Servet PËLLUMBI/Integrimi në BE dhe Nacionalizmi

    402
    Sigal

    Reflektime nga libri “Integrimi dhe Nacionalizmi”: Nevoja për një mentalitet e këndvështrim europian, një kulturë tjetër, një mënyrë të re europiane të bërit politikë

    Në botën e sotme të sfidave të globalizmit, të papërcaktueshmërive në rritje, të ndryshimeve të shpejta dhe të mungesës së besimit, para forcave politike shqiptare ndihet jo mungesa e retorikës nacionaliste, por nevoja e një kohezioni social, e një vizioni dhe projekti të përbashkët zhvillimi, modernizimi dhe integrimi të Shqipërisë. Në rrafshin metodologjik, çështja shtrohet: do të nisemi nga teza që e vë theksin te lufta për pranim, për njohjen e ndërsjellë e pëlqim (Hegel), si burim civilizimi në një realitet që shpallet real dhe i arsyeshëm, apo nga teza themelore është ndryshimi i botes (Marks), sipas së cilës njerëzit me veprimtarinë e tyre ndryshojnë rrethanat dhe vetveten për t’u vetërealizuar në një realitet të ndryshuar e më adekuat. Pra, ndryshim i botës për të ndryshuar edhe veten, për t’i hapur rrugën dominimit të etikës në marrëdhëniet njerëzore. Këndvështrime të tilla filozofike, historikisht janë konsideruar të kundërt e të papajtueshëm, kurse sot mund të shihen si plotësim të njëri-tjetrit. Duke mbrojtur linjën e një metodologjie të tillë sintezë, që e përkthyer në një gjuhë më të thjeshtë, për rastin e integrimit të Shqipërisë do të kërkonte që integrimin e saj në Bashkësinë Europiane ta trajtojmë edhe si luftë për pranim e afirmim në një realitet më të zhvilluar nga yni, edhe si luftë për transformim të botës, si zhvillim e modernizim të Shqipërisë nga vetë shqiptarët, si përmbysje në mentalitetin, në kulturën politike e demokratike të tyre, e reflektuar edhe në një bashkim të ri e faktorizues kombëtar me identitet të spikatur. Kështu, në demonstratat e dhjetorit 1990 e në vazhdim filloi të qarkullojë parulla “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, më pas ajo u bë edhe më e goditur e më aktive, “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”. Gjithsesi, bëhej fjalë për një ndjesi të re, për një ide strategjike gjithëpërfshirëse që u vu në rendin e ditës për modernizim e ripërtëritje kombëtare, në një vend si Shqipëria që duhej të kapërcente prapambetjen, izolimin, kufizimet, të mënjanonte përjashtimin apo dhe mburrjen për qenien e njërit më europian se tjetri! Çështja është: sa dhe si u pranua kjo ide në gjithë dimensionet e veta nga forcat politike shqiptare? Kanë kaluar 22 vjet nga koha e rënies së Murit të Berlinit dhe vendet ish-socialiste që në një formë apo në një tjetër hynë në rrugën e demokracisë, duke sjellë secili vend përvoja e veçori në ndërtimin e demokracisë, gjenden para problemesh serioze të zhvillimit dhe modernizimit të tyre. Gjithsesi, tashmë është bërë e qartë se ishte relativisht më lehtë përmbysja e sistemit të ekonomisë së komanduar, sesa zëvendësimi i tij nga sistemi demokratik i bazuar mbi ekonominë e tregut, mbi rregulla të gjithëpranuara, me institucione dhe gjykata të pavarura, me të drejta dhe liri të individit të garantuara. E tillë rezulton të jetë edhe çështja e integrimit, e përcaktimit të “trasesë” në të cilën duhet të lëvizë një vend që futet rishtas në rrugën e demokracisë (siç është rasti i Shqipërisë), drejt një komuniteti më të zhvilluar transnacional (mbinacional) si Europa e Bashkuar. Integrimi në këtë rast është ide dhe zhvillim, madje jo vetëm zhvillim e modernizim ekonomik, por dhe projekt i një ripërtëritjeje sociale, kulturore dhe morale, një lloj sinergjie e qytetarëve dhe elitave të kombit. Kjo e bën integrimin një alternativë sociale në thelbin e vet. Le t’i referohemi më konkretisht përvojës së Shqipërisë në raport me një kuptim të tillë të idesë së integrimit. Pa mohuar transformimet e mëdha që kanë ndodhur gjatë 21 viteve falë hapjes së ekonomisë, iniciativës private dhe stimujve që përmban ekonomia e tregut, demokracia vazhdon të jetë problematike dhe e kërcënuar, ideja dhe perspektiva e integrimit në BE e paqartë, shpesh konfuze dhe pa progres bindës, sepse interesa të ngushta të luftës partiake për pushtet dhe dominim të klaneve dhe e oligarkisë ekonomiko-financiare janë ngritur mbi interesat e së ardhmes. Në rrethana të tilla, limiti i mosbesimit të njerëzve te demokracia vazhdon të jetë, së pari, pasojë e tjetërsimit të qytetarëve nga politika dhe nga pushteti që formalisht ngrihet mbi votën e tyre; së dyti, pasojë e zhgënjimit të njerëzve nga ideja e integrimit në BE sepse edhe kjo vazhdon të trajtohet më tepër si një dëshirë që qëndron diku larg në horizont (si dikur ideja e komunizmit), ndjesi që mbahet gjallë nga që palët politike nuk po arrijnë të bashkëpunojnë për të gjetur mundësitë politike dhe rrugët konkrete që e afrojnë dhe e shpejtojnë integrimin. Për logjikën e palëve politike në konflikt permanent, edhe ideja e integrimit shndërrohet në një sherr atomik (sipas shprehjes së zyrtarit të lartë europian Sanino). Ndërkohë, që “korridori i mundësive” është i ngushtë dhe të ndreqësh gabimet është më e rëndësishme sesa të mos gabosh. Respektimi i konstantes së integrimit (term i huazuar nga matematika) me të cilën kuptohet një numër i caktuar i çfarëdoshëm standardesh që pranohet si i tillë (Fjalori politik i Oxfordit, f- 527), dëshmon gjithsesi për një proces “integrimi të caktuar” që nuk ka të bëjë me hile politikanësh koniukturalë. Rigoroziteti në këtë çështje vazhdon të jetë “zona e nxehtë” për konceptin dhe politikat e integrimit jo vetëm tek ne, por dhe brenda vetë BE-së, sepse “qytetarët e çdo vendi… janë duke vepruar brenda një hapësire konstitucionale gri” (Jurgen Habermas, Misioni i filozofit për të shpëtuar BE-në, shkurt 2012). Ndërkohë, tek ne, mosplotësimi i kritereve për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, për tre vjet me radhë ka çuar në rënien e mbështetjes së idesë së integrimit. Nga anketimi për vitin 2011 del se niveli i mbështetjes së shqiptarëve për integrimin në BE ka rënie të ndjeshme, nga 93.4 për qind që ishte një vit më parë, në 80.7 për qind këtë vit. Më konkretisht: 10.5 për qind e të anketuarve janë kundër, kurse 8.8 për qind të pavendosur (Albanian Institute for International Studies, 2011, f. 14). Megjithatë edhe pse BE ka probleme serioze të brendshme, politika shqiptare nuk duhet të priret nga euroskepticizmi dhe të neglizhojë idenë e integrimit, sepse në thelb, sipas zyrtarit të BE-së për marrëdhënie me jashtë, Dimitar Bechov, integrimi do parë me prioritet “si perspektivë europiane dhe prosperitet…, si proces për të ndërtuar shtete moderne dhe funksionale” (Dimitar Bechov, Qarku i integruar. The Economist, 09.09.2012). Në këtë rrafsh, “trysnia pozitive” europiane mbi vende si Shqipëria që synojnë integrimin në BE, luan një rol specifik për të bashkuar politikën me shoqërinë, krahët e ndryshëm politikës në mes tyre, elitën drejtuese me njerëzit e thjeshtë, të sotmen me të ardhmen… Gjithsesi, pa mohuar problemet me të cilat ndeshet sot BE-ja, më duket e ekzagjeruar pikëpamja që e sheh Europën në një lëvizje drejt rënies pa shpëtim dhe se vendet që duan t’i ngjajnë Europës “po dështojnë, përfshi dhe ne”. Edhe më e dyshimtë bëhet një pikëpamje e tillë kur si faktorë të një të ardhmeje të tillë të zymtë për Europën, nuk quhet as kriza, as deficiti i demokracisë, por kisha, partitë dhe se “Europa mendon më shumë për pleqërinë”, pra është sociale e kjo qenka negative! Prej këtej vjen dhe sugjerimi befasues i deputetit dhe anëtarit të kryesisë së Partisë Socialiste që fitoi zgjedhjet e 23 qershorit 2013 dhe do të qeverisë vendin: “Europa po kalon në hije, sepse si çdo diell edhe ajo lëviz. Shumë njerëz po kthehen prej aty. Nuk kanë më punë. Nuk kanë më shpresë. Çka na bën të ngadalësojmë lëvizjen drejt saj” (Ben Blushi, Europa në krizë për shkak të Kishës dhe partive. Ese, Panorama, 2013, 04, 01).

    Një shtrim i tillë i problemit tejkalon çdo variant euroskepticizmi, sepse realisht kërkon ndërrimin e boshtit strategjik të politikës shqiptare që deri tani ka qenë i orientuar drejt integrimit evropian. Kjo përbën gati të vetmen gjë për të cilën partitë politike shqiptare kanë një konsensus, kurse rreth 90 për qind e shqiptarëve sipas sondazheve të përvitshme shprehen pro integrimit. Për mendimin tonë, ka vend për ta parë me sy kritik atë që po ndodh në Europe dhe le të kemi mendimin tonë të pavarur edhe për këtë çështje përderisa politika nuk është e nuk duhet të jetë një imitacion. Megjithatë, themelore mbetet që Shqipëria të avancojë në rrugën e integrimit dhe që do të thotë, zhvillim, emancipim dhe modernizim i saj sipas modelit të vendeve të zhvilluara.

    Në këtë vështrim, nuk ka kuptim që të “ngadalësojmë lëvizjen” drejt integrimit në BE, por përkundrazi, që ta bëjmë lëvizjen përpara më me vendosmëri dhe me ritme më të larta. Më konkretisht, për të hedhur hapat; së pari, drejt arritjes së një Pakti, apo një Programi Kombëtar antikrizë, në themel të të cilit të qëndronte vlerësimi realist i pasojave të krizës globale mbi ekonominë shqiptare, sepse veçse humbasim duke iu “fshehur” pasojave të saj; së dyti, drejt një vlerësimi kritik të përgjegjësisë së klasës politike shqiptare për spontanitetin që vazhdon prej vitesh, sidomos në përcaktimin e prioriteteve të zhvillimit ekonomik; së treti, për një kohezion politik e social që do të mënjanonte zinxhirin e ngërçeve politike dhe ndikimin e tyre negativ për kryerjen e reformave dhe për të parandaluar shumë nga pasojat e zbatimit një lloj liberalizmi anarkik, të cilin vendet e zhvilluara të Perëndimit ka kohë që e kanë rishikuar në mënyrë thelbësore.

    Një pakt i tillë, mendoj, se do të hapte rrugën dhe për një filozofi e strategji kombëtare të zhvillimit afatgjatë dhe të modernizimit të Shqipërisë, që sipas Hutingtonit përfshin: “industrializimin, urbanizimin, ngritjen e shkallëve të shkollimit, edukimit, pasurisë e mobilizimit shoqëror, si dhe struktura punësimi më të ndërlikuara e të larmishme (S. Hutington, Përplasja e qytetërimeve, Logos, f. 98). Strategjike në këtë rast do të ishte një vlerësim kompleks i qëllimeve, mjeteve dhe rezultateve të pritshme, në lidhje të ngushtë me mjedisin e veprimtarisë së shtrirë në kohë. Për çështje të tilla kërkohet me prioritet konsensusi i opozitës, pa u reduktuar vetëm për ndonjë ligj me votim të cilësuar siç ndodh aktualisht! Realisht, inteligjenca e vendit dhe shkenca shqiptare, aq sa ka mbetur pas emigrimit të trurit në vite, duhet të alarmohen seriozisht nga papërgjegjshmëria e politikës, sepse Shqipëria vazhdon të ecë “në tym” pa e pasur të qartë as modelin ekonomik që duhet të ndjekë, as raportet midis publikes dhe privates në një shoqëri moderne. Krahas zhvillimit e modernizimit të ekonomisë, Shqipëria ka nevojë të ngutshme edhe për një ripërtëritje sociale, kulturore dhe morale, për një sinergji te re të qytetarëve me elitën intelektuale të vendit. Si fillim, le të eksperimentohet që të bashkohen të gjitha krahët e politikës rreth një strategjie unike kombëtare zhvillimi e modernizimi dhe një qëndrimi moral ndaj lakmisë për pasurime të paligjshme dhe korrupsion. Gjithashtu, le t’i hapet rruga hartimit të një strategjie si dokument shkencor dhe si bazë për një konsensus sa më të gjerë kombëtar, duke e nisur me hartimin e një strategjie afatmesme, pra deri në vitin 2020 apo 2030. Kjo do të kishte qenë një dhuratë shumë e mirëpritur për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. E ritheksoj, se Shqipërisë i duhet doemos një koncept i qartë mbi zhvillimin e ardhshëm, i parë si një proces kompleks e sistemor, që përfshin të gjitha lëmejtë e jetës që mbështesin e plotësojnë njëri-tjetrin dhe i hapin rrugën mobilizimit të burimeve tona ekonomike dhe kapaciteteve tona njerëzore. Prandaj, Shqipërisë që synon të integrohet në BE nuk i duhen parulla apo retorikë nacionaliste dhe as eufori në vend të një procesi real zhvillimi e modernizimi.

    Ndër çështjet që presin prej vitesh një përgjigje të përbashkët të politikës dhe të ekspertëve mund të ishin: a do të vazhdohet edhe më tej në rrugën e ç’industrializimit të vendit duke u dhënë prioritet frutave, ullinjve, arrave e bajameve, boronicave etj., apo pa hequr dorë prej tyre theksi do të vihet më mirë te zhvillimi industrial dhe energjetik i vendit? Lidhur me pasuritë e mëdha që ka vendi ynë do të ndjekim rrugën e zhvillimit “si vend lëndësh të para”, të shitjes apo të dhënies me koncesion, apo edhe atë të përpunimit të tyre industrial brenda limiteve dhe mundësive tona, përfshi dhe kooperimin ndërkombëtar? Për punësimin do të ndjekim politika më aktive apo do të vazhdojmë “ta zbusim” atë përmes migrimeve kaotike dhe emigracionit pa kthim? Do të mbështesim modelin ekonomik të quajtur nga Berisha si “model suksesi”, atë të parashtruar nga PS në Kongresin e saj të 5 nëntorit 2011, apo ndonjë model tjetër që mund të dalë nga një debat i gjerë publik, pra jo vetëm në formën e tavolinave partiake? Më tej, në ç’drejtime duhen ndryshuar e përmirësuar Kodet e sjelljes, që të jenë adekuate për një mjedis të gjerë, modern e demokratik dhe që ecja jonë përpara të marrë dimensionet e një veprimtarie jo rutinore, por krijuese?

    Çështje të tilla janë të hapura, bazë për dialog real e të frytshëm dhe kërkojnë integrim të dallimeve, garë demokratike për reformimin rrënjësor të sistemit politik, pranim me transparencë të nevojës së konvergimit te një filozofi politike dhe strategji kombëtare zhvillimi, pra te një vizion dhe gjuhë me të cilën duhet të flasë politika shqiptare që të dëshmojë se integrimin e ka bërë vizion të vetin. Si kusht paraprak, kjo do të kërkonte së pari, krijimin e një opinioni publik të shëndoshë në vend të retorikës nacionaliste, që do të insistonte në ndalimin e shpejtë të inercisë së konfliktualitetit rraskapitës; së dyti, ndryshimin e elitave jo thjesht për të ardhur disa emra të rinj kalimtarë si deri tani, por për të formuar një mentalitet e këndvështrim europian, një kulturë tjetër, një mënyrë të re europiane të bërit politikë.