Sahit Dollapi hesht për abuzimet me konsumatorët

    423
    Sigal

    ZMK/ “CEZ Shpërndarje” penalizon qytetarët që  shlyejnë detyrimet financiare nëpërmjet bankave

    Kompania e furnizimit të energjisë elektrike “CEZ Shpërndarje” nuk jep asnjë përgjigje për prishjen e njëanshme të kontratës me konsumatorët e rregullt. CEZ në fillim të këtij muaji ka ndërprerë energjinë ndaj abonentëve, të cilët paguajnë rregullisht faturat e tyre nëpërmjet bankave tregtare. Ndërprerja e energjisë ka qenë e panjoftuar duke shkaktuar dëme të konsiderueshme te konsumatorët. Abuzimi është denoncuar edhe nga Zyra në mbrojtje të konsumatorit, megjithatë asnjë masë nuk është marrë për qytetarët. Ankesat e tyre të shumta, të depozituara si pranë qendrave të kujdesit ndaj klientit, ashtu edhe në shoqatat e konsumatorëve, nuk kanë marrë një përgjigje. Konsumatorët në bazë të kontratës që kanë lidhur me kompaninë “CEZ Shpërndarje” mund të padisin në gjykatë këtë të fundit për shkaktim dëmi dhe ndërprerje të energjisë të panjoftuar. Ata kanë të drejtën e dëmshpërblimit dhe ndërprerjen e marrëdhënieve financiare me kompaninë deri në zgjidhje të problemit. Kompania me administrim të përkohshëm vazhdon të përdorë dy standarde ndaj konsumatorëve dhe institucionet mbikëqyrëse nuk marrin asnjë masë për përmirësimin e kësaj situate. Zonat periferike vazhdojnë të kenë konsum të lartë energjie dhe shlyerje detyrimesh në masa të papërfillshme deri në 2%, ndërsa konsumatorët e rregullt, të cilët shlyejnë detyrimet e tyre nuk marrin një shërbim sipas kontratës që rregullon marrëdhëniet me “CEZ Shpërndarje”

    Alarmi i ZMK-së

    Kompania “CEZ Shpërndarje” po ndërpret në mënyrë abuzive energjinë për konsumatorët, të cilët shlyejnë detyrimet financiare nëpërmjet bankave. Zyra e Mbrojtjes të Konsumatorit thotë se vetëm në dy muajt e fundit në Tiranë janë regjistruar 189 raste të ndërprerjes së energjisë. Kjo shifër pritet të jetë edhe më e lartë, pasi jo të gjithë konsumatorët kanë depozituar ankesat pranë kësaj zyre. Sipas ZMK-së, CEZ nuk është transparente për shërbimet e ofruara dhe nuk merr parasysh ankesat e qytetarëve. CEZ duhet të zgjidhë problematikat me bankat tregtare dhe nuk ka asnjë të drejtë të marrë masa penalizuese për konsumatorët. Këta të fundit kanë të drejtën e dëmshpërblimit, si edhe të ndërprerjes së çdo marrëdhënieje financiare me kompaninë e furnizimit me pakicë të energjisë. Edhe pse problematikat e shumta sollën në heqjen e licencës së kompanisë çeke tetë muaj më parë, duket se problemet nuk kanë të sosur për konsumatorët me administratën e përkohshme. Qytetarët vazhdojnë të vuajnë mbifaturimet, prishje të njëanshme të kontratës, neglizhencën, cilësinë e dobët të shërbimit dhe furnizimit.

    Fieri zhytet në terr, CEZ ndërpret energjinë

    Prej tre ditësh thuajse i gjithë qyteti i Fierit ka mbetur ne terr, për shkak te ndërprerjes së energjisë. I vetmi ndriçim, që thyen errësirën, është ai që vjen nga njësitë tregtare. Një borxh prej 8.4 milion lekësh, që bashkia e qytetit i ka kompanisë CEZ, ka sjelle këtë situatë. Kjo shumë rezulton e papaguar qysh nga muaji shkurt i këtij viti, dhe sipas bashkisë, shkak është bërë bllokimi i fondeve nga qeveria. Në kushtet e mungesës totale të ndriçimit të rrugëve qytetarët e Fierit thonë se kanë filluar të kufizojnë lëvizjet, për të mos patur surpriza të pakëndshme, kur bie nata. Filiali i kompanisë CEZ me anë të një shkrese zyrtare ka konfirmuar shumën që bashkia i detyrohet, duke renditur edhe të gjitha institucionet shtetërore dhe abonentët familjarë debitorë ndaj saj. Në total ky borxh arrin në 5 milion dollarë.

     Energjia, BB: Të ulen humbjet, të rriten arkëtimet

    Banka Botërore në programin e saj për aktivitetin në vendin tonë, në fund të bilancit 6-mujor vlerëson se fokusi tek energjetika duhet të jetë reformimi i sektorit. Kjo duhet të ecë sidomos në drejtim të përmirësimit të furnizimit me energji. Në raportin e saj Banka Botërore thekson se “Privatizimi i shpërndarjes nuk ka dhënë rezultat sa u përket përmirësimeve të shërbimeve në shpërndarje. Duhet të bëhen më shumë përpjekje për të fituar qëndrueshmërinë e sektorit, në mënyrë që jo vetëm të ulet presioni mbi buxhetin, por të garantohet sa më shumë siguri për furnizim dhe të maksimizohet menaxhimi i të ardhurave, duke mundësuar që të ndërhyhet financiarit nga banka në këtë sektor”. Nga ana tjetër, Banka Botërore gjykon se nivelet e humbjeve dhe të borxhit të keq janë rritur shumë, sidomos gjatë dy viteve të fundit. “Tarifat e shitjes me shumicë u miratuan për tri vite 2012 -2014, por Enti Rregullator i Energjisë dhe CEZ punuan në një mënyrë aspekt bashkëpunuese dhe nuk u përpoqën të arrinin një marrëveshje për të ardhurat që i duheshin sektorit, bazuar në rregulloren e privatizimit”, vlerëson BB. Banka Botërore vlerëson se liberalizimi i tregut është zgjidhja e së ardhmes. Aktualisht, sektori energjetik përbëhet nga tre operatorë që dolën nga ndarja e kompanisë shtetërore në vitin 2008. Tregu u nda në prodhim, transmetim dhe shpërndarje, por sipas BB kjo nuk mjafton edhe pse është pozitive dhe duhet të ecet drejt futjes në treg të më shumë operatorëve.