Salvator Bushati: Akademia e Shkencave vazhdon të japë kontributin e saj në drejtim të inovimit dhe progresit

    470
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet akademiku Salvator Bushati, anëtar i Asamblesë së Akademisë së Shkencave Shqiptare

    Akademia e Shkencave Shqiptare gjatë vitit 2013 ka synuar realizimin e funksioneve kryesore të saj, nëpërmjet zhvillimit të veprimtarive në disa drejtime përparësore, sipas seksioneve. Kështu, anëtarët e Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike kanë ndërmarrë disa veprimtari kërkimore-shkencore të karakterit të gjerë a të ngushtë, në varësi të kërkesave individuale apo institucionale jashtë universitare mbi bazë projektesh, të mbështetura kryesisht nga organizata kombëtare apo ndërkombëtare. Për të mësuar më shumë rreth veprimtarisë së AShSh gjatë vitit 2013 dhe rreth projekteve të saj në të ardhmen, “Telegraf” ka realizuar një intervistë me akademikun dhe anëtarin e AShSh-së, z. Salvator Bushati.

     – Profesor, në ditët e sotme po flitet shumë për arritjet e kërkimit shkencor dhe përpjekjet, që duhen bërë për përmirësimin e veprimtarive të institucioneve shkencore në vend. Po në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, cili është sot, sipas jush, realiteti i veprimtarisë shkencore të saj? 

    Puna e AShSh është shtrirë kryesisht në mbulimin e veprimtarive kërkimore-shkencore të parashikuara nga përparësitë dhe detyrat në zbatim të misionit të sajë të zhvilluar sipas dy seksioneve të saj, përkatësisht në Seksionin e Shkencave Shoqërore e Albanologjike dhe në atë të Shkencave Natyrore e Teknike, të cilat u analizuan gjerësisht në analizën e veprimtarisë vjetore për vitin 2013.

    Për arsye të strukturës, pa institute apo qendra kërkimore në varësi të Akademisë së Shkencave, veprimtaria e çdo anëtari të Seksionit është mbështetur, në radhë të parë, në punën individuale ose në veprimtari kërkimore-shkencore, që u përgjigjen kërkesave të institucioneve, ku akademikët janë efektivë. Anëtarët e Seksioneve, përgjithësisht, janë punonjës të universiteteve, prandaj edhe veprimtaria kryesore e tyre ka qenë në mbështetje kryesisht të kërkimit shkencor dhe në hartimin e teksteve e të veprave monografike të veçanta në fusha të ndryshme të shkencës, në projekte të mbështetura nga organizma kombëtare ose ndërkombëtare, ku ata shpesh kanë qenë edhe ndërlidhës dhe koordinues me Akademinë e Shkencave në këto veprimtari. Kështu që, përgjithësisht, lidhja e tyre ka qenë e dyfishtë. Në këto kushte edhe raportimi dhe vlerësimi ka qenë i dyanshëm. Seksionet, në varësi të kushteve, kanë përkrahur dhe mbështetur veprimtarinë e anëtarëve në bashkëpunimin e ofruar nga çdo anëtar.

     

    – A mund të na referoni disa nga veprimtaritë më të rëndësishme të zhvilluara?

    AShSh gjatë vitit 2013 ka synuar realizimin e funksioneve kryesore të saj, nëpërmjet zhvillimit të veprimtarive në disa drejtime përparësore, sipas seksioneve. Kështu, anëtarët e Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike kanë ndërmarrë disa veprimtari kërkimore-shkencore të karakterit të gjerë a të ngushtë, në varësi të kërkesave individuale apo institucionale jashtë universitare mbi bazë projektesh, të mbështetura kryesisht nga organizata kombëtare apo ndërkombëtare, si: UNDP, USAID, OSBE etj., duke qenë përgjithësisht pjesëmarrës në veprimtarinë kërkimore apo shkencore të të gjitha niveleve, thuajse në të gjitha fushat, që mbulon ky Seksion, në disa fusha të parashikuara në planet afatshkurtra dhe afatgjata, të mbështetura kryesisht nga organizata kombëtare apo ndërkombëtare në fusha me rëndësi si sociologji, drejtësi, historia, etj. nëpërmjet arkivave të huaja, gjuhësisë  për përmirësimin e gjuhës standard etj. Projekte me rëndësi janë realizuar ose janë në vazhdim nga Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe etj. të cilat trajtojnë tema të rëndësishme. Një vend relativisht të mirë dhe të dukshëm në veprimtarinë shkencore të Seksionit zënë botime të veçanta dhe përmbledhje studimesh për tranzicionin e ekonomisë shqiptare; për probleme të papunësisë; për minoritetet; për viktimat e krimit në familje; për traditat kulturore e zakonore shqiptare sipas autorëve të huaj; për studime historike mbi çështjen kombëtare etj. Nga akademikët u realizuan botimet “Archaeological studies on the prehistory of Albania”(M. Korkuti); “Akademi Solemne kushtuar 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”, të organizuar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë; ”Berati – historia dhe arkitektura”(A. Baci, P.Thomo, E.Riza); “Lëvizje migruese të shqiptarëve, të brendshme e në popujt më afër”; “Mahir Dom”, Vepra I , si dhe “Fjalor i termave të Patologjisë; “Morfologjia e shqipes standard” (E. Likaj);. “Ditari i Tranzicionit Ekonomik” (A. Angjeli); “Studim për viktimat e krimit dhe dhunës në familje dhe sulmeve seksuale” (A. Fuga. bashkautor); “Minoritetet dhe ndërtimi kombëtar në Shqipëri”. (B. Meta); “E folmja e Kastratit”; “E folmja e Rranxave të Mbishkodrës” (Gj. Shkurtaj); “E folmja e Kelmendit” si dhe “Gjuha e Eposit të Kreshnikëve”; “Kadareja dhe fjala shqipe”.(Gj. Shkurtaj, Botuar në sistemin on-line tek Amazon-books);

    “Si të shkruajmë shqip” (Gj. Shkurtaj)“Urgjenca gjuhësore” (Gj. Shkurtaj); “Tri tekste poetike të H. Z. Kamberit” (J. Bulo); “Kurthet e papunësisë” (K. Barjaba); “Roli i Lezhës në Lëvizjen Kombëtare dhe në krijimin e shtetit modern” (M. Verli. me bashkautor); “Fiset e Malësive Veriore dhe e drejta zakonore e tyre” dhe “Franc Nopça: Pikëpamjet fetare, doket dhe zakonet e Malcisë së Madhe” (M. Verli, Franc Nopça me bashkëpunëtor); “Himni Kombëtar” dhe “Partiturat muzikore të Himnit Kombëtar” (V. S. Tole), etj. E që do të kërkoja ndjesë nëse kam harruar ndonjë. Një kontribut nga të gjitha fushat e studimeve shoqërore është dhënë në revistat tona shkencore dhe të huaja, si në realizimin e botimit periodik Studia Albanica, etj.. Ka pasur një pjesëmarrje të gjerë në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare dhe seminare e promovimeve të veprave në fushën e arkeologjisë, sociologjisë, drejtësisë, ekonomisë, historisë, gjuhësisë, letërsisë, si “Pavarësi dhe personalitete” (J. Krasniqit); “Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe”; “E mbsuame e krështerë”, (M. Mandala), “Himni Kombëtar” i (V. Toles), etj. Prurjet shkencore kanë dhënë ndihmesa të drejtpërdrejta: në mësimdhënie në universitete dhe shkolla të larta, në leksione universitare, të masterit e të doktoraturës, në hartime kurrikulash etj..

    Statistikat e 2013-s flasin se, në fushën e shkencave shoqërore e albanologjike u realizuan:

    – 12 projekte shkencore (1 projekt nga Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës; 1 projekt në kuadër të Programeve Kombëtare për Kërkim e Zhvillim – AKTI; 10 projekte në kuadër të programeve të BE-së (FP-7 dhe të organizmave të tjerë ndërkombëtarë);

    8 konferenca shkencore (1 ndërkombëtare dhe 7 kombëtare);

    25 monografi (18 brenda dhe 7 jashtë vendit);

    19 artikuj në revista shkencore (9 jashtë dhe 10 brenda vendit);

    – 46 pjesëmarrje në konferenca shkencore (28 jashtë dhe 18 brenda vendit);

    – pjesëmarrje në procesin e mësimdhënies e të gjithë “Akademikëve” dhe “Akademikëve të asociuar” të Seksionit të AShSh-së.

    Në fushat e shkencave natyrore dhe teknike janë zhvilluar me përparësi në veprimtari të orientuara në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Kërkimit, Teknologjive dhe Inovacionit dhe të studimeve të orientuara qeveritare në drejtime të tilla si: rregullimi i regjimit ujor në sistemet liqenore dhe të lumenjve; shfrytëzimi i energjisë së rinovueshme (gjeotermale, nga biomasa etj.,) dhe aplikimet praktike me projekte pilote me synim ngritjen e NMV-ve në Shqipëri; vlerësimi i fenomeneve të ndotësve të ajrit dhe impakti në mjedis; përforcimi i sistemit të monitorimit të mjedisit në vend; projekte në fushën e nanoteknologjisë, të lidhura me mjedisin, në mjekësi etj.; teknologjitë e informimit e komunikimit dhe shfrytëzimi i tyre gjatë krizave mjedisore dhe në fusha të tjera; vlerësimi, ruajtja dhe rehabilitimi i ekosistemeve natyrore, pyjeve dhe problematikat e menaxhimit të tyre; biodiversiteti dhe shfrytëzimi i tij në cilësinë e ushqimit, të përdorimit të bimëve aromatike mjekësore; transferimi dhe zbatimi i teknologjive të reja në fusha të ndryshme e me përparësi si ato të certifikimit të patologjive të specieve frutore me metoda bashkëkohore, me aplikime të teknologjive të reja në fushën e trashëgimisë kulturore etj.

    Këto veprimtari janë zhvilluar në kuadër të Qeverisë; të disa marrëveshjeve e projekteve të bashkëpunimit që ka AShSh me akademi e institucione të tjera, si Marrëveshja e Bashkëpunimit Shkencor me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, bashkëpunimi me akademitë e Maqedonisë  dhe atë të Malit të Zi; Programet Kombëtare për Kërkim dhe Zhvillim të AKTI-t; projektet bilaterale në rajon, etj. Një kontribut të veçantë kanë dhënë koordinatorët në realizimin e projekteve: të mbështetura nga programet e Komisionit Europian, UNESCO, TEMPUS, NATO, programit IPA e organizma të tjera ndërkombëtare, si dhe ato nëpërmjet punës individuale të akademikëve në sektorët ku punojnë, të cilat janë realizuar nëpërmjet projekteve, konferencave, workshop-eve, konsultave kombëtare e ndërkombëtare.

    Anëtarët e Seksionit kanë marrë pjesë aktive në shumë konferenca shkencore, ku kanë paraqitur rezultatet e punës së tyre kërkimore. Në 2013 janë organizuar disa konferencave shkencore ndërkombëtare me kontribute të veçanta, me vlerë jo vetëm për komunitetin shkencor, por edhe më gjerë për politikëbërësit e vendimmarrësit. I tillë ishte zhvillimi i Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Sistemi Liqenet e Prespës-Liqeni i Ohrit: Gjendja aktuale–probleme dhe perspektiva”, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, më 29-31 tetor 2013. Po kështu, një ngjarje tjetër e rëndësishme shkencore ndërkombëtare ishte edhe organizimi i “Kongresit të 7-të Ndërkombëtar të Gjeofizikanëve në Shqipëri, një nga veprimtaritë e rëndësishme për kërkimin shkencor dhe zhvillimin ekonomik, për Shqipërinë e më gjerë, e pazhvilluar më parë në shkencat e tokës në vend. Po kështu, i një rëndësie të veçantë në problematikat bujqësore, ishte edhe zhvillimi i simpoziumit ndërkombëtar “Biodiversiteti, ruajtja dhe përdorimi i qëndrueshëm për zhvillimin rural”, në bashkëpunim me disa institucione shkencore dhe shoqata në vend dhe mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë; Simpoziumi i 15 Ndërkombëtar IUFRO 2013: “Aspektet Ligjore të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Pyjeve Evropiane”, etj.

    Në fushën e botimeve brenda e jashtë vendit përmendim: “Atlasi Gjeotermal i Shqipërisë dhe platformë e shfrytëzimit të nxehtësisë së tokës”. (Përgatitur për botim A. Frashëri dhe S. Bushati); “Praktika laboratorike në inxhinierinë kimike” (I. Malollari, P. Dodbiba, L. Xhagolli, H. Manaj, A. Dhroso); “Inxhinieria e reaksioneve kimike” (I. Malollari, L. Xhagolli); “Disa faktorë dëmtues që ndikojnë gjatë kryerjes së një shpërthimi dhe masat që duhen marrë për parandalimin e tyre”, “Faktorët që ndikojnë në rezultatet teknik –shkencore dhe ekonomike të një shpërthimi masiv me tunele”, “Prodhimi i energjisë elektrike nga era dhe gazi natyra”, “Projektimi optimal i shpërthimeve me tunele mbi bazën e zgjedhjes drejt të elementeve gjeometrikë të shkallës dhe skemave më racionale si dhe efektiviteti tekniko – ekonomike i tyre”, “Shfrytëzimi i rërave me përmbajtje të lartë silici të vendburimit Shkozë – Tiranë të fabrikës së çimentos dhe gëlqeres Fushë-Krujë për prodhimin industrial të gazobetonit dhe gazosilikatit në Tiranë”,Studime e përgjithësime teorike –praktike të shpërthimeve të mëdha me ngarkesa të përqendruara të lëndës plasëse me temë ’’Formulat për llogaritjen e lëndës plasëse të përqendruar dhe parimet bazë të projektimit të shpërthimeve të mëdha’’, (E.Pinguli); “Sëmundjet e mëlçisë, sistemit biliar dhe pankreasit” (B. Resuli, J. Basho, A. Babameto); “Kulturat bimore indore dhe qelizore”(V. Sota, E. Kongjika); “Good agricultural practices for Greenhouse Vegetable Crops–Principles for Mediterranean Climate Areas” (N. Gruda, M.M. Qaryouti, Ch. Leonardi. Ch. Growing);  etj.

    Përsa i përket artikujve të botuara në revistat shkencore gjatë 2013, anëtarët e Seksionit shquhen për përgatitje të botimeve me vlerë, disa prej të cilëve janë publikuar në revista të huaja të vlerësuara me faktor impakti. Në to paraqiten rezultate të projekteve të drejtuara nga akademikët, si dhe rezultate të doktoraturave, të udhëhequra prej tyre. Janë botuar rregullisht edhe revista shkencore “Albanian Journal of Natural and Technical” (AJNTS), dhe Buletini “Kërkimi Shkencor në Bujqësi dhe Prodhimin Shtazor për Zhvillimin Rural,” (Journal of Agriculture of Animal Production Science for the Rural Development, JAAPSR), botim i përbashkët i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i Fondacionit “Shkencë, Teknologji, Shërbim Këshillimor për zhvillimin e Fermës, BLELAL”.

     

    -Prof. Bushati, në këto aktivitete a përfshihen kërkuesit e rinj?

    Akademia ka në prioritetin e saj identifikimin, mbështetjen dhe stimulimin e kërkuesve të rinj në vend e diasporë. Një vend të veçantë kanë zënë aktivitetet në kuadër të Programit “Edukimi në shkencë (një nismë e Akademive të Evropës), që ka për qëllim nxitjen e kërkimit shkencor në të gjitha nivelet, që nga zbulimi i talenteve në shkencë, mbështetjen e kërkuesve të rinj, etj. nëpërmjet paraqitjes së studime shkencore e ideve, nga të specialistëve brenda dhe jashtë akademive, të cilat realizohet nëpërmjet organizimit të seminareve shkencore, leksioneve të hapura, të ilustruara nëpërmjet arritjeve të figurave të shquara të shkencës, apo me organizimin e “Ditëve të hapura të institucioneve shkencore”.

     

    – Çfarë kontributi japin akademikët në arsimin e lartë?

    Mësimdhënia dhe udhëheqja e doktoraturave dhe e masterave ka qenë një nga objektivat kryesore të punës së Akademikëve. Edhe në fushat e shkencave natyrore dhe teknike, statistikat dëshmojnë se akademikët realizuan:

    33 projekte shkencore, nga të cilat: 4 projekte në kuadër të Programeve Kombëtare për Kërkim e Zhvillim – AKTI; 2 projekte nga Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës; 23 projekte në kuadër të programeve të BE-së (FP-7 dhe të organizmave të tjerë ndërkombëtarë); 4 projekte të Akademisë së Shkencave dhe institucioneve të tjera në vend.

    6 konferenca shkencore (3 ndërkombëtare dhe 3 kombëtare);

    15 monografi (12 brenda dhe 3 jashtë vendit);

    100 artikuj në revista shkencore (13 brenda dhe 87 jashtë vendit);

     – 71 pjesëmarrje në konferenca shkencore (2 brenda dhe 69 jashtë vendit);

    pjesëmarrje në procesin e mësimdhënies e të gjithë “Akademikëve” dhe “Akademikëve të asociuar” të Seksionit të ShNT.

    Si paraqitet gjendja e Akademisë sipas jush profesor?

    Bilanci i veprimtarive shkencore të zhvilluara nga AShSh gjatë vitit 2013, demonstrojnë tregues më të mirë rritës, pjesëmarrje në botime, në revista shkencore si dhe pjesëmarrje në konferenca shkencore e më të ulëta në projekte e monografi. Ndërsa veprimtaritë shkencore të zhvilluara gjatë periudhës pesëvjeçare, 2009-2013 nga AShSh demonstrojnë për tregues më të mirë në pjesëmarrje në botime, në revista shkencore si dhe pjesëmarrje në konferenca shkencore e më të ulëta në monografi e projekte nga ku arrijmë në përfundime të qarta që duhet punuar për përmirësimin e treguesve në këtë drejtim. Analiza e veprimtarive të Akademisë nxori në pah arritje, por njëkohësisht edhe shumë problematika, të cilat do të jenë edhe prioritete për përmirësimin e punës së Akademisë, në drejtim të rritjes së rolit që ajo duhet të ketë për kontribute me vlerë në sistemin e kërkimit shkencor në përgjithësi, në kërkim-zhvillim e inovacione, të arsimit të lartë, zhvillimit cilësor të shoqërisë e të mbështetjes së zhvillimit ekonomik e stimulimit të prodhimit privat vendas e të huaj në përgjithësi. Këto do të jenë edhe prioritetet, të cilat kanë dalë si rezultat i diskutimeve të gjata në Seksionet e AShSh e me specialistë të fushave të ndryshme jashtë saj, të cilat do t’i miratojmë së bashku.

    – Cilat do të jenë përparësitë e AShSh-së për vitin 2014

    Akademia, si një nga institucionet në Sistemin e kërkimit shkencor, vitet e fundit ka dhënë kontribute me vlerë në fashën e kërkimit e zhvillimit, e arsimit të lartë, rolit të saj në politikbërjen e vendimmarrjen në shkencë, në procesin e hartimit të dokumenteve bazë të kërkim-zhvillimit, etj. si: (i)- në hartimin e Strategjisë Kombëtare të Kërkimit dhe Zhvillimit Teknologjik e Inovativ (SKKZHTI), dokumentit bazë për kërkimin shkencor; (ii)- në plotësimin e Pyetësorëve për Shkencën (Kapitullit 25) të Europës, i cili është udhërrëfyes për arritjet, për të qenë në bashkësinë e madhe të kërkimit shkencorë europian; (iii)- në grupin e hartimit të Strategjisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor të Kërkim-Zhvillimit për inovacion; (iv)– në mbështetje të krijimit e funksionimit të Agjencisë së Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit, e në mirëmenaxhimin e programeve kombëtare e ndërkombëtare për kërkim dhe zhvillim, etj; (v)- në studime kombëtare për legjislacionin, përmirësimin e standardeve shkencore në publikime shkencore në Shqipëri, etj; (vi)- në ideimin e zhvillimin e projekteve madhore për rritje kapacitetesh institucionale shkencore, etj.

    Përcaktimi i përparësive të zhvillimit shkencor në vend mbetet detyrë themelore e AShSh-së. Përparësitë tona duhet të jenë domosdoshmërish në përputhje me nevojat aktuale të zhvillimit të përgjithshëm të vendit, të cilat do të zbatohen në përputhje me Strategjinë KZHTI nëpërmjet programeve: kombëtare, bilaterale ndërkombëtare të AKTI, por edhe me programet e zhvillimit shkencor të BE-së (p.sh. Horizon-2020 etj.), kur bëhet fjalë për të marrë pjesë në projekte shkencore me cilësi të lartë (konkurruese) dhe për të fituar financime nga BE-ja.

    Pas një eksperience 5-vjeçare, paraqitet përparësor vlerësimi tërësor i kërkimit shkencor në vend, nëpërmjet studimeve nga grupe shumëdisiplinore gjithëpërfshirëse kërkuesish e politikëbërësish shkencorë, me spektër të gjerë, të drejtuara ndoshta pse jo dhe nga ASh-ja. Kontributi në organizimin e strukturave shkencore në kuadër të Sistemit të Kërkimit Shkencor Kombëtar, do të jetë objektivi kryesor, nga ku do të përcaktohen edhe fushat përparësore të kërkimit e zhvillimit në përputhje me programin e Qeverisë për zhvillimin e vendit.

    Akademia e Shkencave e Shqipërisë duhet të rrisë rolin e saj në qeverisjen e vendit, që të rrisë rolin e saj në zhvillimin e vendit në përgjithësi, për të cilën kërkohet një mbështetje nga Qeveria në drejtim të zgjerimit të hapësirave të Akademisë për menaxhimin e institucioneve shkencore. Argumentet flasin pozitivisht në këtë drejtim, si përsa i përket rezultateve të veprimtarisë së saj në Sistemin e Kërkimit Shkencor në Shqipëri, ashtu edhe të përfaqësisë së saj aktive në kërkimin shkencor në vend. Po kështu edhe në pjesëmarrje e bashkëpunime aktive në institucionet ndërkombëtare: në rrjetin e 54 akademive të vendeve të Europës (ALLEA), në rrjetin e 95 akademive të Botës (IAP) e të akademive të vendeve në zhvillim (TWAS), këshillin e bashkimit ndërkombëtar për shkencën (ICSU), në Këshillin ndërakademik të vendeve të Europës Jug-Lindore (IACSEE), anëtarësimit të akademikëve tanë në akademitë e vendeve të tjera, në bashkëpunimet bilaterale me Akademitë e rajonit e më gjerë, si eksperte përfaqësuese për në programet të shkencës e teknologjisë të BE, etj..

    Një ndër objektivat e saj do të jetë edhe përfshirja e diasporës në zhvillimin shkencor. Akademia e Shkencave në planin ndërkombëtar shkëmben e transferon informacione shkencore e teknologjike e mund të thuhet se luan rolin e  ambasadorit për kërkimin shkencor të Shqipërisë.

    Kërkimi shkencor në Shqipëri, krahas me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ka kapacitetet për të qenë bashkudhëtar drejt Europës; ekzistojnë kapacitete të mjaftueshme të burimeve njerëzore si dhe ato në infrastrukturë për hapa cilësore të shpejta zhvillimi drejt Europës, por janë të domosdoshme masa të mëtejshme për përmirësime në drejtim të një menaxhimi më të mirë të shfrytëzimit të këtyre kapaciteteve.

    Përparësi e veçantë do të jetë bashkëpunimi me institucione homologe shkencore jashtë, në ndihmë të njohjes e integrimit të Shqipërisë në bashkësinë Europiane e lidhjet e saj në Botë nëpërmjet rritjes cilësore të bashkëpunimeve në fusha të kërkimit shkencor në shkencat shoqërore e natyrore-teknike. Prioritet të veçantë do të kenë bashkëpunimet në kërkim – zhvillim me Akademinë e Shkencave e Arteve dhe të institucioneve shkencore të Kosovës. Po kështu, nisur nga kontributi që mund të japë shkenca në diplomaci, nëpërmjet lidhjeve e veprimtarive kërkimore-shkencore ndërkombëtare të AShSh-së, me një përfaqësim dinjitoz në shkencë të kërkuesve tanë në komunitetet shkencore ndërkombëtare, do të jemi pjesë e kontributit që Shqipëria do të japë në mbështetje të procesit të njohjes së Republikës së Kosovës nga vendet e tjera në botë, në përputhje me Programin e Qeverisë shqiptare.