Saliaj: Është vonë, shokët nuk dinë ende se kush do të nderohet

    440
    Sigal

    Komisioni Shtetëror për 70-vjetorin e Çlirimit, aspak transparente me veteranët

     Veteranët ndihet të diskriminuar nga qeveria në prag festimesh të 70-vjetorit të Çlirimit të vendit. 70 vjet më parë, ata ishin kryefjala e festës mbarëkombëtare të Çlirimit nga okupatori fashist, ndërsa sot ata mbahen në padituri për çfarë do ndodhë në datën e shumëpritur. Kanë mbetur vetëm 5 javë nga festa e 70-vjetorit të Çlirimit të vendit dhe ende veteranët nuk e dinë se kush bën pjesë në listën e atyre që do të nderohen për kontributin e tyre të veçantë në LANÇ. Sipas vendimit të qeverisë

    të datës 11 tetor, do të nderohen me “Medaljen e mirënjohjes” 1 000 veteranë për kontributin e tyre të veçantë, duke marrë pjesë në luftën për mbrojtjen e vendit në periudhën 7 prill 1939 – 29 nëntor 1944, në 70-vjetorin e Çlirimit të vendit. Edhe pse vendimi i qeverisë ka gati 2 javë që është publikuar, veteranët ende nuk kanë emra në tavolinë. Ky është shqetësimi që ngre Ahmet Saliaj, kryetari i Organizatës së Veteranëve të LANÇ në zonën nr.7 Tiranë, si dhe anëtar i Kryesisë së Komitetit të Veteranëve Tiranë. “Në mbledhjen javore të veteranëve të Tiranës, zhvilluar këtë të hënë, ngrita problemin se deri ku jemi me stimujt për veteranët me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit dhe kreu i Komitetit të Veteranëve Tiranë m’u përgjigj se ende nuk kemi asnjë udhëzim nga Komiteti Kombëtar i Veteranëve” shprehet Saliaj për “Telegraf”. Për Saliaj, kjo është një vonesë e pakuptimtë, ndërkohë që ka dalë vendimi i qeverisë. “Jemi shumë të vonuar. Meqë jam kryetar zone, duhet të verifikohen veteranët që janë gjallë. Në zonën time duhet të jenë rreth 100 veteranë, me plus apo minus. E përsëris, nuk ka kohë”, shprehet i shqetësuar Saliaj. Veteranët edhe më herët janë ankuar se janë ndjerë të mënjanuar nga Komisioni Shtetëror për përkujtimin e 70-vjetorit të Çlirimit të atdheut. Edhe pse i janë drejtuar institucioneve shtetërore për këtë problem, rezultati vazhdon të jetë i njëjtë. Asnjë organizatë veteranësh nuk është ftuar në Komisionin Shtetëror për të përgatitur 70-vjetorin e Çlirimit. Komisioni u krijua me insistimin e vazhdueshëm të LSI-së dhe vazhdimisht kjo forcë politike ka apeluar për një vëmendje më të madhe shtetërorë dhe një përkujdesje të veçantë ndaj Luftës Nacional Çlirimtare dhe heroizmit partizan. Qeveria ka marrë vendime për shpërndarje medaljesh për veteranët e luftës, ceremoni për ditën e çlirimit në çdo qytet të vendit, restaurim të Varrezave të Dëshmorëve në 30 qytete, konkurs për logon e 70-vjetorit miratuar nga Ministria e Kulturës, konkurs për shkollat 9-vjeçare për imazhin e Luftës, kampionate sportive ndërmjet shkollave, ekspozitë me fotot e luftës tek Pallati i Kulturës, emërtimi i 70-vjetorit në pullat shqiptare, katalogu i monedhës shqiptare 1917-2014, emërtimi i monedhave për 70 vjetorin e çlirimit, krijimi dhe prodhimi i medaljes së 70 vjetorit të çlirimit, i cili do t’i shpërndahet 1000 veteranëve. Por edhe pse janë marrë këto vendime nga ana e qeverisë, Komisioni Shtetëror për 70-vjetorin e Çlirimit ka zhvilluar vetëm disa mbledhje me dyer të mbyllura, duke mos qenë fare transparent në ato çka vendos apo bën. Më herët, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Luan Rama ka bërë thirrje që Komisioni i posaçëm shtetëror, i krijuar për festimet e 70 vjetorit, të mos të vazhdojë të nanuritet në mjediset e zyrave, por të shohë realisht dhe të veprojë.

      LSI e pakënaqur nga Qeveria për festën e 70-vjetorit të Çlirimit

     LSI ka apeluar për një festim të denjë të 70- vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Por, ajo çfarë është bërë deri më tani, duket se nuk e ka kënaqur këtë forcë politike. Sekretari i Përgjithshëm i LSI, adreson kritika ndaj qeverisë, e cila, sipas tij, ka treguar indiferentizëm ndaj këtij viti jubilar. “Ato që u planifikuan, apo u programuan të bëhen nuk u realizuan ashtu siç meritonte 70 vjetori i çlirimit. Ju sjell në vëmendje se gjendja e varrezave të Dëshmorëve të luftës pothuajse në të gjithë vendin është katastrofike, skandaloze. Nëse do të çoni kamerën tuaj, jam i bindur që nuk do të gjeni në asnjë varreza se po punohet. Ndërkaq janë programuar se do të festoheshin të gjitha ngjarjet që lidheshin me vitin 1944. Është kremtuar 70-vjetori i Çlirimit të Vlorës, por për fat të keq nuk ka qenë asnjë përfaqësues i qeverisë. Kjo neglizhencë nuk e bën aspak më të pavlerë apo rrudh dimensionet e heroizmit e partizanëve në atë luftë”, shprehet ai. Por, çfarë mund t’i shtohet dosjes së festimeve të 70 vjetorit? “70 vjetori i çlirimit të Atdheut duhet të jetë referenca kryesore dhe ngjarja rreth së cilës duhet fokusuar e gjithë vëmendja shtetërore dhe kombëtare”, nënvizon më tej Rama. Qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion një fond prej 117 460 000 lekësh për festimin e 70- vjetorit të Çlirimit.

      Kreu i veteranëve Peçi: Çlirimi i vendit erdhi nga LANÇ dhe komandanti i saj

     Pas zbardhjes nga mediat të porosisë së dhënë nga qendra e PS-së për të evituar figurën e Enver Hoxhës në aktivitetet në kuadër 70-vjetorit të çlirimit të vendit, ka ardhur dhe reagimi i kreut të Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës së Shqipërisë Rustem Peçit, nëpërmjet një interviste në “Telegraf”. “Porosinë për të mos folur për Enverin, pra, pak apo mos pak, e dhënë nga Edi Rama, ne e kemi lexuar në një të përditshme. Di që nuk ka pasur dhe përgënjeshtrim për këtë… Kjo është revoltuese, e padrejtë dhe gjunjëzuese për pinjollët kolaboracionistë, që nuk po lënë gur pa lëvizur këta 24 vite për të hedhur baltë mbi Luftën Nacional-Çlirimtare e Komandantin e Përgjithshëm të kësaj lufte, Enver Hoxhën. Enver Hoxha ishte udhëheqësi e strategu i luftës dhe askush nuk mund ta mbulojë këtë fakt, kushdo qoftë ky, i majtë apo i djathtë, drejtues partie apo qeverie…”, është shprehur i revoltuar Peçi gjatë intervistës. Për kreun e veteranëve “Enveri ishte Komandanti i Ushtrisë, ai drejtoi operacionet e përgjakshme, deri në çlirimin e vendit… Ai ishte dhe mbetet komandanti legjendar dhe ka gjurmë të padiskutueshme e rol parësor në luftë e fitoren e madhe… Askush nuk mund të nxijë luftën dhe komandantin e saj”.

      Sharaf Baho, lexues i rregullt i “Telegraf”

     Agron MEMA

     SARANDE: Sharaf Baho është 67 vjeç dhe për vite të tëra ka shërbyer në Forcat Ushtarake të Mbrojtjes Popullore nga rinia deri në daljen në pension. Përditë e shikon në kafenenë e preferuar me gazetën “Telegraf”, duke e lexuar dhe komentuar. Kur e pyesim se pse vetëm me këtë gazetë, ai na përgjigjet se kjo më jep kënaqësinë e të lexuarit. Sipas tij, këtu gjenden ngjarjet, lajmet, komentet, intervistat, mendimet, opinionet, të rejat e, letërsisë. Ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se aty gjendet  kurajoja, guximi qytetar dhe profesional, pasi, si thotë zoti Baho, “po u trembëm, t’i themi ato që

    na shqetësojmë, apo i shikojnë sytë tanë në jetën e përditshme atëherë i japim pushtetit aksesin e keqpërdorimit dhe shfrytëzimit të mandatit që ne vetë e kemi votuar.

    “Këtë, “Telegraf”-i na i thotë përditë, prandaj nuk e ndaj nga dora për vite e vite të tëra”, na shprehet Sharafi.

     Ledjana Saliu