Sandër Lleshi, këshilltari i Edi Ramës për mbrojtjen

473
Sigal

Kryeministri i zgjedhur i maxhorancës së re   vazhdon të zbardhë emrat e kabinetit të tij qeveritar

Kryeministri i zgjedhur Edi Rama vazhdon të prezantojë anëtarët e skuadrës së tij,me të cilët do të qeverisë vendin katër vitet që vijnë. Nëpërmjet Facebook-ut Rama ka bërë të ditur se, Sandër Lleshi do të jetë këshilltar i tij për mbrojtjen. Gjeneral Leshi, ish-zëvendës shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë u bë i njohur për mediat për denoncimet e tij në drejtim të titullarëve të Ministrisë së Mbrojtjes për rrënimin e ushtrisë shqiptare. Rama shkruan në profilin e tij se ndikim për zgjedhjen e tij ka patur edhe nga shkrimtari Ismail Kadare. “Emrin e Sandër Lleshit e kam dëgjuar për herë të parë nga Ismail Kadare, i cili ia sugjeroi palëve si një kandidaturë të spikatur për President të Republikës një vit më parë. Më vonë munda ta çmoj përmes mediave, kur denoncoi publikisht rrënimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe degradimin e rëndë të drejtimit të ushtrisë sonë. Dhe njohja nga afër erdhi kur pas zgjedhjeve e thirra për ta dëgjuar lidhur me gjithë çka kishte denoncuar publikisht, si edhe me idetë e tij për të ardhmen e dikasterit qendror të mbrojtjes si edhe të vetë Forcave të Armatosura natyrisht. Pas disa komunikimesh kuptova besoj, arsyet pse shkrimtari i shquar e kishte menduar si president të denjë për vendin këtë gjeneral të panjohur. I edukuar në perëndim, njohës i mirë i historisë dhe bartës i modestisë intelektuale që karakterizon të diturit, zotërues i thellë i fushës jo vetëm nga librat po edhe nga rrugëtimi i një karriere të gjatë – nisur si fëmijë i një familjeje të varfër nga veriu në derën e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” dhe ndërprerë brutalisht në pozicionin e zëvendës Shtabit të Përgjithshëm nga arroganca e injorancës së pushtetit në ikje -, Sandër Lleshi ka pranuar të jetë këshilltari im për mbrojtjen në kryeministri” ,shkruan Rama, i cili  vazhdon të njoftojë emërimet e tij në kabinet me anë të rrjeteve sociale. Ai vetëm pak ditë më parë prezantoi në Tvvitter drejtoren e kabinetit të tij Vali Bizhga, ndërsa në ditët në vijim priten prezantime të tjera. Gjeneral Sandër Lleshi është një ushtarak karriere që ka mbajtur postin e lartë të zv/shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe ka një kurrikulum të pasur kualifikimi në disa vende perëndimore. Më parë ai ka qenë edhe drejtues i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes së Forcave të Armatosura, atashe i Republikës së Shqipërisë në Gjermani, etj..