Së shpejti vijnë Lexus UX dhe RX serik me shtatë ulëse

595
Kompania e njohur e veturave, Lexus, para disa muajsh, në panairin e veturave në Gjenevë, zyrtarisht ka konfirmuar se koncepti i saj UX do të përfundojë në prodhim serik.
Në atë kohë, nuk është zbuluar se kur do të dalë në rrugë modeli UX, por ishte njoftuar se në një të ardhme të afërt do të bëhet realitet.
Tani, raportohet se promovimi i modelit serik UX pritet të bëhet më vonë këtë vit, saktësisht në panairin e veturave në Tokio.
UX në formë të konceptit ka mbajtur premierën vitin e kaluar në panairin e veturave në Paris, ndërsa mbetet pyetja se sa do të dallohet modeli serik sa i përket pamjes (për dizajnin e konceptit përgjegjës ishte ED2, qendra e dizajnit për Evropë e Toyotës).
Gjithashtu, Lexus ka njoftuar se UX do të ketë një rol të rëndësishëm në përpjekjen e kompanisë për të tërhequr vëmendjen e blerësve të rinj.
UX serik në gamën e Lexusit do të renditet nën modelin NX, ku kjo kompani në Evropë më herët kishte regjistruar etiketat UX 200 dhe UX 250, si dhe UX 250h për versionin hibrid.
Lexus, po ashtu, planifikon që panairin e sivjetmë të Tokios ta shfrytëzojë edhe për premierën e versionit të zgjatur të modelit RX, model i cili do të vijë me shtatë ulëse.
Modeli i zgjatur i RX-it, pritet të vijë në version RX 350L dhe RX 450hL, ku mbetet të shohim se sa do të dallohet nga dimensionet e modelit standard RX, i cili është i gjatë 4.8 metra, i gjerë 1.8 metra, i lartë 1.6 metra dhe i cili boshtin e rrotave e ka 2.7 metra.
Sigal