar, veteranët premtonin se nuk do të ndahen nga rinia, duke filluar që në familje. Ata e kuptojnë  se “kanë një “arkivë” në kokë, mbushur me kujtime plot, mendja u rëndohet kot, truri u peshon si hekur, nga koka duhen hequr, t’i hedhin ato në letër, për t’ia dhënë brezit tjetër. Kujtimet janë thesar, janë ar e përmbi ar, të mos i marrin me vete, se s’u duhen përtej jete”. Engjëlli ecën me bastun dhe u shpreh: “Le të jem me bastun, nuk ka forcë që më tund”! Namiku tha: “Le të jemi flokëbardhë, Atdheu na ka në ballë”. Feriti shtoi:”Jemi ne që ishim dje, si me pushkë dhe me penë”. Mudeiri vazhdoi: “LANÇ me gjak do ta mbrojmë, ndryshe është e kot që rrojmë”! Doli qartë se “kur shuhet një veteran, nuk vdes një njeri, por një copëz histori, humbet një thesar me “flori”. Dhe u shtrua detyra që veterani, me ndihmën edhe të pasardhësit, të shkruaj kujtime, të hartojë historikun e familjes, mbi kapakun e të cilit të shkruhen vargjet: “Hapi fletët, o histoik/ folu brezave që vijnë/ trego si jetonim ne/ të ndërtoni jetën e re”.

    ***

        Pata kënaqësi të madhe shpirtërore në këto promovime.  U tejkaluan parashikimet. U takova me shokë e miq. Ishte kjo një përtëritje, një frymëzim i ri. Kthimi nga Bregdeti i bukur më shtoi edhe më shumë ngazëllimin, forcën, optimizmin, dashurinë për “Manushaqen” e Naimit, për Atdheun tonë të dashur, që penën të mos e lë të ndryshket, ta mbaj atë gjithnjë majëndritur.