Seseri i thotë jo propozimit të Ramës për Guvernator i BSH-së

442
Sigal

Ish- deputetja e PS-së, Rudina Seseri ka hedhur poshtë aludimet se mund të jetë ajo kandidatja për Guvernator të Bankës së Shqipërisë e propozuar nga Kryeministri Edi Rama. Seseri ka deklaruar se, aludimet për një angazhim të mundshëm të saj në BSH janë të pavërteta dhe se ajo nuk ka interes për postin e Guvernatorit të Bankës. “Aludimet se mund të angazhohem me BSH,janë të pavërteta. Nuk kam shprehur kurrë interes për rolin e Guvernatorit. Përgjegjësitë e mia profesionale në SHBA janë afatgjata dhe gjithëpërfshirëse. Do ta mbështes dhe dua vendin tim të lindjes, por këtë do ta bëj nga larg”,- është shprehur Seseri. Kryeministri Rama deklaroi se në krye të Bankës së Shqipërisë mund të jetë një femër që aktualisht punon në sistemin financiar    ndërkombëtar. Edhe pse kryeministri nuk e përmendi me emër, ky profil dukej se përshtatej plotësisht ish-deputetes së PS-së, Rudina Seseri, e cila punon në një institucion financiar privat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë, gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës” ajo u shpreh se, Bordi Mbikëqyrës i Bankës ka dështuar në përgjegjësinë e vet të mbrojtjes së interesave të publikut, ndërsa ish-guvernatori sipas saj, kishte dështuar edhe si kryetar i këtij bordi dhe si drejtues i anës zbatuese të bankës.