Sazan Guri/ Ferri shpirtëror i një qytetari të përpjekur

581
Në qoftë se ka njerëz që e ndjejnë veten të pakuptuar, të vetmuar, të padashur prej të tjerëve, të lindur për të keqen e tyre (se këmbëngulja e tyre e pakompromisë, të tillë i bën me të vërtetë), këtu në vendin tonë, janë qytetarët e përgjegjshëm. “Këtu o i mjerë, harroje shpresën!- kush e njeh Danten, do thotë është shkruar në hyrje të portës së ferrit… Jo, është ferri shpirtëror që përjeton qytetari i vetmuar në vetminë e tij, që zgjuar rri në këtë ferr burg, se mos duke përgjuar kështu ndonjë vështrim, ndonjë mirëkuptim, ndonjë sinjal sado i fikët qoftë ai, që aq shumë i nevojitet. Është i vetëdijshëm në vetminë e tij. I jep forcë vetes…: “Jeta është një status, që duhet kuptuar, si kërkesë e parreshtur ndaj saj. Si një murg i murosur i bie të përballet me ndjenjën e të pakuptuarit, pa dashurinë e skajshme që tregojnë për jetën, vetëkënaqësia për arritjet e çastit, të gjitha këto të veshura me mantelin e një bote të ngushtë të paragjykimeve. 
S’kemi veçse dy dekada e gjysmë që kemi dalë në liri, por sillemi akoma si skllevër burgu, nga ku vuajtëm për gjysmë shekulli… Është një jetë fatkeqe që s’jetohet, është një provë ferri që mundohesh midis këtyre gjysmë të gjallëve… Vë maskën e optimistit dhe dal në TV tek Çani apo simpatikja Magjistari. Shkoj i qeshur e mundohem të sjell pak “klorofil”, si me thënë bëj “detyrën” në sytë e botës, si ai besimtari, që çdo të dielë nuk mungon në meshë, por kur rrethohesh nga shkretëtira mentalitetesh përçmuese të vjen të japësh mallkimin homerik më të rëndë qytetar:… “Në Hades do zbres, e të vdekurit do ndriçoj, o Zeus (thotë Dielli) po nuk ndëshkove të gjallët për dëmin (mjedisor – therjen e lopëve të Diellit) që më bën… (ODISEJA) 
Nuk ka rëndësi marketingu me ngjyra që na servirin, anët e jashtme fizike, e pantonimin e tyre. Të fshehtat, ato më trembin. Ato na afrohen si të përkryera, përthyejnë zërin me aktrimin profesionist, të hedhin shikim të dhimbshëm, plastika e fytyrës është plot merak, por kur arrin në heshtje të kapësh se ç’tallaze (financiare) trazojnë përbrenda, ato që shkaktojnë “shkretëtirën-mjedisore” kupton dramën e brendshme që përjeton në pafuqi për ta izoluar të keqen një misionar i kauzës së mjedisit… Nga jashtë duhet të mbaj (në publik) maskën-perde, që të dukem i sigurtë, i arsyeshëm, që aq sa të jetë e mundur të rimelizoj me klorofil këta betonierë e zjarrvënës pyjesh e moçal-kthim të … të pashpirt… Pesimizmi, nervozizmi, vuajtja nga pamundësia për të ndryshuar gjërat, gjendja vegjetative që të rrethon të bën të mbyllesh në ëndërrime, që sado pak t’i fshihesh realitetit… Ja një sonetë mjedisore, ku alegorikisht jepet me dhimbje jeta që fiket. ….
Gjethet! Shihni si janë… 
të verdha gjithë ndriçim. 
Shikoni si bien, bien pa pushim! 
Në një hapësirë të vogël 
nga dega gjer në dhe, 
si e marrin më së fundi, 
një bukuri të re. 
E ndonëse ndjejnë dridhjen 
q’u erdhi shpejt mbarimi, 
prap duan q’ajo 
t’i ngjajë një fluturimi! 
O njerëz, që në gjenezë jeta gjithmonë ka qenë në harmoni me jetën e bimëve e botës shtazore, prej këtij realiteti njeriu catist shpiku kopshtin e Edenit si perceptim më i përsosur-romantiko-fetar…E si për ta larguar edhe më shumë shërimin të ofrojnë dhuratë-zgjidhje, një shëmtim-moral (të ofrojnë një copë nga torta e vesit), kur duhet të ndodh e kundërta: vlerat duhet të mposhtin vesin… Kauza e mjedisit, që unë do ta shqipëroja “Vetë ruajtja e jetës sonë”. Harrojmë se duke vrarë natyrën, dhe ne vet’ jemi plagosur për vdekje… Qytete të betonuara, pyjet janë kthyer në peizazh hënor, bregdeti i ngjashëm me moçalet, kaltërsia e kupolës qiellore e kthyer në ngjyrë ndryshku nga ajri i ndotur, sëmbim në zemër, vuajtje e fshehtë, plagë e brendshme është përjetim. Më shumë se një fajtor, nga moskuptimi që më rrethon ndihem si një i dënuar, në qelinë e vetmisë… dhe optimizmin dua ta gjej tek ëndërruesi: që ashtu sikur ndodhemi përpara një peizazhi të fshehur nga shiu, e gjejmë veten duke menduar se si ka qenë në mot të mirë më parë peizazhi arbëror. Lindja e Diellit më zuri në një lartësi dominuese të horizontit. Qielli u mbush plot shigjetëza floriri dhe deti si për të pritur ato, nxori sipër tij mijëra pllakëza argjendi, mburoja të vogla, lodruese. Pas pak, gjithçka u ndez nga një afsh i kuq, përmes të cilit derdhej shkuma e dritës që mbushi dalëngadalë gjithë botën. Jashtë ferrit që kemi krijuar, le ta shohim shekuj më pas, dritën e pastër ambientaliste të kthyer deri në ndjenjën më të epërme, në poezinë e Pjetër Budit, për bukurinë e femrës shqiptare. …Ah vashat e bukura shqiptare, të veshura me Diell, e të mbathura me Hanë
Sigal