Serenatë vjedhjesh në Korçë, netët pa hënë po bëhen të frikshme

    446
    Sigal

    Çdo ditë vidhen dyqane, lokale, banesa, argjendari, dhen e lopë, nuk po mungojnë as vjedhëset femra

    KORÇË- Tashmë në Korçë çdo mëngjes mund të dëgjosh “serenata” të trishtuara dhimbjesh, mund të vëresh pikëllim në sytë e njerëzve, dëshpërimin që nuk e fshehin dot. Gjëmën që u ka ndodhur janë gati t’ua tregojnë edhe të tjerëve, sepse nuk e mbajnë dot vetëm. Më së shumti, ato që dalin te sofati i portës për t’ia shprehur dhimbjen edhe fqinjës, janë gra. Dikujt gjatë natës i është vjedhur shtëpia, një tjetri i është vjedhur dyqani, një të treti bagëtia,… Rrëfimet nuk kanë të sosur. Në qarkun e Korçës çdo ditë kryhet një vjedhje por më të shumtat ndodhin në Korçë, në qytetin e famshëm të serenatave. Deri më tani ishin vjedhur kusiçka, tepsiçka e kapaçka prej alumini ose bakri që shiteshin për skrap, vegla pune, porta prej hekuri, tubo uji, matës të ujësjellësit e gjithçka tjetër prej metali, por aktualisht nuk ka mbetur asgjë e tillë. Shqipëria u pastrua nga mbetjet metalike, Korça “u kreh” cepkë më cepkë dhe tani rezulton të jetë “sterile”. Vjedhësit kanë filluar të vjedhin banesa, dyqane, argjendari, klube. Vjedhje të tilla ka pasur edhe më parë, por tashmë duket se janë bërë edhe më të shumta. Netët pa hënë kanë filluar të bëhen të frikshme, nëpër rrugë fshihen vjedhës dhe grabitës

    Lajmet…

    E ndërsa nata largohet dhe mëngjesi vjen, njerëzit përpiqen të mësojnë çfarë ka ndodhur gjatë natës. Duan të marrin vesh, a ka pasur shtëpi të vjedhura, në ç’ lagje kanë mësyrë hajdutët, kush ka qenë shënjestra e tyre, sa afër ndodhen me lagjet ku ata banojnë. Dhe lajmet e vjedhjeve nuk mungojnë. Burimet policore raportojnë vazhdimisht: “Më datë 03.02.2015, gjatë natës, është vjedhur banesa e papërfunduar e shtetasit S.A, banues në lagjen nr. 5 të Korçës, ku dyshohet se kanë marrë vegla pune me vlerë 1000 euro. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre…” Lajmi tjetër i po atij mëngjesi: “Më datë 03.02.2015, filloi procedimi penal, si dhe u bë shpallja në kërkim për shtetasin A.L, vjeç 36, banues në lagjen 14 Korçë, pasi gjatë natës, në lagjen 2, në banesën e shtetases J.M, vjeç 26 , banuese në lagjen 2, dyshohet se ka vjedhur 8 aparate celular të përdorur, të markave të ndryshme, të cilat u bllokuan në cilësinë e provës materiale…”. Edhe mëngjeset e tjera vijnë me të njëjtin subjekt drame, vjedhës që kanë rrëmbyer mundin e tjetrit dhe viktima që nuk di “si ta qajë” dhe si ta rrëfejë hallin e saj. Në vjedhjen e radhës thuhet: “Më datë 05.02.2015 , në lagjen 7 Korçë, është konstatuar e vjedhur banesa e shtetasit M.T. Autor -i/ ët, dyshohet se kanë marrë 80.000 lekë dhe një kompjuter…”. Në raste të tilla, zonjave të shtëpisë nuk u mbetet gjë tjetër veçse të dalin te pragu i sofatit dhe të qajnë hallin me fqinjën, së cilës ende nuk i ka ardhur radha të grabitet

    Dhuna në rritje
    Lajmet e vjedhjes janë menyja e përhershme e mëngjese të Korçës, si çaji me djathin. Tashmë vjedhësi është bërë si “miku i shtëpisë”. Gjithnjë dëgjon të flitet për të. Madje të vjen ta pyesësh gjithë kërshëri spikerin e lajmeve: “ Po me shëndet si janë, se na kanë vënë në merak të madh?!” Dhe ata nuk mungojnë të shfaqen çdo ditë. Së fundi kanë filluar të bëhen edhe më i frikshëm. Kur e vënë në shënjestër një banesë nuk tërhiqen prej saj për asnjë çast, nuk mund ta lënë pa e vjedhur. Vendosmëria e tyre është “për t’u admiruar”. Nëse puna u’a kërkon thyerjen e dritares, shkatërrimin e derës, prerjen e portës, shembjen e murit, nuk ngurojnë. Banesat e emigrantëve, kur ata ndodhen në mërgim, janë pasioni i veçantë i tyre, magjia që nuk i lë asnjë çast të qetë. Raportimi i burimeve policore edhe për raste të tilla nuk mungon: “Më datë 08.02.2015, gjatë natës, në lagjen nr. 4 të Korçës, nga persona të pa identifikuar është tentuar të vidhet me thyerje banesa e shtetasit K.K, emigrant në Greqi…” Më datë 09.02.2015, gjatë natës, në lagjen nr. 13-të, Korçë, është vjedhur me thyerje banesa e shtetasit I.K. Autori/ët dyshohet se kanë marrë një shume prej 65 000 lekë dhe disa letra me vlerë (75 000 lekë)…”
    Rretheqark

    Por lajme të tilla nuk dëgjohen vetëm brenda qytetit të Korçës, edhe rrotull tij për të njëjtat habere flitet, veçse nëpër katundet përqark parapëlqehet të vidhen bagëti, lopë, dhen, shqerra, prodhime bujqësore e gjithçka të veçantë që ofron fshati. Nëse të takon fati i keq, mund të gdhihesh i varfër, i dëshpëruar dhe i pashpresë, por gjithsesi me mendimin se mund të kapen nga policia. Kthimi i bagëtive mund të jetë festë e madhe:
    Burimet policore sjellin edhe raste të tilla: “Më datë 12.02.2015, u bë kapja dhe arrestimi i shtetasve: A. Gj, vjeç 53, I D., vjeç 26, banues në fshatin Rrëmbec – Korçë dhe I. K. vjeç 29, banues në lagjen 15, Korçë, pasi këta shtetas dyshohet se janë autorët e vjedhjes në haurin e bagëtive të shtetasit S.D. Bagëtitë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale …” Por në fshat, përveç bagëtive, mund të vidhen edhe dyqanet dhe lokalet: “Më datë 15.02.2015, në fshatin Mborje të Korçës, gjatë natës, është vjedhur me thyerje dyqani i shtetasit P.K, ku autorët, dyshohet se kanë marrë 5 litra vaj ushqimor dhe 50 paketa cigare…. Ja edhe një rast tjetër: “Më datë 17.02.2015, gjatë orëve të natës, në fshatin Sovjan të Korçës është vjedhur me thyerje lokali i shtetasit G.Ç, banues në Sovjan, duke përvetësuar 5 televizorë plazma të markave të ndryshme…”
    Vjedhëse edhe femrat
    Nga gjithë kjo që po ndodh kohët e fundit, banorëve të Korçës dhe të fshatrave u duhet të jenë edhe më të kujdesëm. Së fundi ka filluar të shfaqet edhe një fenomen tjetër, vjedhja nëpërmjet mashtrimit dhe vjedhëset femra, të cilat janë prezantuar jo më pak të rrezikshme nga meshkujt. Në raste mashtrimesh mund ta humbasësh pasurinë dhe të mos e gjesh dot kurrë, veçanërisht kur jep lekë borxh pa një dokument të firmosur te noteri. Vjedhjet me mashtrim shfaqen kohë pas kohe, Mashtruesit janë të aftë të shfrytëzojnë besimin e njerëzve, të miqve, të kolegëve, të të afërmve etj. Muaji shkurt e shënoi një rast të tillë: “Më datë 17.02.2015, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin V.N, vjeç 48, banues në lagjen 12 Korçë. Procedimi ndaj tij u nis pas kallzimit nga shtetasi Ç.R, vjeç 37 , banues në lagjen 18 Gjirokastër, i cili deklaron se shtetasi i mësipërm, në vitin 2012, i ka marrë një shumë prej 1 500 Euro, por më pas nuk ia kthen, duke e mashtruar… “ Gjithashtu, sipas burimeve policore, janë konstatuar edhe raste vjedhjesh nga femrat: “Më datë 12.02.2015, u arrestua në flagrancë shtetasja A D, vjeç 25, banuese në Vlorë, e cila u kap në Bilisht në flagrancë, pasi në dyqanin e shtetases A.B, kishte vjedhur disa bizhuteri floriri me vlerë 100 000 lekë…” Gjithsesi, kësaj radhe nuk folëm për rrethet e tjera, Kolonjë, Bilisht, dhe Pogradec, por mund të themi se edhe në këto rrethe mëngjeset vijnë me lajme vjedhjesh dhe grabitjesh. Viktimat dalin te pragu i shtëpisë dhe nuk dinë me kë “ta qajnë” hallin, ndërsa ndihen tejet të dëshpëruara.

    Vepror Hasani