Sevo TARIFA/Kur mendja dhe zemra nuk ecin përherë dorë më dorë…

    815
    Sigal

    Truri dhe zemra janë dy organe jetësore të njeriut. Mendja e tij është pasuria dhe stolia më e madhe e tij. Është forca e mendimit ajo që e dallon njeriun nga kafshët. “Mendja e njeriut është si një parashutë, e cila po nuk u hap, nuk funksionon”. Ndërsa zemra është vatra simbolike e ndjenjave dhe e pasioneve të tij. Pa zemër s’ka jetë. Ajo lind e para dhe pushon e fundit. Kur mbarojnë tik-taket e saj, mbaron dhe vetë njeriu, i cili nuk “ndërron jetë”, siç thuhet shpesh, por ndahet nga jeta. Po a ka përputhje gjithnjë midis këtyre dy organeve, mendjes dhe zemrës?

    Në funksionet dhe rrugën e mendjes e të zemrës mund të dallojmë, të paktën, tri dukuri:

    1. Dukuria e parë është uniteti i zemrës dhe i mendjes. Bashkëveprimi përbën tiparin kryesor të tyre. Zemra ndien, mendja gjykon, arsyeton. Jeta na jep shumë shembuj. Në thelbin e zemrës të patriotit shkëlqen virtyti i lartë i atdhedashurisë, i cili në përgjithësi përshkon edhe mendjen jo me fjalë, por me vepra, duke e çuar jetën deri në sakrificën supreme. Modeli më i mirë është jeta dhe vepra e dëshmorëve, mendja dhe zemra e të cilëve janë përputhur plotësisht duke dhënë jetën në emër të Atdheut. “Virtyti i parë i njeriut është përkushtimi ndaj Atdheut”. (Napoleoni)

    Uniteti i mendimit dhe i zemrës ndodh jo vetëm në fushën e mbrojtjes së vendit, por edhe në punën për lulëzimin e tij. Kur një person ka në zemër ndjenjën e punës dhe rron me djersën e ballit, duke menduar dhe punuar me ndershmëri, bie qartë në sy veprimi i njëjtë i mendjes me zemrën. Bashkëveprimi midis tyre shfaqet deri në gjëra që duken të “vogla”. Për shembull, ka njerëz që gjejnë një portofol me një shumë të hollash, të cilat bëjnë çmos, kërkojnë t’ia japin atij ose asaj që i ka humbur!  Ky veprim pasqyron kombinimin e mendimit të pastër të njeriut me zemrën e tij të bardhë e bujare.

    Ai ose ajo që mendon dhe vepron për të thithur dituri, njëherazi i rreh zemra për t’u bërë i vlefshëm për  vete, për familjen dhe popullin. Po kështu, një djali, në zemrën e të cilit ka zënë rrënjë sinqeriteti dhe dashuron vërtetë një vajzë, shkon drejt krijimit të familjes së re dinjitoze. Ose zemra e maturantit plot vullnet të hekurt për të mësuar, veshur me mendimin e drejtë, bën që ai t’i marrë provimet  shkëlqyeshëm. Edhe pse mendja e një nxënësi tjetër i thotë:  “Unë do kopjoj, pse të lodhem si ti duke mësuar”, ndjenja e përgjegjësisë e ngulitur thellë në zemrën e tij nuk e çmobilizon atë, sepse të dy organet, zemra dhe mendja janë në harmoni.

    Krahas këtij uniteti pozitiv të mendjes e të zemrës, midis tyre ka edhe një unitet tjetër, negativ, i cili është i dëmshëm, çedukues dhe shkon deri në veprimtari krimesh. Kështu, zemra e një personi ka dëshirë të fitojë të ardhura, qoftë dhe me rrugë të shtrembër, me punë të zezë, përmes drogës ose shitjes së “mishit të bardhë”. Dhe mendja e tij mbetet dakord me zemrën. Ky unitet nuk na duhet. Përkundrazi, në këtë rast mendimi s’ka pse të  udhëhiqet nga dëshira e zemrës, por të komandojë për të parandaluar krimin.

    Kështu mund të reflektohet e të gjendjen gjurma të  “konsensusit” të mendjes e të zemrës në punë e në jetë, sidomos në fushën e ndërgjegjes, të virtyteve e të veseve të njeriut. Kur mbahen lartë virtytet, këta nuk kthehen në vese. Dhe s’ka më mirë kur zemra dhe mendja përbëjnë një “dueto” dhe “këndojnë” bukur së bashku, ecin dorë më dorë, zbukurojnë figurën e njeriut. Zemra që ndien ia lë “fjalën” mendjes. Çelësi gjendet, kur “shkruajnë e vulosin” të dyja organet jetike të njeriut: mendja dhe zemra.

    2. Dukuria e dytë kur ka mospërputhje midis zemrës dhe mendjes. Nuk janë të pakta rastet që këta dy organe s’janë në unitet, por kanë kundërshti, nuk puqen. Në raste të tilla problemi nuk zgjidhet drejt. Kështu, në zemër njëri ka një ves, ta zëmë është  vjedhës. Në qoftë se mendja i thotë “jo”, ose e qorton, e korrigjon, vjedhja mund të evitohet. Kur mendja qëndron indiferente dhe vendos zemra, vesi zhvillohet në prirje dhe vjedhësi vazhdon: “sot vjedh një person në autobus, nesër vjedh një apartament, pasnesër një dyqan dhe arrin deri në vjedhjen e një banke, bëhet “hajdut me çizme”!

    Ose, një djalë i shfaq dashurinë një vajze me një të parë, se  kështu i thotë zemra! Mendja nuk pyetet fare, se atë Ia merr dashuria, ndodh ajo për të cilën Didëro thotë: “Dashuria ua merr mendtë atyre që i kanë dhe ua jep atyre që s’i kanë”. Dhe shpesh herë ndodh që sot jepet fjala “për fejesë”, nesër bëhet ndarja! Dashuria kthehet në urrejtje. Nuk mbahet parasysh mësimi, sipas të cilit “Në miqësi duhet të pëlqesh, në dashuri duhet të përmbahesh”. Dhe mësimi tjetër: “Miqësia dhe dashuria janë dy bimë të një rrënje. Tek dashuria ka disa lule më shumë” (Klopstok).

    Një tjetri i ka “mbirë” në zemër gënjeshtra. Kjo duket në familje, në shkollë, në punë ose në jetë shoqërore. Mendja e tij nuk reagon. Asnjeri tjetër nuk e dikton, ose e sheh, por hesht. Ku e çon kjo rrugë? Gënjeshtra bëhet “me bisht”. Gënjeshtari njihet me gisht. Ose, dikush ka në zemër një mërzitje, një pezmatim, breng ose ankth dhe bëhet pesimist, i rëndet jeta dhe shkon deri në vetëvrasje! Në qoftë se mendja reagon, i thotë: “Mos! Jeta jepet vetëm një herë”! Dhe mund t’i delet të keqes përpara e njeriu të shpëtojë. Ndryshe ai vetëvritet, gjendet i varur ose i helmuar.

    3. Dukuria e tretë, kundërshtitë nuk ndodhin vetëm  midis zemrës dhe mendjes të një njeriut, por edhe midis njerëzve me njëri-tjetrin. Ti del në pazar dhe sheh një send të mirë, por të shtrenjtë, i cili  të pëlqen dhe dëshiron pa tjetër ta blesh. Je i shoqëruar me një tjetër, mendja e të cilit të thotë: “Shih portofolin, ke mundësi financiare”? Nëse rezulton se këtë mundësi e ke, sendin e blen. Zemrës i plotësohet një dëshirë. Kontradikta zgjidhet. Kur nuk e ke këtë mundësi, nuk triumfon zemra, por mendja që e parandaloi atë, së cilës nuk iu plotësua dëshira e saj.

    Në fushën e ndërgjegjes ka edhe kundërshti që mbeten pa zgjidhur, edhe pse janë me kosto. A nuk ndodhi kështu, kur një baba vrau djalin se shkoi në një dasëm të familjes së dajos, me të cilin ai “nuk fliste” dhe djali “nuk mori leje nga i ati”?! Iku një jetë. Pushoi një zemër e re. Fitoi një inat me rrënjë në zemër. Ose, kur zemra e njërit shpreh një urrejtje, e cila nuk ka rënë në “marrëveshje” me mendjen, arrihet deri në vrasjen e vëllait nga vëllai,  për një copë tokë, për një kanal që hapet ose një gardh që ndan pronën private të njërit e tjetrit.Dikush ka një shqetësim në zemër, shkon të qajë një hall tek zyrtari përkatës dhe, për ta zgjidhur kërkesën e drejtë, mendon t’i japë “nën dorë” këtij të fundit një zarf me një shumë të hollash, të cilin pushtetari  e merr dhe e fut në xhep! Në këtë rast “sëmundja” e ka emrin korrupsion, dy zemra dhe dy mendje mbeten dakord dhe ushqejnë një të keqe të madhe. Pushteti shpërdorohet. “Çdo pushtet i shpërdoruar i ka ditët të numëruara”. (Seneka). Më rrallë ndodh që në pranimin e ryshfetit mendja dhe zemra janë në kontradiktë: mendja e krimbur thotë: “merre ryshfetin”, zemra e ndershme shprehet: ”Mos e prano”! Në të dy rastet problemi zgjidhet herë në favor të mendjes, herë në favor të zemrës. Pushtetari “i krimbur” mendon: “Sa të jem në këtë karrige, të pasurohem”! Dhe rrugën e gjen duke parë duart e hallexhinjve, për ndonjë zarf, ose duke vjedhur edhe pse ndoshta i di këshillat: “Një burrë shteti nuk duhet të grumbullojë pasuri të madhe” (Soloni); “Po të marrë mbreti një vezë nga fshatari, ministrat e tij do të rrëmbejnë të gjitha pulat e fshatit”. (Sadiu); “Pushteti ka prirje të korruptojë dhe pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute” (Xh. Akton). “Qeveri do të thotë drejtësi dhe qetësi. Atje ku këto nuk ekzistojnë, s’mund të bëhet fjalë për qeveri” (F. Gylen). “Qeveritarët janë velat, populli është era, shteti është anija dhe koha është deti” (daneze).

    Ka një tezë filozofike, në themel të së cilës qëndron vërtetimi nga praktika. “Zemra dhe mendja nuk ecin gjithnjë dorë më dorë së bashku” Herë fiton njëra, herë tjetra. Kur zemra kërkon t’i plotësohet një ndjenjë, një dëshirë, një kërkesë, por mendja nuk është dakord, në këtë rast “zemra është vegël e mendjes”. Pse? Se “zemra është si fëmija, kujton se bëhet gjithçka që dëshiron” (Sami Frashëri). Ndodh edhe ndryshe: mendja thotë “jo”, zemra shprehet “po”. Në raste të tilla, kur bëhet siç thotë zemra,  “mendja është skllave e zemrës”. Si duhet vepruar? E mira është që gjithnjë të komandojë mendja. Kjo ndodh kur  sundon logjika mbi ndjenjat dhe jo e kundërta, ndjenjat mbi logjikën, mbi arsyen.