Sali Onuzi/ Aleks Buda dhe mesazhi i tij

    539
    Sigal

    Kryetari i parë i Akademisë së Shkencave, mendimtari dhe shkencëtari me përmasa europiane

    Mesa di unë, sa qe gjallë Aleks Buda nuk botoi asnjë libër. Referatet, diskutimet dhe artikuj të posaçëm i botonte në periodiket e kohës. Libra, jo. Siç duket shkencëtari gjuante kohën, priste zbulime dhe interpretime të reja, ose të tjera nga ato që zotëronin situatën e ditës. Aleks Buda qe i bindur, se ajo që dihet nesër është më e plotë, më e pasur, më e vërtetë, se ajo që dihet sot. Prandaj priste të nesërmen. Ai patjetër e dinte se e nesërmja e tij (si e kujtdo) kishte një kufi, një fund, por ai donte ta shfrytëzonte kohën plotësisht.

    Aleks Buda e dinte se sa peshonte fjala, e në veçanti fjala e tij. Ai shkencëtari, që iku nga kjo botë pa botuar një libër. Për Aleks Budën kishin vlerë të vërtetat që zbulonte. Këto ai mundi t’i linte të shkruara, duke i bërë publike në botime, deri dhe akademike kolektive, si Historia e Shqipërisë (tre vëllimet e saj).

    Mesazhi: Rëndësi ka e vërteta që zbulon, që kërkon, që gjen, që argumenton. Kjo është kryesore dhe e rëndësishme.

    Sot po bëhet një garë për të botuar libra. Ndofta, po të mos kenë listë, edhe vetë autorët do t’i kenë harruar titujt e librave te tyre, që i përsërisin botim pas botimi.

    Ka libra të mirë për të cilët ia vlen të harxhosh kohë. Por, ka edhe plot e përplot libra, disa edhe 400-500 faqe (!), mbushur me kashtë. Steriotipi i librave të sotme është një tmerr.

    Bibliografia (nga Ëikipedia):

    Historia e Popullit Shqiptar, Etc. (Botim i Dytë.-Stefanaq Pollo Dhe Aleks Buda-redaktorë Përgjegjës.); Enti i teksteve dhe i mjeteve mësimore i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. 1969, (bashkëpunim); Kuvendi I i Studimeve Ilire: Tiranë 15-20 shtator 1972 (referate, kumtesa. 1974); Konferenca kombëtare e studimeve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, 1878-1881: (12-28 qershor 1978); Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Historisë. 1979; Problems of the formation of the Albanian people, their language and culture: conference (selection), shtëpia botuese “8 Nëntori” 1984.

    Aleks Buda (7.9.1911- 7.7.1993)

    Historiani i famshëm shqiptar, ish kryetari i parë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

    Yllka Selimi: Akademiku Buda, një mendimtar i rrallë

    Po, profesori im i nderuar Akademiku Aleks Buda priste kohën që të thoshte të vërtetat për historinë e Shqipërisë, të cilat nuk i belbëzonte dot. Në formë tezash i ka shkruar dhe mund t’i lexosh nëpër rreshta, por ai student vienez ishte mësuar që të vërtetat duhen thënë ashtu si janë. Prof. Aleksi u bë dhe pak konformist për shkak të prejardhjes. Por ai ishte një erudit, një mendimtar i rrallë! Vetëm këshillat që u ka dhënë bashkëpunëtoreve dhe studentëve të tij nuk blihen me para. Bisedat me të ishin minuta flori. Ai të hapte horizont, vinte piketa për tezën që duhej të shkruaje. Janë të pafundme fjalët e shpirtit për humanistin, njeriun me shpirt të hollë që s’diti t’i bëj keq kujt. Nuk e di, a do të dalë dikush një penë e fortë që të shkruajë gjithçka të vërtetë rreth prof. Aleks Budës. Unë përulem me respekt në kujtim të njeriut të madh të shkencës albanologjike shqiptare.

    Dhora Lloja: Kam mësuar shumë prej Tij, si njeri

    Respekt dhe mirënjohje pafund për të nderuarin Aleks Buda! Për t’u ngjizur dhe dalë në dritë botimet e mësipërme akademike, krahas punës gjithëpërfshirëse prej themelimit të Akademisë së Shkencave e deri sa AI e drejtoi, zgjodha të citoj Xh. London për një nga tiparet e Historianit të famshëm shqiptar: “Këmbëngulja është një gjë e mrekullueshme; ajo mund të lëvizë nga vendi male të atilla, të cilat besimi as guxon t’i ëndërrojë. Këmbëngulja duhet të jetë me të vërtetë ati i çdo besimi në vetvete”. Ndihem me të vërtetë krenare për sa e kam njohur nga afër në marrëdhënie pune duke mësuar shumë prej TIJ si NJERI dhe meriton aq shumë për gjithçka të mirë ka bërë për kombin tonë…! “Gjithmonë të jesh zoti i vullnetit tënd dhe rob i ndërgjegjes sate”, M. Eshenbah.

    Muharrem Xhafa: Prof. Buda, shkencëtari me përmasa europiane

    Prof. Aleks Buda ishte një gjigand i mendimit historik e shoqëror të kombit shqiptar. Dhe unë si të tjerë mund të shkruaja për shkencëtarin e papërsëritshëm me përmasa europiane! Po kufizohem në një propozim: Qeveria, do të jetë në nderin e saj, t’i vinte emrin Aleks Buda, Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kur kjo të rikrijohet.