Sevo Tarifa/ Poeti Zaho Vasili e ka në zemër Mashkullorën…

    375
    Sigal

    Zaho Vasili është poet i heshtur. Shkruan dhe s’ndihet. Kur lindi më vitin 1950, shkova dhe urova prindërit e tij, Shpresën dhe Thimjon, një çift dinjitoz. Me  këtë rast  pashë dhe vogëlushin: E kishin mbështjellë dhe bënte gjumë. Ishte fytyrëkuq. Lëvizi pak këmbët. Kur u transferova nga Gjirokastra, e lashë 3 vjeç. Do hidhte shtat si gjithë filizat. Po nuk ma merrte mendja se ky “kolopuç” do të vinte një ditë dhe do të bëhej poet! Por kjo nuk ndodhi rastësisht. Kanë ndikuar tek ai: zgjuarsia natyrore, vullneti i hekurt, piktoreska e Mashkullorës, bukuria e qytetit të gurtë muze, Instituti i Lartë i Arteve që ka mbaruar…

    Atje ku është mbjellë barut…

    Njerëzit e familjes nga babai dhe nëna të Zahos, janë shquar si luftëtarë me armën e zjarrit. Mbahen mend si shtëpi dyfeku dhe të byreku. Të tilla qenë kohët. Kurse Zaho Vasili, si djalë e nip i të dy familjeve, duke jetuar në një kohë të re, ka marrë një armë tjetër: Penën. Edhe kjo “shkrepet” dhe lëshon zjarr! Poeti ka botuar njëmbëdhjetë libra letraro-artistike. Në prozë e në poezi.  Libri i fundit të tij është “Mashkullora ime”. Me stil tërheqës. Me mallin e zemrës. Zbukuruar me metafora. Me tematikë që mban erë barut. Libër që e s’të lëshon.  Ajo që të bie menjëherë në sy është dashuria e tij për fshatlindjen, që siç shkruan autori, “është shtëpia e patjetërsueshme e njeriut”. Është “dhoma që bën pjesë në shtëpinë e madhe të vendlindjes. Dhoma ku rritesh, vëllazërohesh, burrërohesh, pi gjirin e nënës, mëkohesh me trimëritë e të parëve”. Ajo qe shtëpia ime, atje unë si djalë u rrita/ Atje mora llastime, si nipi i parë u prita. Ndaj me krenari them: jam nga Mashkullora”! Që në fillim të librit, përmes vargjeve të goditur jepet pak histori. Gjëmon pushka e atdhetarëve. Në fshat është mbjellë barut. “Mali i Gjerë qe kraharori, me gjoks u mbrojt Mashkullora/ Si xixat që shkrep urori, nxori flakë ia bëri forra/ Mashkullorë simbol me Rrapin, djemtë lisa të kanë mbetur/ Historisë ia rritën shtatin, se të marrin gjak në vetull”. Dhe vazhdon me trima luftëtarë atdhetarë. “Çeçua ndezi vetëtimën, Çerçiz Topulli i lavdisë/ Plumbi nuk ia njojti shpinën, por ballin e trimërisë/ Zeman Haska, Mashkullora, strrall i fortë me syrin pishë/ Me këmbëzën lidhur tek dora, bërrylin i tregoi Turqisë”.

    Kur shkruan zemra…

    Shkruan dora, shkruan pena. Shkruan dhe zemra! Dhe ja një zemër poeti, që derdh në poezi shpirtin e tij të bardhë. Zemër që ka brënda Mashkullorën. Poezi që janë si një buqetë me lule ndjenjash të njoma, të cilat janë me aromën, bukurinë dhe freskinë e mëngjeseve pranverore, aromën e dashurisë së thellë për vendlindjen, për “Manushaqen” e Naimit. Zemër që vjershëron nëpër vargje, flet, shpreson, këndon. Zahua është me penë në dorë. Por nuk shkruan pena, shkruan zemra.  Kujtimet që ai rreshton në poezi, nuk janë vetëm të mendjes, por dhe të zemrës. Se zemra s’di të shkruaj ndryshe, veçse me ndjenjat njerëzore të saj: me dashuri, me drejtësi, me sinqeritet, me transparencë. Me gjuhën e zemrës autori flet për familjen, për të parët e saj, për traditat e bukura, për virtytet morale. Ndër të tjera kujton një këshillë të Gjysh Cikos, që jetoi 105 vjeç: “Biri im, të vërtetën asnjëherë mos e kurse/ Mos thirr në ndihmë gënjeshtrën, dhe me të mos bën hile”. Kur u nda nga jeta ky plak i fortë, që nuk i bënte dredha plumbit, zbriti një gua plakë nga Golëmi i largët dhe i shkoi për ngushëllim familjes, duke ligjëruar me vargje, që i ngrente aty për aty: “Që nga Golëmi u nisa/ Nuk të njihja, as të dija/ Vetëm pak kisha dëgjuar/ Se ishe burrë i nderuar”…

    .…Zaho Vasili është intelektual. Krahas punës trajton edhe probleme arsimore e kulturore. “Argëtimi i fshatit tonë, se nga shkolla të gjithë vinin/ Frymën e shkollës ku qenë, ata në fshat do ta binin/ Ndaj janë për t’u kujtuar, ndaj janë për t’u nderuar/ Ndaj janë të paharruar, të gjithë djem të kulturuar”…”Një grup i civilizuar, që fshatin e argëtonin/ Me estrada dhe me sportin, nëpër fshatra kudo shkonin”. “Edhe Zaten e mbaj mend, valles kur  i dil në kye/ Të mahniste me kërcim, sa bukur i kishte hije”…

    Mashkullora është fshat me histori, me natyrë të bukur, me njerëz të luftës e të punës, me harmoni shembullolre fetare. Fshat në rrëzë mali, që ka rritur atë farë djali. Një nga këta është Zaho Vasili. Është dashuria e zjarrtë që e bën këtë poet të shkujaj me zemër për fshatin e tij, për Mashkullorën e Çerçizit, që s’e njeh uljen e kujrrizit, ku çdo fshatar i ri e plak, vetm gjoksin ka me gjak! Duke lexuar librin “Mashkllora ime” të bashkëfshatarit tonë poet, me siguri çdo mashkulloriti, kudo që banon, sidomos atyre që janë larg dhe i ka pikur malli, u shtohet më tepër dashuria dhe malli për vendlindjen. Natyrisht, mallli shuhet më mirë kur shkon në fshat, por edhe kur lexon për të e për  banorët e tij, sidomos në poezi. Kur u khye nga emigrimi ekonomik pas 29 vjetësh, mashkulloriti J. T, shkroi një poezi, nga e cila po shkëpus dy srofa: “Erdha sot të të shikoj/ Ngula sytë te këta gurë/ Nga gëzimi po fluturoj/ Këtu nuk mërzitej kurrë/  Nga kurbeti u ktheva unë/ Erdha të ulem në gjunjë/ Të të puth e përgëzoj/ Me ty në zemër të rroj”.

    ***

         Libri “Mashkullora ime” ka vlera të veçanta patriotike, historike, shoqërore, artistike, morale. Autori e thotë vetë pse e shkroi këtë libër. Me sinqeritet e thjeshtësi ai shkruan: “Një zjarr që kisha përbrënda, më digj e s’më lij rehat/ Gjersa erdhi ky moment, zbraza zemrën gjerë e gjatë/ Thashë për fshatarët e mi ato që kisha në zemër/ Se janë mashkulloritë, dhe të gjthë kanë emër”. Është pikërisht kjo dashuri njerëzore që na mba në këmbë, ndaj me zemër i thuret këngë!