Sevo TARIFA/Shqiponjë e Kalasë së Beratit

    407
    Sigal

    Me rastin e 70-vjetorit të rënies së dëshmorit Kristaq Capo

    Sa herë takoj ish-oficerin e Flotës Luftarake, Jani Capo, nuk rrimë pa kujtuar edhe xhaxhain e tij, dëshmorin-hero të pashpallur, Kristaq Capo. Duke pare përtej syve bojëdeti të Janit, kujtoj sytë e bukur të dëshmorit në fjalë, për të cilin edhe pse kam shkruar dy herë, më duket se nuk i thënë të tëra…

    E shikoni këtë fotografi? Është Kristaq Capoja. Djalë bukurosh. Simpatik. Fytyrëmbël. I shkathët. Energjik. I zgjuar. I thjeshtë. I menduar. Mësues revolucionar. Sekretar organizativ qarkorit të Partisë të Beratit, jetën e të cilit e preu në mes automatiku i fashistëve italianë. E kush nuk i ka njohur Capajt e Beratit, me trung e me dege, që kanë gjelbëruar e gjelbërojnë gjithnjë? Janë fisë me histori të ndritur. Janë familje me tradita të lashta atdhetare, të pathyeshëm si shkëmbmjtë e kalasë, ku janë lindur e janë rritur, në gjirin e të cilëve, ndër te tjerë, shquhej një filiz i ri: Kristaq Capo. I pari që më ka falur për ketë bir të denjë të Kalasë së Beratit ishte miku i mirë, Vlash Çepiku, trupshkurtër, por i fortë, njeri i zgjuar  me shpirt luftarak. Por heroin e gjeta të gjallë në faqet e librit të nipit të tij, Jani Capo e lexova edhe në konsideratat  e bashkëluftëtarëve që përfshihen në këtë libër. Vepra e tij është e madhe. Vështirë të përmblidhet në një shkrim…

    Kristaq Capo kishte zemër të madhe, në të cilën ishte futur Atdheu i dashur. Pushtimi Italian i Shqipërisë në 7 prill 1939 e gjeti Kristaqin 28 vjeç. Çizmja fashiste që do të shkelte vendin tonë, e godiste në zemër edhe birin e Kalasë. Dhe brofi në këmbë. Bashkë me disa shokë u nis drejt Vlorës për t’i pritur fashistët jo me tufa lulesh, por me plumba ballit. Po armë s’kishin. Regjimi i Zogut kishte tradhtuar. Vlora si gjithë Shqipëria ishte në pikën më të lartë kulmore të atdhetarizmit. Kristaqi i kthye në Berat i indinjuar thellë, shtrëngonte dhëmbët gjithë urrejtje kundër pushtimit fashist. Ndjenjat antifashiste tek ai do të vinte duke u rritur. Fill pas pushtimit italian të vendit, Kristaqi hodhi hapin e parë kundër fashistëve pushtues. Bashkë me disa shokë shkuan te ullinjtë, afër përroit të Burdulliasit. Aty në një gropë të padukshme, biseduan për përgatitjet që duhen bërë në luftë kundër pushtuesve. Kristaqi nxori tre revolverë dhe një maliher dhe shokëve u tha: “tani do të mësojnë përdorimin e armëve, duke i zbërthyer e mbërthyer”. Ndërsa në 24 dhjetor 1939, kur besimtarët e Kalasë shkonin në kishë për Krishtlindje, Kristaqi me tre shokë, hoqën nga shtyllat flamurin italian dhe e hodhën poshtë. Kështu, nga veprimet e thjeshta do të arrihej në ato komplekse, gurë-gurë do të bënin kala.

    Dëshmori trim, Kristaq Capo ishte një intelektual i kompletuar. Me qartësinë politike, pastërtinë morale, vendosmërinë dhe përkushtimin atdhetar, ai do të bëhej një nga drejtuesit kryesorë të veprimtarisë antifashiste. Ishte njeri i aksionit. Nisi organizimin e punës ilegale. Kalonte shtëpi më shtëpi dhe mbillte “farën” e gatishmërisë në luftë për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit italianë. Shtëpia e tij u bë çerdhe revolucionarësh. Me dyer të hapura për bashkëluftëtarët. Nënë Fotinia një grua trime, që bashkë me qumështin e gjirit të saj kishte ushqyer tek fëmijët dashurinë për Shqipërinë e shtrenjtë. Në punë e sipërme me njerëzit, Kristaqi dallohej si edukator dhe mësues atdhetar e revolucionar. Traktin e parë të Partisë Komuniste të porsa themeluar, e lexonte në grupe shokësh, nëpër vende të fshehta. Nga duart e tij shpërndaheshin trakte e komunikata për luftë kundër pushtuesve fashistë. Betimi i tij ishte: “Ja vdekje, ja liri”. Për revolucionarin s’kishte qetësi. As pritje. Idetë e tij ndriçonin.

    Në shkurtin e vitit 1942 u krijua e para celulë e partisë në lagjen “Mangalem”. Pas Kristo Isakut që u largua me detyrë për në Korçë, sekretar i celulës u zgjodh Kristaq Capo. Organizimi dhe drejtimi nga Partia po forcoheshin. Në qytet u ngritën dhe vepronin njësite guerile, që “të merrnin gjak në vetull”. Në krye të një njësiti ishte përgjegjës Kristaq Capo. Nën drejtimin e tij kryheshin aksione: marrja e shaptilografit të fashos, armë e municione nga depot fashiste, shpërndarja e trakteve, mbusheshin muret e qytetit me trakte për luftë kundër pushtuesve të huaj. Kristaqi merrej aktivisht me shtypin e partisë. Figura e ndritur e tij shkëlqente jo vetëm në qytetin dhe fshatrat e Beratit, por edhe në ato rrethe, ku jetoi e punoi si në Korçë, Gjirokastër, Përmet, Tepelenë, Skrapar, njëmbëdhjetë vjet mësues në katërmbëdhjetë fshatra.

    Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare në Qarkun e Beratit, si në gjithë Shqipërinë, kishte marrë përpjesëtime të gjera. Çetat partizane të Skraparit, të Kuçovës e të Shpiragut po dendësonin goditjet antifashiste, shpesh edhe në periferi të Beratit. Më 15 maj 1943, vrasja në zyrë e drejtorit italian të bankës, agjentit të SIMI-t, tronditi organet e karabinerisë e të Kuesturës. Fashistët shpërthyen një valë arrestimesh e terron. Më 28 qershor, u arrestuan një varg kuadrosh të rëndësishëm, midis të cilëve edhe Kristaq Capoja. Në orën 16:00 të asaj dite, Kristaqin me shokë i nisën për në kampet e përqendrimit të Porto Romanos… Ditë e net tortura të egra. Plagë e gjak. Por ai qëndroi trimërisht e krenar si malet përballë stuhisë…

    Disfata e 29 qershorit në Shpirag, i tërboi edhe me tepër këmishëzinjtë italianë. Në fushën e kësaj lufte ata lanë mbi 50 të vrarë. Në Mallakastër pësuan disfata të tjera. Lufta në Mezhgoran më 2 korrik e ne beteja të tjera, i egërsuan edhe më tepër fashistët. Për këto e humbje njëra pas tjetrës që pësonin fashistët italianë, filluan të hakmerren. Vendosën të nxjerrin nga kampi Kristaq Capon, bash kë me të rinjtë Andrea Vrusho, Vildan Luarasi e Qemal Mysliu. Dy të fundit të ardhur nga Tirana. Si Kristaqin edhe këta i torturuan keq. E njëjta akuzë, e njëjta rrugë, i njëjti terror. Në mesnatë, një makinë me katër të arrestuar brenda, e la kampin dhe mori rrugën drejt Tepelenës. Dhe ja, Kristaq Capon me shokë i zbritën forcërisht. Po ata nuk u përkulën. Qëndronin krenarë. Dhe krenarë vazhduan të jenë edhe para skuadrës së pushkatimit fashist. Andrea dhe dy shokët kthyen sytë nga Kristaqi, i torturuar rëndë. Por ai, i qetë u buzëqesh, sikur donte t’u thoshte: “Qëndroni shokë! Ne po vdesim për një çështje të shenjtë”! Dhe në çast urdhrit të oficerit “zjarr”!, iu përgjigj zëri-bombë i Kristaqit: “Rroftë Shqipëria! Vdekje fashizmit!