Saki Sheshi:“Telat e korentit si rrjetë merimangash, rrezik për punonjësit tanë”

    399
    Sigal

    Intervistë/ Flet Saki Sheshi, Komandanti i shërbimit, në Policinë e Mbrojtjes nga Zjarri dhe e Shpëtimit, Tiranë

    Zjarret kanë shkaktuar situatë alarmante në shumë zona të Shqipërisë. Vatrat e zjarrit në këto ditë të nxehta vere, favorizohen shumë nga temperaturat e larta, por dhe nga pakujdesia e qytetarëve. Në këto ditë “të zjarrta” kryefjala janë forcat e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, ose ndryshe zjarrfikësit. Saki Sheshi, komandanti i shërbimit, në Policinë e Mbrojtjes nga Zjarri dhe e Shpëtimit, Tiranë, tregon në një intervistë për “Telegraf” sesi i përballojnë ata këto raste zjarresh, vështirësitë që hasin, mënyra se si i menaxhojnë, por edhe raste që për të kanë qenë shumë të vështira, por që me punën e tyre është parandaluar një fatkeqësi më e madhe.

     Në këto ditë të nxehta vere kemi dëgjuar shumë raste zjarresh. Sot a kemi pasur ndonjë rast të tillë?

    Ne përgjigjemi për të gjitha rastet kur rrezikohet jeta e qytetarëve dhe prona e tyre, për çdo gjë. Përveç zjarreve në këto ditë të nxehta, ne kemi pasur dhe avari nga bombulat e gazit siç është dhe rasti i sotëm. Në mëngjes, rreth orës 10, na vjen njoftimi nga salla e policisë që kishte pasur një shpërthim në një pallat te rezidenca “Kodra e Diellit”, ishte dëgjuar një zhurmë e madhe dhe kishte pasur rrjedhje gazi. Kur shkuam aty, gjithë pallati ishte mbushur me erën e gazit. Dyshohej që kjo gjë kishte ndodhur në një familje në katin e pestë te rezidenca. Morëm dhe autoshkallën, se nuk kishte banues, kishin ikur me pushime, u futëm në katin e pestë, por nuk ishte aty problemi. Problemi ishte te pjesa e shkallës, ku ishte një vend i rregulluar dhe i mbyllur me dryn, ku kishte një bombul gazi, që për një arsye apo tjetër, ishte rrëzuar dhe kishte krijuar një shpërthim dhe si pasojë e kësaj, ishte hapur saraçineska dhe kishte pasur rrjedhje gazi dhe vërtetë ishte diçka për t’u alarmuar, se ai gaz kishte mbushur shkallën  e pallatit dhe nga një shkëndijë e vetme mund të shkaktohej vërtetë një shpërthim. E mbyllëm saraçineskën me mjetet që kemi në dispozicion, hymë me aparate, se era ishte shumë e rëndë, banorët ishin alarmuar dhe kishin dalë përjashta, e mbyllëm dhe nuk pati problem. Vumë dhe aparatin e respirimit, sepse shkalla nuk kishte dalje që të dilte ajri, e pastruam ajrin aq sa mundëm dhe e larguam rrezikun. Vetëm era do të zgjasë edhe pak.

    Çfarë vështirësish keni hasur gjatë lëvizjes tuaj nëpër Tiranë, kur jeni nisur për një rast emergjent?

    Në Tiranë ka plot vështirësi, sepse dhe qytetarët nuk e kanë edukimin e duhur që kur të dëgjojnë sirenën e zjarrfikëses, të hapin rrugën. Në përgjithësi nuk e hapin rrugën dhe ky është një problem i madh për ne që kemi të bëjmë me emergjenca. Tjetër problem janë rrugët e ngushta, sidomos gjatë natës parkohen makina  dhe rrugët janë problematike, jo vetëm për vendosjen e autoshkallës, por edhe kalimi i makinës së zjarrfikëses bëhet i pamundur. Sidomos janë këto rrugët midis Rrugës së Kavajës dhe Myslym Shyri, në ato rrugë të ngushta nuk futesh dot me automjetin e zjarrfikëses. Ndërtimet e reja pa kriter, zgjerimet e bëra nga vetë qytetarët të banesave të tyre, janë një problem i madh për kalimin tonë. Një tjetër problem i yni janë sheshpushimet e pallateve të reja, telat e interneteve, telat e korentit që janë bërë si rrjetë merimangash dhe kushedi sa herë na pengojnë për t’u ngjitur autoshkallëve në lartësi.

    A rrezikohet jeta e punonjësve zjarrfikës gjatë operacioneve?

    Ndonjëherë rrezikun mund ta kemi vetëm nga energjia elektrike. Po ne tani, ngaqë jemi specializuar, i marrim masat, kur shkojmë në vendin e zjarrit marrim informacion çfarë digjet, a është stakuar energjia e elektrike. Këto janë disa veprime që ne i bëjmë paraprakisht. Rreziku në punën tonë është i kudogjendur, ndonjë shpërthim, në bodrumet e pallateve të reja ku janë parkuar makinat. Rastet e zjarreve në këto bodrume janë shumë të vështira për t’u fikur, sepse makina ka shumë, aspirimi është i dobët, ndriçimi i pakët. Dhe distanca që duhet të futemi është e largët, ka pasur raste që zjarrfikësit lidhen edhe me litar me njëri-tjetrin, që të shkojnë sa më afër vatrës së zjarrit, me aparate sigurisht. Këto janë pak a shumë vështirësitë dhe rreziqet me të cilat përballohemi çdo ditë.

    A ka pasur raste zjarri tani afër nëpër pyje?

    Tani është dhe piku i këtyre zjarreve. Deri tani, këtu në Qarkun e Tiranës, nuk kemi pasur raste të tilla. Ka pasur gjëra të kufizuara, si për shembull djegia e plehrave në periferi. Por ne jemi në gatishmëri, sepse tani në këto temperatura të larta, thahet bari dhe të gjitha këto ndikojnë pastaj në rënien e zjarreve nëpër pyje.

    Zakonisht cilat kanë qenë shkaqet e zjarreve?

    Pakujdesia e njerëzve është një nga shkaqet. Për shembull në Kombinat vetë banorët i kishin vënë zjarrin plehrave dhe zjarri pastaj zhvillohet, marrin pastaj dhe kanalet ferrat etj. Por përveç pakujdesisë njerëzore ka dhe raste të qëllimshme.

    Ndonjë rast në karrierën tënde ku keni hasur shumë vështirësi?

    Në vitet kur mungonte energjia dhe funksiononin gjeneratorët, ka pasur raste zjarresh vërtetë tragjikë. Ka pasur një rast te blloku, zjarri ishte shkaktuar nga lokali poshtë, dhe kishte marrë përmasa të mëdha. Dhe pikërisht gjeneratori kishte qenë shkaku i atij zjarri. Prej lokalit ishin në flakë dhe hyrjet e katit të dytë dhe të tretë, ku për momentin nuk kishte qytetarë që banonin. Gjithë pallati ishte mbushur me tym të dendur. Fikëm zjarrin në katin e parë dhe pamë që po digjej kati i tretë. U futëm nga dera, mezi e kemi hapur derën e blinduar, por dhe aty e fikëm zjarrin. Në këtë kohë patëm problemin se administratori i shkallës kishte mbetur në ashensor dhe u munduam goxha për ta hapur ashensorin dhe kështu shpëtuam dhe administratorin. Zjarri bëri dëme, u dogj lokali, u dogj plotësisht një hyrje në katin e tretë, por ne arritëm në kohë për të shpëtuar hyrjet e tjera. Në atë rast kemi pasur dhe ndihmën e forcave speciale, pasi ishte me të vërtetë një zjarr me përmasa të mëdha dhe u shkaktua panik te banorët.

    Po shkaqet e shkaktimit të zjarrit nga kush nxirren?

    Jo ne, se unë jam komandant i grupit veprues, por ne kemi njerëz të specializuar që merren me këtë punë. Pas fikjes së zjarrit, ekspertët tanë bashkëpunojnë me punonjësit e policisë dhe nxjerrin shkaqet, apo nëse janë të qëllimshme apo jo.

    Zakonisht kush ju njofton kur ka raste zjarresh?

    Ne kemi nr. 128 që është pa pagesë dhe qytetarët marrin aty. Por ngaqë qytetarët bëjnë dhe provokime, ne marrim dhe konfirmimin e policisë, pasi i ka mundësitë që të shkojë më shpejt në vendngjarje.

    Profesioni juaj ka një status të veçantë. A jeni ju të kënaqur me rrogat që merrni?

    Ne jemi në nivele të mira, krahasuar me rrogat e shtetit shqiptar, ne paguhemi njësoj si dhe policia. Njeriu nuk kënaqet asnjëherë,por unë gjykoj në bazë të rrogave që merr policia. Shkallën e rrezikshmërisë e kemi më të madhe dhe faktikisht shërbimi i zjarrfikëses trajtohet me shkallë vështirësie më të madhe. Gjithashtu ne marrim orë suplementare, siç janë orët e shërbimit natën.

     Zjarri djeg sipërfaqe të tëra me pyje në Pukë, Vlorë, Berat e Sarandë

    Vijojnë zjarret në Pukë, raportohet se në pyjet e Munellës flakët kanë dalë jashtë kontrollit, ndërsa aktiv vijon të jetë edhe zjarri në pyjet e Krrabit dhe në pyjet Lumbardhit. Vatra zjarri edhe në Vlorë, Berat dhe Sarandë

    SARANDË

    Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë sot pasdite edhe në kurorën e pyjeve në Sarandë. Në vendngjarje raportohet të kenë mbërritur forcat zjarrfikëse, ndërsa për shuarjen e flakëve po ndihmojnë edhe banorët e zonës. Ende janë të paqarta shkaqet e rënies së zjarrit.

    VLORË

    Në Vlorë një vatër zjarri në Kodër Shashicë, mbi fshatin Kaninë ka përfshirë ullishtat duke krijuar re të mëdha tymi që duken me sy të lirë dhe nga qyteti. Zjarri i nisur pas dreke vijon dhe këtë pasdite ndërsa paraqitet e vështirë ndërhyrja për shkak të terrenit të thyer malor.

    PUKË

    Shtohen vatrat e zjarrit në pyjet e Pukës. Aktualisht në këtë rreth vijojnë të jenë aktive tre vatra zjarri, në pyjet e Krrabit, Munellës dhe një vatër tjetër që është shfaqur ditën e sotme në pyjet Lumbardhit. Zjarri në Munellë ka dalë jashtë kontrollit, duke djegur sipërfaqe të tëra me pyje. Në këtë zonë janë të përqendruara edhe forcat e ushtrisë, të cilët po punojnë për neutralizimin e flakëve. Zjarri në pyjet e Munellës vijon të jetë aktiv, prej tre ditësh. Ndërkohë në pyjet e Krrabit zjarret vijojnë që prej një jave dhe sipërfaqja e djegur shkon mbi 5 ha. Kësaj situate të rëndë i është shtuar sot edhe një vatër tjetër zjarri, ajo në pyjet e Lumbardhit. Situata problematike si pasojë e rënies së zjarreve në Pukë, këtë vit mbetet një nga më shqetësueset në vend, ndërsa nuk ka asnjë person të ndaluar, pasi shkak i tyre mbetet vetë dora e njeriut.