Selim Brahja, themeluesi i shkollës së parë shqipe në Sauk, më 1916-n

    824
    Sigal

    Inaugurohet pllaka përkujtimore në ish- godinën e shkollës së parë shqipe në Sauk

    Në kuadrin e 101-vjetorit të Pavarësisë, në nderim të patriotit Selim Braja, Hoxhë i Saukut, i cili ndërtoi dhe hapi në vitin 1916 shkollën e parë shqipe në Sauk, para disa ditësh në këtë komunë u zhvillua ceremonia  e inaugurimit të pllakës përkujtimore të vendosur në godinën e kësaj shkolle. Në këtë ceremoni të zhvilluar nga  shoqata “Tirana”, familja e patriotit Selim Brahja, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Komuniteti  Mysliman i Shqipërisë, Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politikë, Shoqëria Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, merrnin pjesë akademikë, intelektualë, historianë, shkrimtarë, klerik, gazetarë, prestarë të familjes Brahja, etj.. Një ftesë e veçantë në këtë ditë ishte bërë për At’ Nkollin, si një atdhetar, njeri i zotit i mbushur me mirësi. Për familjen Brahja janë shkruar shumë libra, por kjo ditë sipas z. Lulëzim Brahja (nip i Hoxhës Selim Brahja), është një ditë e veçantë, pasi janë mbledhur shumë intelektualë, por dhe se po sot në këtë inaugurim promovohet dhe libri “100 familje Tiranase”, me autorë Donika dhe Zenel Anxhaku, pjesë e së cilit është dhe familja Brahja (veçanërisht Selim Brahja) e cila ka një histori të lavdishme në përhapjen e gjuhës shqipe dhe pavarësinë e Shqipërisë. Ju falënderoj të gjithëve në këtë ditë, pasi pjesëmarrja juaj është një nderim për gjyshin tim dhe fisin e madh të Brahaj-ve, theksoi Lulëzim Brahja. Pas tij e mori fjalën Zv’Kryetar i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, At’ Nikolla, nënkryetare e Shoqatës “Tirana”, si dhe historianë që kanë njohur kontributin e kësaj familje për përhapjen e gjuhës shqipe dhe për Pavarësinë e Shqipërisë.

     Jeta

    Selim Brahja është lindur më 1883 në Sauk, Tiranë. Është i biri i patriotit Ramazan Brahja, dekoruar nga Presidenti i Republikës për “veprimtari patriotike”. Ai ka qenë Hoxhë i Saukut, i diplomuar në Turqi për teologji. Atdhetar, pjesëmarrës i ngritjes së flamurit të pavarësisë në Tiranë më 26 nëntor 1912. Ajo që e veçon jetën e tij patriotike është se  mbetet themeluesi i shkollës së parë shqipe në Sauk, më 1916. Veprimtaria e tij antifashiste bën që në mars të vitit 1913 të burgoset nga Italia fashiste në mars 1943. Ai ka qenë pjesëmarrës në Konferencën e Mukjes (gusht 1943) me bindje nacionaliste për Shqipëri etnike, demokratike dhe pro-perëndimore. Kur nuk mendohej, ai vritet në 31 gusht 1943 në pragun e xhamisë, në ditën e ramazanit, nga një grup prej shtatë vjetësh të cilësuar komunistë. Në nderim të jetës dhe veprës së tij një rruge kryesore në Sauk i jepet emri “Selim Brahja”.  Në vitin 2012 ai dekorohet me medaljen e lartë “nderi i Kombit”, nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

    Selim Brahjas

    Dijen, përparimin,

    Kudo që ta gjejmë

    Ta marrim si tonën

    Për vete ta bëjmë.

    Në bashkatdhetarët

    Na mëson ta përhapim

    Dhe prej pasurisë

    Na urdhëron tu japim.

    Zemrën e kish zoti

    Shpirtin-Shqipërinë

    Brënda kish diturinë

    Hoxhë Selim Efendinë.

     Vlerësimi

    Për kontributin e madh në shërbim të çështjes shqiptare, nga brezat e familjes Brahja të Saukut të Tiranës, duke vlerësuar pikërisht këtë kontribut Presidenca e Republikës së Shqipërisë si institucioni më i lartë i shtetit shqiptar ka dekoruar disa figura të Brahjave nëpër breza.

    – Së pari:- Stërgjyshi, Ramazan S. Brahja dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me medaljen e artë “Patriot i pavarësisë” (1995). Ai ishte bashkëpunëtori atdhetarit të madh tiranas, Ibrahim Hafiz Dalliu, i cili ka shkruar për të në librin e tij “Patriotizma në Tiranë” botuar më 1930 si një patriot atdhetar në luftën për pavarësi nga pushtuesit osman, për hapjen e shkollave shqipe dhe për shtetin shqiptar të pavarur dhe klerik patriot.

    – Së dyti, gjyshi, Selim Brahja, dekoruar nga Presidenti i Republikës “Martir i demokracisë”, me vendim të Këshillit bashkiak, Tiranë në vitin 2000 i jepet emri “Selim Brahja” rrugës kryesore të Saukut. Më 2012-n Presidenti i Republikës i jep Urdhrin e Lartë “Nder i Kombit” me këtë motivacion: “Për kontribut të shquar në Shpalljen e Pavarësisë, në hapjen e shkollës së parë shqipe, në zonën e Saukut, për pjesëmarrje aktive në Luftën antifashiste përkrah forcave nacionaliste dhe qëndresën e papërkulur ndaj diktaturës komuniste, gjë për të cilën u dënua me pushkatim”.

    Ai eci kështu në gjurmët e babait të tij patriotit, Ramazan Brahja dhe i çoi më tej këto tradita të vyera atdhetare.

    Në një dokument të arkivit tregohet se si Ministria e Brendshme fashiste nëpërmjet zyrës së saj politike kërkonte arrestimin e Selim Ramazan Brahjes, anëtar i pleqësisë së Saukut dhe Hoxhë i Saukut me shkollë të mbaruar për teologji. për propagandë antifashiste.

    Antifashisti Selim Ramazan Brahja merr pjesë edhe në Konferencën e Mukjes më 1943, më 1-2 gusht.

    – Së treti: Isuf Brahja, Dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me urdhrin e Punës dhe dy medalje “MJESHTËR I MADH I PUNËS”. Është një ndër pjesëmarrësit më akliv në luftën antifashiste nacional-çlirimtare.

    Isuf Selim Brahja, babai i Lulzim Brahjes, mjeshtër duarartë i njohur në të gjithë Tiranën për mrekullinë e duarve të tij dhe mendjes së tij novatore dhe krijuese në punë. Është dekoruar disa herë më këto motivacione: “Punonjës i dalluar, është mobilizuar për realizimin dhe tejkalimin e planit të shtetit, është treguar i gatshëm në çdo rast për vendosjen e normave në prodhim, ka treguar kujdes për ruajtjen dhe shfrytëzimin e makinerive dhe është aktivizuar në të gjitha problemet e ndryshme që ka patur ndërmarrja”.

    Dhe: “Ka organizuar mirë punën në sektorin ku punon dhe është mobilizuar me të gjitha forcat për realizimin dhe tejkalimin e planit të shtetit. Ka vënë në zbatim metodat e përparuara, duke i kursyer shtetit shuma të mëdha lekësh”.

     Familja Brahja u lidh me Beqir Ballukun, Myslim Ketën, Adnan Qatipin

    …. Rruga e Brahjave për liri dhe dinjitet njerëzor u duk më së miri në rrugën e Isuf Selim Brahjes. Që fare i ri u lidh me forcat e rezistencës antifashiste në Tiranë në vitin 1942 dhe pikërisht në njësitin gueril të Tiranës së bashku me Beqir Ballukun, Myslim Ketën, Adnan Qatipin etj..

    Më tej shkoi partizan. Ashtu si Isufi nga Brahjat u bashkuan me forcat e rezistencës antifashiste Ibrahim Brahja, Dalip Brahja, Mustafa Brahja, Qamil Brahja etj. Shtëpia e tij dykatëshe u dogj nga pushtuesit gjermanë.

    Isuf Brahja pas lufte

     Pasi kthehet nga lufta në vitin 1945, Isuf Brahja sheh se, shtëpitë ishin djegur nga fashistët, ashtu si edhe shtëpitë e Myrtezait dhe të Qamil Brahjas. Pas këtij viti Isuf Brahja ngarkohet në komandën e vendit Petrelë, që të punojë me rininë antifashiste dhe në këtë detyrë përfshihet në aksionet e mëdha si tharja e kënetës së Maliqit më 1946, si komandant i rinisë për rrethin Tiranë, me 120 pjesëmarrës në hekurudhën Durrës-Tiranë, Tiranë-Elbasan etj.. Në vitin 1951 filloi punë në uzinën e parë mekanike në Tiranë dhe punoi si përgjegjës i fonderisë të metaleve me ngjyra.

    Aty ai mësoi dhe u bë një nga mjeshtërit e nderuar dhe të respektuar të çelikut shqiptar bashkë me figura të tilla të mëdha dhe të nderuara si Abdyl Karakashi, inxhinier Kuneshka, Nuri Bylyku, Hajdar Meçe, Iljaz Alia, Baki Baholli etj..