Sejmen GJOKOLI/ Për Profesor Mison dhe të tjerë

693
Më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës time një afeksion i brendshëm e, për rrjedhojë, një konsideratë e respekt për njerëzit që merren me fushën e trashëgimisë kulturore në përgjithësi e në veçanti me ata që japin e marrin me atë shpirtërore. Është kaq e vërtetë kjo sa edhe botimin tim të fundit titulluar “Gurë trashëgimie” ua dedikoj të gjithë atyre që kush më pak e kush më shumë, seicili në mënyrën e vet ruajnë, selitin dhe përcjellin në breza krijimtarinë e popullit, këtë pasuri kolosale shpirtërore të kombit tonë! Sikundër edhe atyre që dinë ta çmojnë e ta vlerësojnë këtë pasuri. Dhe këtu kam parasysh jo vetëm ata që na i kanë prurë pasuritë tona shpirtërore nga shekujt por edhe të gjithë të djeshmit e afërt e të sotmit që kanë krijuar e interpretuar këngën e popullit sikundër ata që e kanë veshur me teori e pentagrame e që gjithëmonë i kanë dhënë “stofin” e kohës. Me këtë të fundit kam parasysh mjaft burra e gra, kontribues të mëdhenj në këtë fushë, me të cilët kam ndarë biseda e konsiderata njerëzore jo si professor i fushës por si pasionant e kontribues modest në menaxhimin e këtyre vlerave. Është rasti t’i përmend këtu të gjallë e të vdekur disa ndër miqtë e mi me diploma profesorësh si Çesk Zadeja, Agron Fico, Spiro Shituni, Agon Xhagolli, Afërdita Onuzi, Fatmir Hysi, Haxhi Dalipi, Roland Çene, Zymer Neziri, Rexhep Munishi, Vaso Tole, Muzafere Mustafa, Naxhi Kacoruho, e shumë e shumë të tjerë. Siç dua të përmend disa burra nga “sofra” e madhe e trashëgimisë shpirtërore si Xhevat Avdalli, Laver Bariu, Lefter Çipa, Frrok Haxhia, Maliq Lila, Muhamet Tartari, Feti Brahimi, Zaho Balili, Esat Ruka, Viktor Paloka, Jonuz Delaj, Mark Gjoka, Gjon Frroku, Kujtim Mici, Dule Havari, Teno Lena, Pelivan Barjami, Tomor Lelo, Nertesi Asllani e shumë e shumë të tjerë që, edhe pse pa diploma e tituj profesorati e as si njohës “ pentagrami”, i kanë dhënë e i japin ende shumë krijimtarisë tonë popullore. Në këtë “korpus” njerëzor e mes këtyre figurave të shumta që kam patur rastin ti njoh nga afër, por edhe për të tjerë që nuk i kam njohur por i kam dëgjuar e lexuar, natyrshëm kam patur parasysh edhe prof. Piro Mison, ndonse siç thashë asnjëherë nuk e kam njohur nga afër. Do mundohem ta ruaj edhe pas kësaj replike të detyruar konsideratënn për profesorin, ndonse do më duhet t’i them ca fjalë kundërshtie.
Ku e kundështoj profesor Mison
Ajo që më duhet të them që në fillim ka të bëjë zhgënjimin dhe befasinë që mu krijua pasi lexova një shkrim të Prof. Misos, jo nga argumentet shkencore (për të le të flasin të tjerë) por nga mënyra dhe etika e të shkruarit. Me keqardhje e them por nuk mund të rri pa thënë që nga leximi mu desh të kostatoja, fund e krye, një gjuhë të drunjtë, të mbushur plot inat e mllef e ku, të paktën për gjykymin tim, bëhet copë e çikë edhe ndonjë gjë që autori mund ta shtrojë me të drejtë. Se, Profesor, unë jam ai “ gjeologu” , një nga dy miqtë që i ke caktuar prof. Toles për mbrojtës në “akt-akuzën” që i ke ngritur në shkrimin tuaj: “Isopolifonia apo Isoakademia”, botuar data 22 shtator 2015 në “Telegraf”. Më duhet t’ju them se unë nuk jam thjesht një gjeolog që zotrote e lë në ajër e që mund të merret edhe me një shkallë të ulët arsimimi. Jo, i nderuar, jam i diplomuar me titullin “ inxhinier miniere” dhe ju e dini fort mirë që termi “inxhinier” është titull e s’mund të keqpërdoret apo anashkalohet siç ju qëllimisht e bëni. Madje, nuk di a ke dëgjuar z. Miso por diku kam lexuar se për titujt “ profesor”, “ docent” etj ka nisur një diskutim që i vë në diskutim nëse duhet të jenë më në qarkullim apo jo, ndërsa për titullin “ inxhinier” as ka e sa do të nis një diskutim i tillë. Po nuk është vetëm ky fakt që tregon ligësinë dhe derexhenë e fjalëve dhe tymnajës së kafeneve ku ke rënë, o profesori ynë. Autorin e këtyre radhëve, ”gjeologun” pra, e konsideron (citoj): “përvetësues abuziv i një shkalle kualifikuese në rangun e doktoraturës në fushën e etnomuzikologjisë, i udhëhequr nga akademiku në fjalë …” (V.Tole, shënimi im). E shikon sa larg ka shkuar ligësia dhe keqdashja jote profesor?! Asnjë lidhje nuk kanë ato që thoni ju me të vërtetën, përkundrazi. Është një gënjeshtër prej profesori. Se, meqënse të paska hëngër kaq shumë meraku i “gjeologut” e do ta përdorje si argument negativ në shkrimin tënd le të mundoheshe pak e të navigoje në internet. Të siguroj se aty do gjeje jo pak të dhëna, or burrë. 
Diplomimi si menaxher arti
Dhe që të mos gabosh në referenca të tjera mësoje se unë, Sejmen Gjokoli, përveç diplomimit në inxhinieri kam kryer një master profesional, konform të gjitha rregullave në fuqi, në menaxhim bisnesi me profil Menaxhim Arti. E meqënse jemi në këtë pikë e për t’ju dalë fare meraku, jo vetëm juve por edhe atyre që ju kanë ushqyer me të pa vërteta, e shikoj të domosdoshme të publikoj formulimin e temës. “Trashëgimia kulturore, faktor i rëndësishëm i kohezionit social të shoqërisë dhe i zhvillimit kulturor e ekonomik të saj”, kjo është tema profesor dhe që t’iu dalë edhe më shumë meraku udhëheqës nuk është akademiku Tole (do të isha shumë i nderuar nëse do ishte) por një tjetër profesor i njohur në fushën ekonomike, z. Alqi Naqellari. Dhe, nëse ke ndonjë fije dyshimi, po të ftoj publikisht të flasim rreth kësaj teme në çdo lloj tryeze apo ekrani, profesor. Se mbase do të duhet të mendohet edhe për vënien e resurseve dhe burimeve tona shpirtërore e materiale të Kulturës Kombëtare në funksion të zhvillimeve ekonomike e të ardhurave financiare apo do ti ruajm vetëm si stoli e për të marrë ca njërëz që njohin “pentagramin” tituj e grada?! Po edhe diçka dua të ndaj me ju, z.Miso. Nuk arrij ta kuptoj vendosjen e personit tim si një argument palë në një debat shkencor që ju rrekeni të bëni me akademikun Tole?! Është e vërtetë që kohët e fundit ka patur shkrime apo këndvështrime të tjera rreth emërtimit zyrtar të këngës “vënçe” apo “labçe”, “himarjoçe” “gjirokastriçe” apo të tjera emërtesa tradicionale që edhe ju i përmendni në shkrimin tuaj. Personalisht dhe për hir të së vërtetës sa herë që më është dashur të përfshihem në këtë debat jam munduar të tregohem i kujdesshëm, i matur dhe të atakoj vetëm gjuhën e përdorur dhe mungesën, herë –herë, të etikës nga artikull shkruesit, pa dashur të jap anjëherë definicione shkencore. Përkundrazi në artikullin tim “Kryevepra e nëpërkëmbur”, botuar në “Telegraf”, 25 nëntor 2014 shkruaj e zeza mbi të bardhë se asnjëherë nuk kam ndërmend të merrem me termat e as të marr përsipër të vërtetën fundore të përdorimit të termit “Iso-polifon” duke artikuluar prerë dhe qartë se për mua kjo është dhe mbetet detyrë e studiuesve dhe shkencëtarëve të fushës. Dhe jo vetëm kam folur e kam shkruar por kjo është bindja ime, Profesor. Po kur them këtë, si një kontribues modest në menaxhimin e vlerave shpirtërore të folkut tonë dhe integrimin me atë të vendeve të tjera të botës, nuk mund të mos më shqetësojë fakti që disa ndër ne, në shkrimet apo trajtesat që kam patur rastin ti përcjell, ndërsa e trajtojnë si gjëmë përdorimin e termit “Iso-polifoni” nuk thonë asnjë fjalë për rriskun e produktit që mbart ky emërtim. Dhe për të shkuar edhe më tej më duhet t’ju them gjithashtu se po në një shkrim tjetër kam thënë se, nëse vërtet kjo puna e “isos” përbën një shqetësim madhor e lidhet me fatin e identitetit tonë kombëtar, siç ndonjë përpiqet të thotë (edhe ju kështu po më ngjani me shkrimin në fjalë zoti Miso), atëhere besoj se shteti i ka të gjitha strukturat dhe instrumentet për të folur, diskutuar apo paraqitur punimet shkencore e për të vendosur. Siç mendova se do të bënit edhe ju në shkrimin tuaj por që më shumë se referenca shkencore rëndon e të mbetet në mendje mllefi dhe ligësia, aspak e denjë për një figurë me titull e moshë si ju. 
Replika e detyruar
Dhe më duhet të deklaroj edhe përmes kësaj replike të detyruar se përsëri jam i të njejtit mendim të shprehur edhe më parë ; më shumë se debati për emërtimin, këtë e them edhe në emër të shumë drejtuesve vullnetarë të grupuar në Rrjetin kombëtar të grupeve dhe shoqatave të iso-polifonisë njohur nga UNESCO, bartësit dhe interpretët e kësaj pasurie shpirtërore janë të interesuar për ardhmërinë e kësaj pasurie. Siç e kam thënë në shkrimin “Kryevepra e nëpërkëmbur” e njohura “ Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”, “Iso-polifonia” apo “polifonia’, apo “kënga vënçe” apo “fosforina” që ia ka qejfi “Mjeshtrit të Madh”Lefter Çipa të quhet, për fat të keq vazhdon të mbetet dyfish e nëpërkëmbur. Edhe për shkak të emrit, shikoni se ç’po bëhet; dy muaj nga 10 vjetori i shpalljes kryevepër asnjë fjalë për këtë jubile por edhe për shkak të politikave kombëtare të trajtimit ku nuk duket në horizont asnjë platformë konkrete nga institucionet përgjegjëse vendore apo qendrore. Dhe ata që krijojnë, ruajnë dhe interpretojnë të vetmen kryevepër tonën në hapësirën shqiptar si rapsodë, këngëtarë, valltarë, instrumentistë popullorë etj vazhdojnë të gjënden përherë të nëpërkëmbur e të fundit në trajtim mes zhanreve të tjera të kulturës muzikore. Dhe vetëm kur kujtohen t’i thërrasin si në “shërbim ushtarak” kur duhet të realizojnë diçka nga kalendari i aktiviteteve folklorike kombëtare, edhe athere më shumë të telendisur e raskapitur se të vlerësuar. Së fundi një përgjigje të vogël edhe pse siç shkruan nuk ja vlen të merresh me mua. Po, profesor, mirë e thua: për teoritë shkencore të këngëve të popullit tim as unë s’të rekomandoj të merresh. Se as unë vet nuk merrem. Unë merrem e do të merrem sa të kem frymë me vlerat e qenësishme të trashëgimisë shpirtërore të popullit e kombit tim. Me to do të merrem edhe pa lejen tuaj, profesor Miso, se dashurinë për visaret kombëtare i kam në gen e jo në pentagram. Bëju i urtë e njerëzor, Profesor!
Sigal