Seri Allushi/ Qeveria, jo demagogji, por kthimin fizik të pronave

    479
    Sigal

    Shkrimi me titull “(Mos) kthimi i Pronave i botuar në gazetën “Telegraf” në datën 21. 11.2014, pasqyron me vërtetësi absolute masakrën shtetërore që kanë bërë drejtuesit kryesorë të Politikës Shqiptare, pas vitit 1990. Moria e ligjeve e vendimeve që kanë miratuar në Parlament e Qeveri, jo për ta zgjidhur kthimin e pronës, por për ta bërë sa më konfliktuale tregon sa papërgjegjshmërinë aq edhe keqdashjen e tyre. Kjo ka ndodhur, sepse liderët kryesor të PD/ PS-së, etj., kanë qenë të interesuar që situata të jetë e tillë, në mënyrë që të mundësonin korrupsionin. Shkrimi prezanton me shifra konkrete situatën tejet konfliktuale, tërësisht antikushtetuese, tërësisht në kundërshtim me Konventat Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe që tërë populli shqiptar është në armiqësi me njëri-tjetrin. Si mundet, që një drejtues lider i një partie të kërkojë nga populli që ta votojë për ta qeverisur, kur gjithë popullin e kishte dhe e ka në konflikt të përjetshëm dhe, megjithëse, premton nuk e zgjidh konfliktin? Si mundet që një parti politike të kërkojë qeverisjen, duke mos garantuar zbatimin e Kushtetutës, e pasi fiton, deklaron se do zbatojmë 7501-n? Pse Presidenti i Republikës, megjithëse kur merr detyrën, BETOHET se do garantojë zbatimin e Kushtetutës dhe kjo është detyra kryesore e tij, qëndron në detyrë, kur nuk e garanton zbatimin e saj? Po Gjykata Kushtetuese përse është e përse paguhet? Janë qindra letra, peticione, shkrime, etj., të bëra për kthimin e pronës, nga shoqatat e pronarëve, nga komunitete të fshatrave e mijëra të tjera të bëra nga individë, që në këto 23 vite i janë drejtuar me radhë drejtuesve të shtetit, presidentëve, kryeministrave, Gjykatës Kushtetuese, gjithë institucioneve vendore, por asnjë reagim, të gjithë bëjnë shurdhin. Maxhoranca aktuale politike, jo vetëm që nuk e mbajti fjalën, por po bën edhe karshëllëk, duke e quajtur tashmë çështje të mbyllur, kthimin e pronës, pasi kanë kaluar 23 vjet, por ne i themi Kryeministrit, se Kushtetuta ia njeh pronën atij që e ka trashëguar në shekuj e jo pronarit që fabrikoi qeveria pseudodemokratike e tipit komunist…

    Ndërkohë, PD ngre popullin në protestë se po na ngrihet çmimi i energjisë elektrike etj., njëherësh që për problemin e MOS kthimit të pronës nuk shqetësohet fare. Çmimet e mallrave herë do ngrihen e herë do ulen, por çështja e pronave është fondamentale. Kryeministri ka problem portretin e Enverit, bunkerin e Enverit, dosjet e Enverit etj., por për ne pronarët, tashmë ato nuk kanë asnjë vlerë, ato mund të vlejnë vetëm për “Shou politik”. Rëndësi ka se ç’mendon e ç’koncepte ka Qeveria për kthimin e pronës pronarit që e trashëgon, sepse kjo është A-ja dhe thelbi i një sistemi ekonomiko-shoqëror, e përcaktuar qartë e prerë në Konventën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Kjo që po ndodh në Shqipëri, lidhur me moskthimin e pronave dhe moszbatimin e Kushtetutës është handikapi më absurd që mund të ketë ndodhur në Historinë e Popullit Shqiptar, sepse edhe kolektivizimi që bëri Enveri, tokën e konsideronte pronë grupi, pra, secili që ishte bashkëformues i kooperativës ishte edhe bashkëpronar. Por, çuditërisht regjimi postkomunist ligjëroi mosnjohjen e pronës, duke vërtetuar se ishte një regjim absolutisht antidemokratik, sepse ndarja e tokës për frymë të popullatës në mënyrë të barabartë ishte në kundërshtim me Konventat Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe Paketën Kushtetuese. Të gjitha qeveritë që erdhën në Shqipëri, pas asaj të Sali Berishës që nxori Ligjin antikushtetues 7501, ruajtën, amenduan, zbatuan e thelluan me akte ligjore e nënligjore qëndrimin antipronar e antikushtetues. Sa për dijeni, në historinë e tij populli shqiptar është qeverisur me 11 Kushtetuta dhe që të gjitha njihnin dhe mbronin Pronën Private, si dhe zbatoheshin nga qeveritë përkatëse. Vetëm qeveritë post komuniste në Shqipëri nuk e zbatojnë Kushtetutën, megjithëse është miratuar me referendum mbarëpopullor. Edhe qeveria “Rama”, që po rreh gjoksin se kjo maxhorancë do bëjë shtet, është deklaruar se për kthimin e pronës tek i zoti trashëgimtar nuk do ta zbatojë Kushtetutën! Por, njëherësh zotohet se do bëjë medoemos reformë në drejtësi d.m.th. që në Shqipëri drejtësia të zbatojë ligjet dhe të japë të drejtën atij që i takon, d.m.th. bën demagogji, sepse çfarë drejtësie do bëjë Qeveria, derisa vetëdeklarohet se për pronat do zbatojë Ligjin 7501, pastaj pas kësaj do zbatojë Kushtetutën? Reformë në drejtësi nuk do të thotë që të hiqen disa gjyqtarë apo prokurorë e të zëvendësohen me të tjerë, por të revizionohet gjithë sistemi i drejtësisë dhe gjithë legjislacioni konform Kushtetutës dhe Konventave Europiane, si dhe të korrigjohen e shfuqizohen gjithë ligjet dhe vendimet e padrejta e gjithçka e bërë antikushtetuese. Kryeministri ynë i kërkon qeverisë së Serbisë që të respektojë të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe shumë mirë e bën, por kjo është “bëni si them unë e mos bëni si bëj unë”, sepse neve nuk po na i kthen pronat. Zgjidhja e situatës mjerane me pronat kërkon përgjegjësi të qeverisë e jo demagogji, sepse askush nuk duhet të mendojë se me disa ligje antikushtetuese e në përmbajtje komuniste mundet që ta uzurpojë pronën e tjetrit. Askush nuk mund të mendojë se sa herë që ndërrohen qeveritë, populli dashka të ndryshojë pronat dhe sinoret e tyre. Ndërkohë, qeveria kërkon të bëhemi evropianë, pra, të futemi në BE, por, a do pranojë BE-ja shtete që nuk zbatojnë as Kushtetutën e tyre e jo më rregullat e Europës?