Suplementi Pena Shqiptare/ Sami Frashëri ideologu i lëvizjes sonë kombëtare

3243
Sigal

Sami Frashëri është ideologu më i shquar i lëvizjes sonë kombëtare. Si udhëheqës ideologjik, demokrat, mendje e ndritur prej dijetari, ai mbetet një nga personalitetet më të rëndësishëm të Rilindjes.Vëllai më i vogël i Abdylit e i Naimit, ai lindi në Frashër më 1850, ku mori edhe mësimet e para. Më 1871 mbaroi gjimnazin “Zosimea” në Janinë, mësoi gjuhë të vjetra e të reja dhe u pajis me një kulturë të gjerë. Më 1872 shkoi në Stamboll për punë dhe atje u lidh menjëherë me patriotë shqiptarë, me Pashko Vasën, Jani Vreton, Ismail Qemalin, Kristoforidhin, Hoxha Tasinin etj. Samiu u dallua shumë shpejt midis tyre dhe, me formimin e shoqërisë së Stambollit, u zgjodh kryetar i saj, ndonëse ishte nga më të rinjtë. Gjer në fund të jetës ai mbeti udhëheqësi kryesor i kësaj shoqërie.Samiu ishte njeri me horizont të gjerë dhe dha ndihmesë të shquar për kulturën turke. Drejtoi disa gazeta turqisht, ku mbrojti edhe të drejtat e kombit shqiptar. Botoi në turqisht edhe një varg veprash letrare e shkencore. Ndër këto janë disa vepra themelore, si: i pari fjalor i plotë etimologjik i turqishtes, si dhe e para enciklopedi turke e historisë dhe e gjeografisë në gjashtë vëllime. Ai shkroi në turqisht dramën Besa me subjekt shqiptar, bëri përkthime nga letërsia botërore etj.Veprat e Samiut në turqisht përshkrohen nga ide iluministe dhe godasin obskurantizmin fetar të Perandorisë Osmane. Me to ai i sillte ndihmesë të vlefshme mendimit përparimtar. Duke goditur bazat e pushtetit feudal të sulltanëve ai i ndihmonte njëkohësisht edhe popullit të vet në luftën për liri, edhe popullit turk në luftën për përparim. Krijimtaria e Samiut në gjuhën shqipe është e lidhur tërësisht me idealet e lëvizjes kombëtare për çlirim, me nevojat e shkollës e të kulturës kombëtare. Pa dyshim ai është një nga themeluesit e saj. Për shkollat e para shqipe Samiu botoi këto vepra: “Abetare e gjuhës shqipe„(1886), “Shkronjëtore e gjuhës shqipe„ (gramatikë e shqipes, 1886) dhe “Shkronja„ (gjeografia, 1888). Hartoi edhe një fjalor të gjuhës shqipe, që nuk i dihet fati.

Titujt e veprave

Abetare nga Sami Frashëri

Shënim: Në kohën kur Sami Frashëri ka shkruar veprat me termin gjuhë turke nënkuptohej gjuha osmane.

Taaşşuk-i Tal’at ve Fitnat (Dashuria e Talatit për Fitneten) – romani i parë në turqisht (1872)

Besa yahud Ahde Vefâ (Besa ose Mbajtja e premtimit) – dramë në gjashtë pamje (1875)

Gâve (Gjave) – dramë me pesë pamje (1876)

Medeniyyet-i-l islamiyye (Qytetërimi islam) – nga seria “Biblioteka e xhepit” (1879, 1885)

Kamus-i Fransevî – fjalor turqisht-frëngjisht (1882/85)

Abetare e gjuhës shqipe (1886)

Shkronjtore e gjuhës shqipe (1886)

Dheshkronjë – libër gjeografie (1888)

Kamus-ül Alam – enciklopedia e parë në turqisht (1889–1896)

Kamus-i Arabi – fjalor arabisht-turqisht (1889)

Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet (1899)

Kamus-ı Türkî – fjalor i turqishtes (1901)