Sejmen Gjokoli/ Po me “Aulona Folk Festival”, ç’patët…?

615
Sigal

Letër e hapur ministres së Kulturës

Ajo që nuk pritej e që nuk duhet të ndodhte, ndodhi. Në listën e gjatë të projekteve, të shpallura nga Ministria e Kulturës, të vlerësuara për mbështetje e financim për vitin 2014 vetëm pak ditë më parë, mungon ai me emrin “Aulona Inter Folk Festival”, paraqitur nga Qendra Kulturore “Aulona”, Vlorë.

Duket si e çuditshme, por mosafishimi i këtij Projekti tanimë të mirënjohur  për kulturë -dashësit e qarqet kulturore brenda e jashtë vendit për vlerat që përcjell e performancën e jashtëzakonshme të krijuar në 5-së vitet e ekzistencës flet hapur për një vështrim qëllim keq nga Ministria jonë e Kulturës.

Të mohosh hapur vlerësimin për një Projekt të tillë kulturor të sprovuar  edhe për cilësinë, edhe për orgjinalitetin, edhe për qartësinë, edhe për besueshmërinë, edhe për  vazhdimësinë (ky i sivjetmi është edicioni i 6-të), edhe për impaktin edhe… i certifikuar nga CIOFF dhe i shpallur prej 5 vitesh në kalendarin botëror të Festivaleve Folklorike duket më tepër se keqdashje.

I nisur të startojë në Majin e vitit 2009 dhe i “instaluar” në ditët e çeljes së sezonit turistik të qytetit të Vlorës, edhe si një shembull i gjallë i turizmit kulturor, shumë shpejt “Aulona Folk” u kthye në një model tepër pozitiv brenda vendit,  por edhe u radhit ndër festivalet më prestigjiozë të Europës e Botës duke tërhequr vazhdimisht grupe e ansamble nga të gjithfarë shtetesh.

Në adresën e faqes zyrtare të kontaktit të festivalit:  [email protected]  për çdo vit vërshojnë dhjetëra e dhjetëra kërkesa për pjesëmarrje, por që për shkak të kufizimit të pjesëmarrjes së limituar mbeten gjithmonë të parealizuara. Pa folur për imazhin e faqes vvvvvv.aulonafolk-festival.com që ky aktivitet ka në rrjetin social, edhe si një mundësi reklamacioni për Vlorën e Shqipërinë. Pa folur për qindra e qindra shkrimet e publikimet rreth performancës e jehonës së këtij aktiviteti nga agjenci lajmesh e medie të shkruara brenda e jashtë vendit. Vetëm në 5-së edicionet e zhvilluara deri sot, për efekt të këtij festivali, kanë patur rastin të vijnë në qytetin e Vlorës rreth pesëdhjetë ansamble me mbi 1500 pjesëmarrës nga shumë vende të Europës si Sllovakia, Polonia, Kroacia, Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Bullgaria, Italia, Greqia, Turqia etj., e këta duke qenë, për qytetin, edhe turistët e parë të vitit. Është një festival që ka hyrë natyrshëm në zemrat dhe audiencën e qytetarëve vlonjatë, por edhe të tjerëve që ndodhen në Vlorë si mysafirë apo që vijnë ato ditë në këtë qytet për t’u bërë pjesë e aktiviteteve që Bashkia e qytetit organizon me rastin e çeljes së Sezonit Turistik. Habitemi se si vetëm Ministria jonë e Kulturës nuk e di që ky Festival zhvillohet me një shkallë të lartë organizimi e menaxhimi falë përvojës dhe punës tepër profesionale të një stafi me njerëz të artit e të kulturës, të pa lodhur e pasionantë e me një dashuri të madhe ndaj vlerave të trashëgimisë kulturore . Të mos harrojmë se për çdo edicion ky festival ka patur në krye, si Presidentë Nderi, figura të shquara e të nderuara akademike duke filluar me Shaban Demiraj, Xhevair Spahiu, Jorgo Bulo, Vaso Tole, Agron Fico e deri tek i përzgjedhuri i këtij viti Dritëro Agolli.

Më lejoni t’ju them, e nderuara zonja ministre, se Projekti për këtë aktivitet është paraqitur pranë Ministrisë së Kulturës edhe në pesë vitet e kaluara dhe pavarësisht se financimi ka qenë me “pikatore” , në të gjitha vitet Projekti është përzgjedhur për mbështetje  nga Bordi i Ministrisë, edhe pse e dinin se kush ishte e ç’përfaqësonte aplikuesi i Projektit apo qytetit ku do të zhvillohej aktiviteti.

Në gjashtë vite është hera e parë që këtij Projekti i mungon edhe vlerësimi formal pa lere mbështetja financiare nga ana e Ministrisë së  Kulturës. Dhe kjo ndodh në një kohë kur Ministria jonë e kulturës duhet të realizonte atë që është folur shumë por që asnjë herë nuk u realizua nga  kjo Ministri në të kaluarën. Listimin dhe certifikimin e aktiviteteve kulturore. Dhe vazhdon i njëjti avaz duke u kthyer vet dikasteri i ngarkuar me ligj për ruajtjen  e mbështetjen e vlerave,  në strehë e mbështetje për antivlerat. Mjafton t’u hedhësh një sy Projekteve të përzgjedhura për mbështetje e financim për vitin 2014.

Mes tyre ka dukshëm aktivitete surogato që u mungon edhe impakti edhe vlerat edhe cilësia edhe performanca edhe Cv e organizatorëve. Për të mos thënë se nga 68 projektet e përzgjedhura në të dy fushat, Art-Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore, asnjë s’ka mundur të jetë nga Vlora.

Dhe së fundi diçka fare të vogël si mbyllje.

Nëse në këtë përzgjedhje ka diçka personale më duhet tu them se jeni gabuar. “Aulona Inter Folk Festival” ka kohë që ka dalë nga “duart” e organizatorëve. Është vetëm i qytetarëve të Vlorës, i artdashësve  të shumtë brenda e jashtë qytetit , i biznesit dhe operatorëve turistikë vlonjat, i Shqipërisë dhe Europës ku synojmë të integrohemi. Dhe , pavarësisht sfidave e vështirësive financiare gjithmonë do të bëhet, bashkë me europianët folklordashës, do apo nuk do Ministria jonë e Kulturës.

Dhe së fundi fare, zonja ministre, guxoj t’u them se në “pako” mbase ju ka rënë kolltuku, ku jeni ulur, por jo kultura kombëtare shqiptare.

 *Drejtor i QK “ Aulona”  dhe “Aulona Inter Folk Festival”