Së shpejti ushtarakët e rretheve në protesta, i sorollatin për pensionet

    428
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Presidenti i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezerve Mehdi Pogaçi

    Ushtarakët nuk kanë qenë aspak në vëmendjen e qeverisë për vitin që po lëmë pas dhe për më tepër janë sorollatur nëpër zyra të ndryshme për të përfituar edhe atë masë pensioni që u takon. Një fakt të tillë e pohon për “Telegraf”, vetë Presidenti i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezerve Mehdi Pogaçi. Sipas tij, është shumë i ngadalshëm procesi i dhënies së pensioneve për këtë kategori dhe në rrethe ushtarakët sorollaten nëpër zyra pa qenë e nevojshme për nxjerrjen e pensionit. Për këtë arsye ushtarakët e rretheve kanë kërkuar që të nisin protestat. Dhe zoti Pogaçe deklaroi se shoqata është e gatshme që ti mbështesë këto ushtarakë për organizimin e protestave.

     -Jemi në mbyllje të një viti, a është përmirësuar ndonjë gjë për ushtarakët?

    -Po, jemi në mbyllje të vitit 2012 dhe odisea e pensioneve të ushtarakëve nuk ka përfunduar. Zbatimi i ligjit nr. 10142, sipas planifikimit të ISSH  dhe dikastereve përkatëse, duhet të kishte përfunduar brenda 6 mujorit të parë të vitit 2010, por jemi në fund të vitit 2012 dhe shohim në shtypin e përditshëm, një herë në dhjetë a më shumë ditë, lista të papërfillshme ushtarakësh, të cilëve u rillogaritet pensioni i pleqërisë, suplementar apo i parakohshëm. Në këto lista, nga rillogaritja, realisht, janë një pjesë e mirë me pension të parakohshëm, të cilëve u ulet masa e pensionit dhe nuk u rritet, kjo siç e kemi theksuar herë pas here, bie ndesh me vendimet nr. 9 e nr. 33  të Gjykatës Kushtetuese.

     -Po ju realisht si shoqatë a keni bërë përpjekje për të kërkuar të drejtat e juaja si grupim dhe çfarë përgjigje keni marrë?

    -Po. Na janë bërë padrejtësi dhe ne si shoqatë normale që kemi bërë përpjekjet tona në lidhje me të drejtat që na janë hequr. Gjithashtu dua të them se janë harruar grupime ushtarakësh, siç janë nënoficerët e dalë në pension të plotë pleqërie para vitit 1991, të cilëve nuk u bëhet asnjë rillogaritje. Për këtë grup ushtarakësh, prej më shumë se një viti është përgatitur një VKM, duke qenë se atyre u mungojnë dosjet, por asgjë nuk është bërë për këtë dhe ata vazhdojnë të mos trajtohen. Dua të theksoj se, në kundërshtim me ligjet përkatëse, qoftë edhe atë nr. 10142, ushtarakëve, të cilëve u rillogaritet pensioni, u bëhen mjaft hile e padrejtësi, pasi nuk u jepen shumat e prapambetura nga 1 Korriku 2009, kur ka hyrë ligji në fuqi ose rillogaritja u bëhet gabim pa, por edhe me qëllim. Kjo është më e theksuar në Drejtoritë Rajonale të qarqeve të ndryshme si Tirana, Durrësi, Fieri, Vlora, Gjirokastra, etj.. Prandaj ISSH, duhet të ushtrojnë kontroll për zbatim të ligjit, pasi ka mjaft ankesa e kontestime që i janë dërguar, duke bashkëvepruar e bashkërenduar me dikasteret e Mbrojtjes, të Ministrisë së Brendshme, Shërbimit Informativ, etj.

     -A jeni të kënaqur me trajtimet që u ka bërë qeveria ushtarakëve për  këtë vit, qofte edhe për pensionet?

    -Aspak. Nga sa theksova më parë, ushtarakët nuk janë të kënaqur, pasi po ecet shumë ngadalë. Më e rëndësishmja është se qeveria Berisha, me miratimin e Aktit Normativ, u ka dhënë goditje të rëndë pensioneve të ushtarakëve, duke i ulur ato në masën rreth 30%. Kjo për shkak të rillogaritjes së pensioneve të të gjitha kategorive, jo mbi bazën e pagës referuese bruto, siç ka qenë në ligj, por të pagës referuese neto, si dhe për shkak të momentit të rillogaritjes, jo nga 1 korriku 2009 kur ligji ka hyrë në fuqi, por nga 1 janari 1999.

     -Sipas jush nuk po zbatohet ligji siç duhet nga qeveria për ushtarakët?

    -Qeveria dhe dikasteret përkatëse nuk zbatojnë as ligjet dhe as vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ndërkohe që flitet e reklamohet shteti ligjor, shteti i të drejtës, ku ligji duhet të qëndrojë mbi gjithçka. Në mjaft qarqe ushtarakët i gënjejnë duke u thënë se rillogaritja bëhet vetëm në Tiranë, gjë e cila nuk është e vërtetë. Kuptohet që dokumentet përkatëse merren nga dikasteret përkatëse, por rillogaritja përfundimtare bëhet në Drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore. Ne mjaft nga këto qarqe pakënaqësia është e madhe dhe janë gati të dalin e të protestojnë përpara drejtorive përkatëse, ku ne si Bord Drejtues i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezerve të Shqipërisë, kemi shprehur gatishmërinë tonë për t’i mbështetur këto protesta. Mbas vitit të ri, Shoqata e jonë, do ta rikonsideroj qëndrimin e saj ndaj politikës së qeverisë për problemin e pensioneve, si dhe problemeve të tjera që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit.