Sahit Dollapi, rrogë mujore 5.5 milion lekë

    458
    Sigal

    Av. Altin Goxhaj, Kryetari i Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorëve, skanon administratorin shtetëror të CEZ-it

    CEZ-i u shporr nga Shqipëria, por konsumatorët shqiptarë, ende vazhdojnë të vidhen nga post-CEZ-i, sepse asgjë nuk ka ndryshuar në sjelljen e tyre ndaj konsumatorëve. Kryetari i ZMK-së, avokat Altin Goxhaj, një nga kritikët më të ashpër të CEZ-it, në mbrojtje të konsumatorëve shqiptarë, skanon post-CEZ-in dhe administratorin e ri shtetëror, Sahit Dollapi në raport me ankesat e konsumatorëve shqiptarë.

     – Ju keni qenë kritiku më i madh i CEZ-it, që në fillim. Administratorin e ri (shtetëror) të post-CEZ-it, si do ta vlerësonit?

    – E keqja që Dollapi u bë administrator i CEZ-it,  është se ai mund të jetë indiferent ndaj ankesave të konsumatorëve, këtë e ka vërtetuar gjatë kohës që ka qenë në OSSH, në UKT dhe unë kam frikë se zoti Dollapi do të jetë indiferent, siç ka qenë edhe më përpara ndaj problemeve të konsumatorëve. Mos harrojmë që CEZ-i, pavarësisht i çekëve apo i shqiptarëve, është një institucion shumë i fuqishëm, por që ka në dorë konsumatorin dhe konsumatori nuk ka në dorë asgjë, pasi vetë legjislacioni e ka dëmtuar shumë hapësirën e konsumatorit për t’u vetëmbrojtur, çka do të thotë që jemi në dorë të vullnetit, qoftë të mirë apo të keq, të një drejtori, nga politika që ai do të aplikojë.

    – Ç’do të bëhet me ankesat e qytetarëve për mbifaturim?

    Problemi është se edhe problemet e mbifaturimit në UKT ndaj qytetarëve kanë qenë të jashtëzakonshme.  Dollapi, por ai është indiferent ndaj ankimeve të konsumatorëve, dyshoj në axhendën e tij për prioritetet në raport me ankesat e qytetarëve për mbifaturim, pasi duke u përqendruar te tema e furnizimit 24 orë me energji elektrike, nuk mund të nënvlerësojë edhe vlerat e konsumatorëve për të mbrojtur veten e tyre. CEZ-i ka ndërtuar një skemë krejtësisht fiktive.

    – Tregoheni që në fillim skeptik për rolin që mund të luajë zoti Dollapi?

    – Ju tregoj sesi vepron konsumatori. E para, që të ankohet qytetari, duhet të shkojë te zyrat e CEZ-it, fillimisht. Aty fillon një pingpong. Kur futet ZMK-ja, fillon një lojë kohe e gjatë, sepse zgjatet procedura, qytetari shkon te komisioni i mbrojtjes të konsumatorëve, që është një organizëm i pavarur, por që është i pafuqishëm për të përballur me  një kompani gjigande, sikurse është CEZ-i, sepse  të vështirëson, ta bën të pamundur, pingpongu i letrave dhe i dokumenteve. Kur Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve kërkon statistikën e ankesave, CEZ-i refuzon që ta japë çdo të dhënë nga ankesat e qytetarëve. Edhe gjykatat të zvarritin, nuk mbarojnë kurrë punën dhe një gjyq zvarritet, mund të vejë 3 vjet, 4 vjet. Prandaj, është e kotë, sepse fuqia e veprimit të legjislacionit  është i pafuqishëm. Kjo do të thotë, që ne, konsumatorët, përballë CEZ-it, jemi krejtësisht të pafuqishëm. Kur vjen puna te gjyqësori, që duhet të ishte pika jonë më e fortë, ne ZMK-ja, e kemi të pamundur në bazë të mënyrës që kanë ndërtuar skemën e ankimit të konsumatorëve konsulentët e huaj në Shqipëri, sepse vetë kjo skemë e ankimit është ndërtuar në bazë të rekomandimeve të Bankës Botërore dhe kjo është në ndërtuar në mënyrë ta atillë, që t’i edhe kur vete në gjykatë, ke një pengesë. Sepse, që në fillim, detyrohesh nga gjykata të parapaguash 3% të vlerës që pretendon të dëmshpërblehesh. Në qoftë se ZMK-ja  çon  në gjykatë  500  ankimime, që kërkojnë secila 1.000 euro dëmshpërblim, ne duhet të parapaguajmë 15.000 euro për 3 %. Ku t’i gjej ZMK-ja këto euro për parapagim? Këta ekspertë të huaj kanë difektuar procedurën që ZKM-ja të bëjë një gjyq e të mbrojë konsumatorët.

    – Po të funksiononte Gjykata Administrative?

    – Unë i garantoj konsumatorët, që po të funksiononte Gjykata Administrative, ne do të kishim përmirësim të jashtëzakonshëm, sepse ka shumë nene, që po të aplikohen, do të lehtësonin ankesën e konsumatorëve. Vetë ligji i ankesave të konsumatorëve është reduktuar në formë  hileqare, nga ekspertët e huaj,  në mënyrë që  shoqata e konsumatorëve të mos ketë mundësinë  të mos bëjë një gjyq për 10.000 raste për vjedhjet nga CEZ-i, gjë që do të thotë, që çdo çështje të ecë sipas Kodit Civil dhe ligji i konsumatorëve bie automatikisht. Të bësh një gjyq civil, ndaj CEZ-it, për vjedhje, nuk mund të ndjekësh dot rregullat e ligjit të konsumatorëve. Që të ndjekësh rregullat e Kodit Civil, çdo dëm trajtohet si një gjyq më vete dhe bashkësia e çështjeve kërkon bashkëpunimin e shumë faktorëve, që teknikisht, në kushtet që jemi ne, është krejtësisht e pamundur. Nëse ishte e mundur, nuk mund të shkonte më shumë se 10-15 raste. Nuk flasim për 15 vjedhje. Ne po flasim për dhjetëra mijë vjedhje, që CEZ-i ka bërë ndaj konsumatorëve. P.sh, në SHBA, ose në çdo vend tjetër, që ka shoqëri konsumatori, mjafton të ngresh një padi, në Amerikë, Gjermani, një rast të trajtosh në gjyq, automatikisht, përfitojnë mijëra të tjerë që kanë rastin analog. Që do të thotë se ky model, kur shoqata e konsumatorëve trajton një çështje në emër të të gjithëve, merr 2-3 kampionë rastesh, të gjitha palët, që janë në të njëjtën situatë, përfitojnë automatikisht dëmshpërblim. Në Shqipëri, ekspertët e huaj, të vetmen gjë, që nuk kanë kërkuar në legjislacion, për të mbrojtur konsumatorët, është pikërisht kjo. Kjo është një vrimë e zezë në legjislacionin tonë, pavarësisht se është një nga rekomandimet e BE-së, që nuk është zbatuar, është penguar nga ekspertë europianë, nga BE-ja për rastin e Shqipërisë. Sepse, e dini se ç’ndodh pastaj? Shoqata e Konsumatorëve, mjafton të kapë një shkelje, një vjedhje të një kompanie ndaj një konsumatori dhe ta çojë në gjyq, e të fitohet gjyqi, pastaj, të gjithë konsumatorët,  që janë vjedhur nga kjo kompani, me të njëjtat mënyra, apo edhe nga kompani të tjera, për të njëjtën procedurë, do të përfitonin. Të gjitha gjykatat ndërkombëtare, veprojnë kështu, përveç Shqipërisë. Drejtori i tanishëm që administron shpërndarjen e energjisë elektrike, post-CEZ, Dollapi, duhet të njohë të gjitha detyrimet e CEZ-it?

     CEZ-i u shporr nga Shqipëria, por vazhdon vjedhja e konsumatorëve me mbifaturat

    Qytetarët shprehen se, nuk kanë për të parë dritë të bardhë, që nga ardhja e CEZ në Shqipëri, por edhe tani që ju hoq e drejta e administrimit kompanisë CEZ, ata sërish po marrin faturat e muajve të kaluar me shumë probleme. Qytetarëve të shumtë u vijnë fatura bosh për muajin dhjetor dhe janar. “Më erdhi fatura bosh për muajin dhjetor dhe janar dhe erdha të interesohem për këtë pasi nuk mund t’i paguaj dy muaj njëherë. Por si përgjigje më thanë që ka dhe raste të tjera. Këto janë pasoja të keqadministrimit që i bëri CEZ dhe padrejtësive që u bëri shqiptareve për më shumë se tre vjet”, është shprehur për “Telegraf”, Ariana. B nga Tirana. “Kam librezën në të cilën më shënuan që s’ka dhe tani më duhet që të paguaj dy muaj rresht, por nuk e kam aspak të lehtë, më duhet të lë ushqimet mangët fëmijëve, për të paguar për kapriçot e CEZ-it, që u largua”, vijoi më tej zonja Ariana. B.

    Fatura të dyfishuara

    Konsumatorë të revoltuar shprehen për “Telegraf”, se: “Mbrojtja jonë ka marrë fund, ne nuk dëgjohemi, edhe pse u largua CEZ-i përsëri po paguajmë për keqmenaxhimin që bërë kjo kompani… Edhe pse u largua kjo kompani vjedhja që na bëri ne për 3 vjet nuk ka të larë”. “Largimi i CEZ, nga Shqipëria dhe na ka gëzuar pa masë, por tani urojmë që të shohim pak dritë të bardhë, se na rropën për tërë këto vite, që ishte kompania CEZ, në krye të energjisë” shprehet Shpresa. A nga Tirana. Por sipas qytetarëve kjo kompani nuk duhet të mbahej aspak në Shqipëri, por fakti që ajo ishte nën ombrellën e qeverisë, rezistoi aq gjatë. “Nuk mund të harrohen tërë ato padrejtësi që i ka bërë CEZ, shqiptarëve, me ditë të tëra pa drita, me fatura të kripura, por kjo qeveri do ta paguajë koston e asaj që mbajti CEZ në Shqipëri” shprehet Astrit. A. Ndërkohë që një problem tjetër prezent është edhe ardhja e faturave gati të dyfishuara për qytetarët, të cilët gatuajnë me gaz, dhe nuk e konsumojnë korrentin. Nevruz Coniku, shprehet për “Telegraf” se: “Më ka ardhur fatura afërsisht 52 mijë lekë, ndërkohë që më parë kam paguar deri në 24 mijë lekë, dhe nuk kam gatuar as nuk jemi ngrohur me korrent. Të njëjtin konsum energjie kemi bërë edhe tani, sepse jemi vetëm dy pensionistë dhe jemi munduar në maksimum që të kursejmë”. Ai shton më tej se: “Nuk kam me çfarë t’i paguaj, mora lekë borxh për t’i paguar, por këto janë pasojat e asaj që na la CEZ. Sepse këto janë faturat e muajit që e kishte CEZ në administrim energjinë”.

     Erjon Braçe, deputeti i PS-së

    Administratori i ri i Post-CEZ, Dollapi, përveç strukturës së administratës së re që paraqiti në ERE, ka paraqitur edhe rrogat për veten e vet dhe të drejtuesve të tjerë. Edhe pse CEZ-i është i falimentuar, administratori Dollapi, i kërkon qeverisë të shpërblehet, më shumë se Presidenti, Kryeministri, me rrogë  5.5 milionë lekë në muaj! Deputeti Erjon Braçe, shkruan në rrjetin e tij social: “Administratori i ri, zanati i vjetër: I kërkon ERE-s rrogën: 550. 000 lekë të reja ose 5.5 milionë të vjetra!! ERE-ja i ka miratuar sot rrogën: 300. 000 lekë të reja!!Kjo rrogë është: më e madhe se ajo e drejtorit të KESH-130. 000 lekë; më e madhe se ajo e drejtorit të OSSH-130. 000 lekë; më e madhe se ajo e vetë kryetarit të ERE-140. 000 lekë; më e madhe se e deputetit, ministrit, kryeministrit, presidentit!! E gjitha ndodh kur CEZ është në krizë; ka gati 600 milionë dollarë borxhe për të paguar dhe kur ka humbur totalisht kapitalin prej 268 milionë dollarësh! Kjo është zhvatja dhe zhvatja vazhdon!”